Ezra Paund e la Parisin në mbrëmje, për tu zgjuar të nesërmen në
një apartament të thjeshtë në Romë. Gjithë ikjet e tij, kishin qenë
të njëjta. Kur kafenetë e rrugët e një qyteti nuk i zgjonin më asgjë,
ai merrte valixhen dhe nisej për në një tjetër, për të nisur një tjetër
jetë. Kur u njoh me Dorothy Shakespear, me të cilën më pas, vuri
dhe kurorë, ai mendonte nuk kishte më asgjë që do të largonte nga
Parisi. Por kur një dashuri bie, një tjetër na pret diku. E ndërsa ajo i
fliste për ikjen, ai imagjinonte erërat që do të frynin në një rrugë të
vetmuar diku tej, të cilat me siguri do ti sillnin diçka. «Italia është
vendi për ti nisur gjërat nga fillimi», do të shkruante poeti amerikan,
i cili e preku këtë vend pas viteve 1924, e ku do të jetonte jo vetëm
një dashuri të re, por dhe kohë të mira në letërsinë e tij. Paund e
shihte lëvizjen si një formë e cila e ndihmonte jo vetëm të përsoste
jetën e tij, por dhe shkrimin. Pas çdo poezie të shkruar ka një histori,
dhe shpesh ajo ka ndodhur në vende të cilat ai i shkelte për herë
të parë. Qytete, fshatra apo stacione në të cilat shpesh mbërrinte
vonë, me dëshirën për të parë mesnatën. Ernest Hemingway, ishte
një tjetër i pasionuar pas udhëtimeve. Kujtimet e tij mbi kohën
e kaluar në Paris, janë një ftesë e përhershme për në këtë qytet,
për çdo lexues që ndeshet me to. Ish gruaja e tij Meri tregonte në
kujtimet e saj, se ai udhëtoi në Kubë për të shkruar mbi Parisin, pasi
mendonte se qytetet mund të shihen më mirë nga një tjetër. Por Kuba
nuk do të mjaftonte për të hedhur në letër ato çfarë kishte jetuar
përgjatë pesë viteve në Francë. Nga Idaho ku u nisën kujtimet do
të merreshin me vete për tu vazhduar në Spanjë, për ti përfunduar
sërish në pranverën e vitit 1960-të në Kubë. E gjithë historia e
letërsisë është një udhëtim, ose një ftesë për të shkuar diku. Janë të
shumta takimet me qytetet imagjinare që i kemi gjetur në librat që
kemi lexuar. Qytete që janë shfaqur para nesh në forma të ndryshëm,
herë përmes stilit të jetesës, fytyrës së personazheve që kemi takuar
në kafenetë e tij, apo historive që na kanë treguar. Histori që, sapo
kemi mbyllur faqen e librit, kemi dashur ti gjejmë në jetën tonë.
Qytete që na kanë njohur me kultura dhe botë që në jetën reale nuk
kemi mundur ti njohim dot. Singrid Unset e quante letërsinë një
qytet të madh, ku nëse do ti duhej të merrte rrugën për aty, kishte
lagjen e saj. Aty, ku mbrëmjeve pas mesnate teksa hidhte shallin në
krah mund të shëtiste dhe të ndjente erën e drurëve, apo ku përtej
dritares, mund të ndjente hapat e një burri. Ajo donte ti shihte
qytetet mbrëmjeve, ashtu siç ndodhte zakonisht në historitë e librave
të saj. Një grua mbërrinte mbrëmjeve në Oslo, e veshur me fustanin
e gjatë dhe në dorë mbante një çantë. Kaq duhet për të zbuluar një
qytet, një çantë, që mbart brenda dëshirën për të papriturën që e
gjen pas çdo rruge. Letërsia është udhëtim, dhe atëherë kur nuk na
çon në qytetin ku duam. Një udhëtim shpesh i brendshëm në ujëra të
padukshëm të njerëzores sonë, me një aftësi për të na treguar fjalët
që nuk arrijmë ti themi. Një udhëtim përmes jetëve të personazheve
që kemi njohur në udhëtimin tonë në bibliotekën e madhe të botës,
që me këmbëngulje na bëjnë të besojmë se zgjedhja gjithnjë është në
qytetet që na presin.
Revistasaras.al


Leave a Reply