Ishte ndoshta mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Si në gjithë Myzeqenë, edhe në fshatin Strumë të Roskovecit jeta rridhte qetë, mes vështirësive të kohës dhe mundit të përditshëm.
Në një nga lagjet e fshatit, rreth një kilometër larg kishës së Shën Gjergjit, jetonte një familje e thjeshtë, ku dy bashkëshortët kishin një vajzë, emrin e së cilës sot nuk e mban mend askush. Por, edhe pse emri i saj është tretur në harresën e kohës, ajo që ka mbetur e gjallë në kujtesën e njerëzve është bukuria e saj e rrallë, ndaj edhe sot e kësaj dite, në ato anë, ajo përmendet si “e bukura e Strumit”.
Bukuria e saj nuk vinte as nga stolitë, as nga veshjet, por nga një hir i lindur që i jepte qenies së saj një trajtë pothuajse hyjnore. Flokët, në ngjyrën e grurit të pjekur, i dilnin lehtë nga shamia e bardhë dhe i zbrisnin valë-valë mbi supet e drejta, duke i dhënë një hijeshi të papërsëritshme.
Kur kjo bukuroshe ecte rrugëve të fshatit, dukej sikur edhe vetë vendi merrte një ndriçim të veçantë. Djemtë mezi prisnin rastin ta shikonin e t’i dilnin përpara, duke u përpjekur secili të binte në sy.
Dikush e priste te burimi, ku ajo shkonte për të mbushur ujë, një tjetër rrinte pranë kallamishteve, në shtegun ku ajo kalonte për t’i çuar bukën babait të saj, që lëronte arën, ndërsa të tjerë e ndiqnin kur ajo shkonte në kishën e Shën Gjergjit për të ndjekur meshën.
Aq e rrallë ishte bukuria e saj, sa edhe prifti, që bënte shërbesat, herë pas here i hidhte vjedhurazi sytë mbi të, madje një herë u hutua aq shumë, sa ngatërroi edhe fjalët e meshës.
Me kalimin e kohës, djemtë filluan të xhelozoheshin me njëri-tjetrin. Më të guximshmit mburreshin se kishin fituar zemrën e saj, ndërsa më të ndrojturit heshtnin, por në zemër ushqenin shpresën se një ditë ajo të bëhej zonja e jetës së tyre. Gradualisht, gjendja u rëndua aq shumë, sa grindjet mes tyre u kthyen në përditshmëri dhe prishën qetësinë e fshatit.
Të moshuarit , kërkuan ndihmën e priftit për të rikthyer paqen në Strumë. Pas shumë përpjekjesh, ai gjeti një zgjidhje të pazakontë. Thirri burrat më të mençur dhe shpalli një beslidhje sipas së cilës asnjë djalë nuk do të martohej me vajza nga fshati, pasi ato do të konsideroheshin si “motra” në gjak e në besim.
Pas kësaj beslidhjeje që nuk ishte dëgjuar kurrë më parë, në fshat ra sërish qetësia. Bukuroshja e Strumit, tashmë e mbrojtur nga kjo marrëveshje, shpëtoi nga vështrimet e përditshme dhe ecte me lirshëm rrugëve të fshatit.
Fjalët për bukurinë e vashës nga Strumi kishin marrë dhenë jo vetëm në gjithë Myzeqenë, por kishin arritur deri në Berat e përtej tij. Një ditë, fjala për bukurinë e saj kishte mbërritur deri në garnizonin osman të Beratit.
Të jetë e vërtetë? – u tha me mosbesim shokëve një nga oficerët e garnizonit. Nesër do të nisemi për në Strumë, dhe do ta shihni vetë që një vajzë fshati do ta quajë fat të madh të martohet me mua.
Të nesërmen, oficeri mbërriti në Strumë, gjoja për një kontroll të zakonshëm të rendit në zonë. Në hyrje të fshatit, pranë burimit, ndodhi ajo që nuk e kishte parashikuar. Si për një rastësi të çuditshme, sytë i vajtën te një vajzë me shtambën e ujit në dorë.
Me siguri kjo është bukuroshja e Strumit, tha me vete, i habitur nga ajo që shihte. Pa humbur kohë, zbriti nga kali dhe i doli përpara bukuroshes. Pasi përshëndeti, me një zë krejt të butë, ai i kërkoi t’i jepte pak ujë. Vajza, pa i ngritur sytë, i zgjati shtambën.
Oficeri e falënderoi me një ton të përmbajtur dhe, kur i ktheu enën, u përpoq t’i prekte dorën. Reagimi i bukuroshes ishte i menjëhershëm. Ajo u tërhoq pas, duke ruajtue qetësinë.
– Mos u tremb, i tha oficeri, me një zë më të qetë. Nuk kam ardhur me qëllim të keq. Kam dëgjuar shumë për ty dhe dua të të marr për grua. Me mua do të jesh një zonjë e vërtetë dhe asgjë nuk do të të mungojë.
Vasha uli sytë, pëshpëriti diçka nën buzë dhe mori rrugën drejt fshatit, duke i lënë të kuptohej se nuk kishte punë me të. Megjithatë, oficeri i tha ta mendonte mirë fjalën e tij, sepse nuk do ta linte me kaq.
Pas disa ditësh, oficeri, hipur mbi kalë, i preu sërish rrugën bukuroshe, teksa ajo po i çonte ushqimin e drekës babait që punonte në fushë. Këtë herë sjellja e tij ishte krejt ndryshe nga ajo e herës së parë. Ai donte t’i bënte të qartë vajzës se nuk kishte ardhur për t’u lutur. Çfarëdo që të ndodhte, me hir apo me pahir, ajo do të bëhej gruaja e tij.
Fjalët e tij nuk ishin as më pak e as më shumë veçse një kërcënim i hapur. Bukuroshja u trondit për një çast, por mblodhi forcat dhe, me një zë të qetë, i tha se dashuria nuk blihej as me pushtet e as me para. Pastaj u tërhoq një hap dhe mori rrugën drejt arës ku punonte babai. Për herë të parë po e kuptonte se bukuria po e tërhqte drejt diçkaje të rrezikshme.
Oficeri mbeti i stepur. Nuk e kishte menduar kurrë se një vajzë fshati do të gjente kurajën ta refuzonte me aq vendosmëri dhe pa u trembur.
Shtrëngoi nofullat dhe, me një zë të ulët, tha me vete se tashmë kupa ishte mbushur. Pas pak ditësh, ajo do ta kuptonte mirë se çfarë do të thoshte të refuzoje një oficer të lartë të perandorisë së madhe. Dhe ndërsa hipi përsëri në kalë, mendja e tij u errësua. Butësia e takimit të parë i kishte lënë vendin një arrogance të vrazhdë.
Kur vasha mbërriti te ara, ishte shumë e tronditur. Ajo i tregoi të atit gjithçka që kishte ndodhur me oficerin osman. I ati, që deri atë çast po lëronte tokën, u ndal menjëherë; dhe bishti i parmendës mbeti pezull në dorën e tij të ashpër. Fytyra iu rëndua dhe sytë iu errësuan.
-Duhet të ruhemi, bijë, i tha ai me një zë të ulët, por të prerë. Këta nuk janë njerëz me të cilët ndahesh lehtë.
Heshti për një çast, sikur po peshonte çdo fjalë, dhe pastaj i tha së bijës se që nga sot e tutje nuk do të dilte më vetëm. U afrua pranë saj dhe nxorri nga brezi një kobure të vogël të fshehur poshtë brezit. Ja vuri në dorë dhe i tha ta përdorte vetëm në se dikushn do guxonte të prekte nderin e saj.
Pas një jave, oficeri u kthye sërish në Strum, por kësaj here jo vetëm, por me disa nga njerëzit më të besuar. Trokiti rëndë në portën e shtëpisë. Familja u ndodh në një situatë të papritur. Oficeri hyri brenda dhe me një pamje hijerëndë e ton të prerë tha se kishte ardhur të merrte me vete bukuroshen.
Ndërsa po afrohej me hap të rëdë drejt vashës, ajo nxori koburen dhe pa menduar shumë qëlloi drejt tij. Plumbi nuk i mori jetën menjëherë, por një rrëke gjaku shpërtheu mbi rrobat e tij. Oficeri, i stërvitur në luftë, nuk u rrëzua. U egërsua si një kafshë pylli dhe me shkathësi nxori armën dhe qëlloi drejt mbi vajzën. Ajo u shua menjëherë dhe u ra në tokë, si një lule e këputur para kohe.
Por tragjedia nuk u ndal me kaq. I tërbuar nga dhimbja dhe zemërimi, ai ngriti armën edhe mbi të atin e saj. Një tjetër krismë tjetër përplasi muret e shtëpisë dhe burri ra përdhe, pranë bijës së tij. Në shtëpi ra një heshtje e rëndë. Krisamt u dëgjuan kudo dhe banorët vrapuan drejt shtëpisë ku ndodhi gjëma.
Vetë oficeri, i plagosur rëndë, mezi u tërhoq drejt daljes. Hapat iu rënduan, sytë iu errësuan dhe, sapo kaloi pragun e oborrit, u rrëzua edhe ai, i mbuluar në gjak, duke lënë pas një shtëpi të shuar dhe një histori që do të mbetej gjatë në kujtesën e njerëzve.
Qëndresa e bukuroshes së Strumit u kthye në një simbol qëndrese për brezat që erdhën më pas. Në nder të saj, banorët e kësaj treve ngritën një statujë të bukur, ashtu siç e meritonte bukuroshja e tyre e rrallë.
Çdo njeri që ndalet para saj e kupton se kjo histori nuk i përket vetëm së djeshme, por është një thirrje edhe për të sotmen, një thirrje për të respektuar dinjitetin e çdo femre.
Burimi/Facebook


Leave a Reply