Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mendon se trupat amerikane duhet që të vazhdojnë që të qëndrojnë në Kosovë. Reagimi i tij erdhi pas disa deklaratave të zyrtarëve të lartë amerikanë, që tregonin se trupat e SHBA-së do të largohen nga Kosova. Por sipas tij, edhe nëse ndodh ikja, kjo nuk do të vijë për shkak të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Unë nuk mendoj se KFOR-i amerikan duhet të tërhiqet nga Kosova. Përkundrazi, dhe besoj se nuk do të tërhiqet nga Kosova. Kemi parë një si dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet edhe vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, tha Kurti pas tubimit elektoral në një restorant me të rinjtë e Podujevës.
Ai shtoi se beson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të qëndrojnë në të gjitha format e tyre shtetërore në Kosovë. “Me ambasadë, me ekonomi, me kulturë, me mbrojtje dhe jemi për partneritet dhe aleancë të fuqishme. Ne do ta heqim tarifën 100 për qind në mënyrë graduale, duke e zëvendësuar me reciprocitetin gradual. Jemi të bindur se kjo është rruga e duhur përpara dhe qëndrimi më racional dhe më i dobishëm për vendin tonë”.
Burimi/Gazeta SHQIP


Leave a Reply