Pas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të PS-së, ka reaguar ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja Elisa Spiropali, e cila ka mbajtur një qëndrim kritik për mënyrën se si trajtohen debatet e brendshme në parti. Në një postim të gjatë në rrjete sociale, ajo thekson se “më përjashto” është përgjigjja e saj nëse mendimi i lirë konsiderohet shkelje disipline.
Spiropali shprehet se debatet nuk duhet të kthehen në “spektakël ndëshkimor publik” dhe se problemi, sipas saj, nuk është mospajtimi, por “frika nga mospajtimi”. Ajo ngrit shqetësime për ndarjen e partisë nga shteti, rrezikun e zëvendësimit të politikës me administrim dhe një model kontrolli që, sipas saj, dëmton përfaqësimin politik dhe debatin e brendshëm.
Në përfundim, deputetja thekson se mospajtimi nuk është tradhti, por pjesë e shëndetshme e politikës, ndërsa paralajmërimet për përjashtim i quan shenjë të një kulture politike që nuk duron kritikën. Ndërkohë, sipas burimeve nga mbledhja e grupit të PS-së, kryeministri Rama ka kërkuar disiplinë më të fortë në komunikimin publik të deputetëve dhe ka paralajmëruar pasoja për qëndrime që bien ndesh me linjën e grupit parlamentar.
Përplasja Rama-Spiropali ka nisur që kur Rama e shkarkoi Spiropalin nga detyra si ministre e Jashtme. Ky vendim erdhi në momentin që Rama hoqi nga posti i zv/kryeministres dhe ministres së MIE, Belinda Ballukun që po hetohet nga SPAK.
*Reagimin e plotë të Spiropalit e gjeni në story!
Burimi/Facebook/JOQ Albania


Leave a Reply