Rrahman Parllaku (1919–2019), gjenerallejtënant i Ushtrisë Shqiptare, ishte një nga komandantët e njohur të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Rrugëtimi i tij ushtarak lidhet ngushtë edhe me Kosovën dhe viset e ish-Jugosllavisë. Në nëntor të vitit 1944, në Pejë, mori detyrën e komandantit të Divizionit të 5-të, ndërsa më pas forcat që ai drejtonte vepruan edhe në Sanxhak e Bosnje.
Pas luftës, Parllaku u ngjit në nivelet më të larta të Ushtrisë Shqiptare, duke mbajtur detyra të rëndësishme, ndër to drejtor Politik i Ushtrisë, zëvendësministër i Mbrojtjes, zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm, komandant e komisar i Forcave Ushtarako-Detare dhe kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Shqipërisë. Për kontributin e tij u nderua me titujt “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”.
Jeta e tij kaloi edhe nëpër një nga periudhat më të vështira të regjimit komunist. Në vitin 1974 u arrestua nga regjimi i atëhershëm dhe u dënua me 25 vjet burg. Më vonë u rehabilitua.
Për jetën e tij të lidhur me luftën dhe veprimtarinë ushtarake, publicisti i njohur nga Tirana, Halil Rama, e ka cilësuar Parllakun si “Hero i tri luftërave” – duke iu referuar Luftës së Vlorës, Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe luftimeve në viset e ish-Jugosllavisë, veçanërisht në Kosovë, Sanxhak e Bosnje.
Gjenerallejtënant Rrahman Parllaku kishte një afërsi të veçantë me luftëtarët shqiptarë të Kosovës dhe një bashkëpunim të rëndësishëm me strukturat e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë. Në këtë kuadër, marrëdhënia e tij me Fadil Hoxhën përbën një aspekt të rëndësishëm të veprimtarisë së tij dhe të njohjes së drejtpërdrejtë të zhvillimeve politike e ushtarake në Kosovë. Përvoja e fituar në terren dhe kontaktet me personalitetet shqiptare të asaj kohe e bëjnë dëshminë e Parllakut veçanërisht të vlefshme për kuptimin e zhvillimeve që shoqëruan Kosovën gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Vetëm një muaj para se të ndahej nga jeta, më 14 shtator 2019, në moshën 100-vjeçare, Rrahman Parllaku dha për gazetën prestigjioze shqiptare Panorama një rrëfim të gjerë mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave dhe figurat politike e ushtarake të asaj periudhe. Dëshmia e tij, e mbështetur në përvojën personale dhe në kontaktin e drejtpërdrejtë me ngjarjet, përbën një burim me interes për studimin e historisë së Kosovës dhe të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në periudhën e pasluftës.
Në rrëfimin e tij, ai shprehu një vlerësim jashtëzakonisht të lartë për Fadil Hoxhën, duke e cilësuar si një nga figurat më të mëdha shqiptare dhe duke i atribuar merita të rëndësishme për organizimin e luftës, ruajtjen e Kosovës dhe zhvillimet politike e institucionale të pasluftës.
“Për mua, Fadil Hoxha është më i madhi i të gjithë shqiptarëve, qofshin në Shqipëri apo në Kosovë. Më i madhi duhet të ishte Enveri, po të mos kishte pushkatuar të vetët si Pol Poti. Fadil Hoxha ka meritën se e krijoi atë Ushtri, e udhëhoqi, e la Kosovën të banuar nga njerëzit. Nuk fitoi atë që kishte vendosur Konferenca e Bujanit, e vetmja konferencë kombëtare që i jep të drejtën Kosovës për vetëvendosje dhe atë e realizoi UÇK-ja. Kufijtë etnikë i ka caktuar Kushtetuta e vitit 1974 e cila i caktoi kufij Krahinës Autonome. Fadil Hoxha nuk e la Mitrovicën me Beogradin, siç e kishin lënë pushtuesit, por vendosi dhe dy komuna serbe nga sipër që Trepça të ishte e Kosovës dhe jo e Serbisë.
Këtë mund ta bënte vetëm Fadil Hoxha dhe ekipi i tij udhëheqës me ndikimin që kishte tek Titua. Titoja nuk e bënte për Fadilin këtë, ai e bëri për vete. Sepse ishte kundër shovinizmit serb. Pasi rrëzoi Rankoviçin, kroatët ishin kundër serbëve, boshnjakët ishin kundër serbëve, atëherë dhe shqiptarët bëheshin kundër serbëve e në këtë mënyrë bënte balancimin e forcave kundër serbëve.
U ul fuqia e serbëve dhe kështu Titoja krijoi barazinë e kombeve të Jugosllavisë. Titoja nuk e quajti Republika e Kosovës, sepse as Enveri nuk e donte, se kishte frikën se Republika e Kosovës do të zbriste edhe më në jug, tërhiqte dhe Shqipërinë. Titoja e la krahinë Autonome, e cila kishte qeverinë e vet, Policinë e vet, Ushtrinë e vet, gjykatat e veta. Po të studiosh Kushtetutën e Jugosllavisë, shihej qartë se Kushtetuta e Kosovës nuk mund të zhbëhet pa vendimin e Kuvendit të Kosovës. Veç kësaj, Kushtetuta e federatës së Jugosllavisë, nuk mund të ndryshohej pa vendimin e kuvendit të Kosovës. 6 republika dhe 2 krahina autonome ishin të barabarta për federatën jugosllave.
Gjatë udhëheqjes së Fadil Hoxhës dhe ekipit të tij, u hapën Universiteti i Kosovës, Biblioteka kombëtare, Instituti i albanologjisë etj. Merita e Fadil Hoxhës është se nuk lejoi shpërbërjen e Kosovës, ruajti gjuhën, kulturën, vendosi kufijtë e Kosovës, kufij të cilët nëse prishen, prishet i gjithë Ballkani. Ky është Fadil Hoxha. Le të thonë ç’të duan për të. Erdhi Fadil Hoxha në Tiranë më 1947, u takua me Enver Hoxhën për të marrë libra për shkollat. E pyet Enveri, si është gjendja në Kosovë? ‘Serbët, po sillen më keq se Karagjeorgjeviçi’, tha Fadili. Kjo deklaratë e Fadilit shkoi në Kosovë te serbët para se të shkonte Fadili atje. Sepse kur shkoi në Kosovë, e thirrën në Komitetin e Partisë dhe i kërkuan llogari pse ishte shprehur ashtu. U akuzua Koçi Xoxe, por Enveri ishte më i lidhur me jugosllavët, sepse Fadili kishte takuar vetëm Enverin. Këta që akuzojnë Fadilin e shitën Kosovën. Sa herë shkoi Enveri në Jugosllavi, shkoi dhe në Vojvodinë, por asnjëherë në Kosovë. Sepse nuk kishte çfarë përgjigje t’u jepte kosovarëve”.
Dëshmia e Rrahman Parllakut mbetet një vlerësim i rëndësishëm për rolin e Fadil Hoxhës në historinë politike, ushtarake dhe institucionale të Kosovës. Pavarësisht debateve historike mbi figurën e tij, ky vlerësim, i mbështetur në përvojën e drejtpërdrejtë të një prej figurave të LANÇ-it, paraqet një dëshmi me peshë për të kuptuar Kosovën e periudhës së luftës dhe të pasluftës.
Burimi/Facebook/Organizata e veteranëve te LANÇ-së të Kosovës


Leave a Reply