Banorët e zonave që preket nga gjurma e re e Autostradës Milot–Balldre po përballen me një situatë të papranueshme. Ata kanë ndërtuar jetën, shtëpitë dhe bizneset e tyre, por sot mbahen peng nga një shtet që nuk u garanton as të drejtën bazë të pronës.
Agjesia Shtetërore e Kadastres në Lezhë u thotë qytetarëve se nuk mund t’i pajisë me Certifikatë Pronësie, pasi hartat nuk janë digjitalizuar. Por në të njëjtën kohë, institucionet kanë tenderuar një autostradë që kalon pikërisht mbi këtë territor. Si mund të planifikohet një vepër miliardëshe mbi prona që vetë shteti nuk i ka sistemuar juridikisht?
Skandali bëhet edhe më i rëndë kur edhe ata qytetarë që i kanë pronat me Certifikatë Pronësie nuk po marrin rivlerësimin e tyre. Kjo ngre dyshime të forta se po krijohen kushtet që pronat e tyre të kompensohen me vlera sa më të ulëta, në dëm të familjeve që kanë investuar ndër vite.
Askush nuk është kundër zhvillimit dhe investimeve publike. Por zhvillimi nuk mund të bëhet duke shkelur të drejtën e pronës, duke fshehur informacionin dhe duke i vendosur qytetarët përballë një fakti të kryer.
Pse nuk publikohet qartë gjurma përfundimtare e rrugës? Cilat janë familjet dhe bizneset që preken? Pse qytetarët duhet ta mësojnë fatin e pronës së tyre nëpër korridore institucionesh dhe jo nga transparenca zyrtare?
Kjo është përgjegjësi e qeverisë dhe institucioneve që duhet të mbrojnë qytetarët, jo t’i lënë ata në pasiguri e ankth.
Zhvillimi nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë ndaj qytetarëve.GG
Burimi/Facebook


Leave a Reply