Në Shkodër, u mbajtën të enjten mbrëma dy tubime rivale: Nga njëra anë ishte opozita që protestonte dhe kërkonte largimin e kryeministrit Edi Rama dhe nga ana tjetër, disa dhjetra metra më larg, një tubim i socialistëve që këmbëngulin për mbajtjen e zgjedhjeve vendore në 30 qershor.
Bashkia e Shkodrës kishte njoftuar degën vendore të Partisë Socialiste dhe policinë vendore se, në zbatim të dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, nuk jepte leje për zhvillimin e tubimit elektoral të socialistëve në një nga sheshet e qytetit. Por Kryeministri Edi Rama e sfidoi bashkinë.
Tubimet u mbajtën në një situatë të tensionuar, ku policia përdori gazin lotsjellës kundër protestuesve.
Në një fjalim përpara mbështetësve socialistë, zoti Rama premtoi atë që ai e quajti transformim të qytetit në 4 vitet e ardhshme dhe tha se kjo do të ishte sfida e tij personale.
Ai akuzoi kryetaren e bashkisë Voltana Ademi, duke e quajtur “më të paaftën” në histori dhe këmbënguli se ai nuk largohet e se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.
Ndërkaq, mbështetësit e opozitës kërkonin largimin e qeverisë dhe të Kryeministrit Rama. Zonja Ademi i bëri thirrje policisë për mbështetje dhe u kërkoi protestuesve të mos godasin policinë.
Megjithë tensionet, palët arritën të shmangnin përplasjet mes tyre.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply