Analisti shqiptar nga Amerika, Bleron Baraliu, ka folur për përballjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Baraliu konsideron se qëndrimi kokëfortë i Kurtit është adekuat në raport me çfarëdo marrëveshje me Serbinë.
Ai thotë se Kurti duhet duartrokitur për ‘zhvendosjen e debatit në shekullin e 19të dhe 20të’ siç u ankua Vuçiqi.
Sipas tij, ky është pozicionim apriori i pamohueshëm.
Por, Baraliu thotë se Kurti së shpejti do të sfidohet nga fuqitë e mëdha, në këtë rast me Amerikën.
“Momentet në muajt në vijim do të jenë ballafaqim kyç i Albinit me politikën ndërkombëtare, që momentalisht disfavorizon (relativisht) ndjeshëm interesat shqiptare karshi atyre serbe dhe biznesore. Në këtë kohë Albini do të ketë nevojë për mbështetje e këshilla që i mungojnë e nuk e shoh ku do i gjejë, dhe as jam fare i sigurt se do të menaxhojë mençur (sidomos bazuar në konfliktin e më parë me bullistin Grenell)”, shkruan Baraliu në Facebook.
Ja postimi i plotë:
Këndvështrimi i sinqertë si obligim moral e politik ndaj Albinit
Gazetarë (e kritikë) seriozë janë vetëm ata që, përderisa e kritikuan dje, sot do të shprehnin konsideratë për qëndrimin dhe strategjinë (si dhe taktikën) e Albinit karshi fashistoidit Vuçiq në Bruksel. Të tjerët janë të njëanshëm, si zakonisht …
Personalisht vazhdoj të mendoj se Albini do të sfidohet larg përtej shkathtësive dhe përvojës së tij së shpejti – sfida që do të theksohen dukshëm kur të vijnë në pah interesat profitere dhe vizioni ultrakapitalist i fuqive perëndimore (lexo Amerikës) në Ballkan – sidomos në lidhje me rrjetin e gazit dhe energjisë (diçka që mund te nuhatet lehtë në lidhje me ‘njohjen’ nga Greqia). Këtë duhet t’a kemi mësuar tashmë nga indikacionet e memorandumit të Uashingtonit…
Momentet në muajt në vijim do të jenë ballafaqim kyç i Albinit me politikën ndërkombëtare, që momentalisht disfavorizon (relativisht) ndjeshëm interesat shqiptare karshi atyre serbe dhe biznesore. Në këtë kohë Albini do të ketë nevojë për mbështetje e këshilla që i mungojnë e nuk e shoh ku do i gjejë, dhe as jam fare i sigurt se do të menaxhojë mençur (sidomos bazuar në konfliktin e më parë me bullistin Grenell).
Por unë vazhdoj të besoj se Albini kurrsesi nuk do të bënte kompromise domethënëse veç se mbi baza të besimit se përfundimi i shërben kauzës kombëtare. Pra vazhdoj të besoj se Albini mbetet patriot dhe parimisht i prirë mbi principe themeltare – në kërkim të zgjidhjeve optimale e jo të përmirësimeve relative. Megjithatë, në vetvete kjo nuk mjafton…
Dosido, taktikisht sot qëndrimi intranzixhent/kokëfortë i Albinit është adekuat në raport me çfarëdo marrëveshje të (pa)mundshme me Serbinë. Pra, në këto kushte shqiptarët më së shumti duhet shtyrë marrëveshjet potenciale dhe blerë kohë për të punuar e tejkaluar disavantazhin e vrazhdët karshi Serbisë, të thelluar gjatë 15-20 vjetëve të fundit të politikbërjes banale shqiptare në rrafsh ndërkombëtar.
Në këtë drejtim Albini duhet duartrokitur për ‘zhvendosjen e debatit në shekullin e 19të dhe 20të’ (siç u ankua zëshëm fashistoidi Vuçiq). S’ka ecje përpara pa pranuar historinë e freskët – ky është pozicionim apriori i pamohueshëm. Shqiptarët duhet marrë mësim nga hebrenjtë se si zbardhet e kaluara kriminale e armiqve dhe si duhet vënë kriminelët para altarit të drejtësisë. Dhe me hapat më të ri Albini duket se po e hap rrugën për këtë…
Burimi/Botasot.info


Leave a Reply