
Sulmi terrorist është parë si një sulm mbi demokracinë dhe progresin e Turqisë.
Nga Menekshe Tokjaj, J. Paul Barker dhe Ali Çifti për Southeast European Times në Stamboll dhe Urfa
Terroristët “nuk duan gjëra të mira për të ardhmen tonë”, thotë një banor i Stambollit. [AFP]
Qytetarët në të gjithë Turqinë kanë dënuar një sulm kamikaz me bombë që vrau dy persona të premten (1 shkurt) në ambasadën e SHBA-së në Ankara, dhe qortuan ashpër aktet e terrorizmit që ata thanë se dëmtojnë strukturën e demokracisë.
“Unë e konsideroj terrorizmin si një krim kundër njerëzimit dhe nga tani e tutje të gjitha palët e interesuara duhet të krijojnë masa të reja dhe të thellojnë shumë më tepër forcën e inteligjencës për të luftuar kundër (tij)”, tha për SETimes Seval Topçu, një banor i ri në Stamboll. “Turqia ndodhet në një gjeografi shumë të brishtë dhe për aq kohë sa ne bëhemi shumë më të sigurt në marrëdhëniet e jashtme lidhur me zonën tonë, ne do të kemi si miq dhe armiq në të njëjtën kohë”.
Oguz Alhan, një student dhe shkrimtar në Stamboll, pajtohet.
“Terroristët sulmojnë kishat tona, xhamitë tona, ndërtesat e partive tona politike, dhe madje edhe ambasadat. Terroristët nuk duan gjëra të mira për të ardhmen tonë. Ata duan të prishin marrëdhëniet tona me disa popuj dhe me disa vende. Kjo është një gjë e keqe dhe këto situata na mërzisin dhe na pikëllojnë”, tha Alhan për SETimes.
Shpërthimi ndodhi në një pikë kontrolli të sigurisë në një hyrje që përdoret nga punëtorët e ambasadës dhe vizitorët duke vrarë një roje të sigurisë dhe sulmuesin kamikaz. Sulmuesi u identifikua si 40 vjeçari Exhevit Sanli, i cili kishte vuajtur dënimin prej pesë vitesh i akuzuar për terrorizëm. Ai ishte anëtar i Frontit Partia për Çlirimin e Popullit Revolucionar (DHKP-C) e nxjerrë jashtë ligjit.
Thuhet se së paku dy persona u plagosën, përfshirë Didem Tunkaj, një gazetare e NTV, i cila u shtrua në spital me lëndime të fytyrës. “Organet e saj jetike janë duke u përmirësuar, por ajo do të mbahet në kujdesi intensiv”, tha Dr. Nurullah Zengjin, administratori i spitalit Numune. “Ajo Ka trauma të rënda në anën e djathtë të fytyrës”.
Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan tha se forcat e sigurisë janë duke hetuar dhe nuk do të ketë asnjë deklaratë zyrtare qeveritare derisa të përfundohet hetimi. “Ne duhet të punojmë së bashku në të gjitha fushat e botës për të luftuar shtrirjen e terrorizmit”, tha ai.
Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhej Karnej tha se sulmi forcon vendosmërinë e SHBA-së dhe Turqisë për të punuar së bashku për të luftuar kërcënimet e terrorizmit.
“Një shpërthim kamikaz në perimetrin e një ambasade është, sipas përkufizimit, një akt terrori. Ky është një sulm terrorist”, tha ai.
Sureja Ersoj, ish-drejtor i degës së Komisionit Fulbright Turk në Stamboll, e quajti sulmin një akt kriminal. “Bota është plot me terroristë që paraqiten si luftëtarët e lirisë. Gjithkush duhet të jetë në gatishmëri kundër sulmeve të ngjashme”, tha Ersoj.
Omer Jasarkus, i cili shet artikuj elektrikë në Urfa, tha për SETimes se ai nuk është në gjendje të kuptojë pse duhet të sulmohen civilët.
“Cili është qëllimi? Demokracia nuk do të vijë kështu”, tha ai. “Çfarë dhe kujt i shërben vrasja e njerëzve të cilët nuk kanë kryer asnjë krim? Ju nuk mund të pëlqeni një vend të caktuar ose politikat e tij, por kjo nuk do t’ju jap drejtë të vrisni njerëz. Ky incident duhet të zbardhet menjëherë”.
Mutafa Arisut, botues i Silkroad Gazette të Urfas, tha se sulmi ishte i papranueshëm dhe një pengesë për zhvillimin e shoqërisë. Vende si ambasada amerikane, ku janë të pranishëm civilë, nuk duhet të sulmohen, tha Arisut.
“Nuk duhet të mbahet përgjegjës vetëm një person për këtë. Nëse DHKP-C është përgjegjëse, duhet të zbulohen forcat e errëta që dhanë urdhrin”, tha Arisut për SETimes.
Serkan Kajaoglu, një programues kompjuterësh, tha se ai mendon se objektivi i këtij sulmi nuk është vetëm SHBA-ja, por edhe zhvillimet pozitive që po ndodhin në Turqi.
“Unë mendoj se sulmuesit kërkuan të përdorin simbolin e SHBA-së për të krijuar një tension në sferën ndërkombëtare dhe kombëtare për të fituar kohë dhe për bllokimin e disa zhvillimeve të brendshme si kushtetuta e re, negociatat për zgjidhjen e çështjes kurde”, tha Kayaoglu për SETimes. “Ajo që ata duan është të sjellin më shumë mungesë stabiliteti në rajon dhe në këtë mënyrë të bllokojnë zgjidhjen e disa problemeve kyçe”.
Ai shtoi: “Por, një gjë është e qartë: Këta janë njerëz të cilët janë kundër parimeve të mbrojtura nga Turqia dhe vendet perëndimore, të simbolizuara nën Ambasadën Amerikane”.
Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply