Atifete Jahjaga
Një goditje e rëndë u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me publikimin e pamjeve që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës! Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një depuetete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë.
Veprimi i deputetës është jonjerëzor, joetik e joligjor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre.
Publikimi i fotografisë është goditje e sërishme ndaj dinjitetit të gruas që shihet në fotografi dhe është një goditje e rëndë për luftën tonë për drejtësi për mijëra gra e burra që u bënë cak i një fushate të egër të dhunimit seksual që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës së 1998-1999 për ta spastruar Kosovën etnikisht nga shqiptarët! Dëshmitë mbi krimet që ka kryer Serbia ndaj popullit tonë gjatë luftës duhet të deponohen në gjykatat përkatëse!
U bëjë thirrje mediave që të largojnë fotografinë nga platformat e tyre për të mos e dëmtuar viktimën edhe më shumë! U bëjë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim dhe të veprojnë në përputhje me ligjin!
Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike!
KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims
Pas publikimit në media dhe rrjetet sociale të fotografisë, e cila paraqet kryerjen e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, QKRMT ka pranuar shumë telefonata dhe reagime nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe nga familjarët e tyre. Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë tepër të shqetësuar dhe të indinjuar pas publikimit të këtyre pamjeve.
Publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë – pa cenzurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës.
Paraqitja e këtyre imazheve në mënyrë publike më së paku iu ndihmon të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe familjarëve të tyre, andaj për shkak të emocioneve të provokuara dhe për shkak të pamjeve të ndieshme, kërkojmë nga mediat dhe të gjithë ata që e kanë publikuar këtë fotografi, ta largojnë nga shfaqja në publik.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply