Po marr disa komente jo te hijshme nga disa persona te panjohur, të cilat sigurisht i kam anulluar. Jo sepse ata nuk mund te shprehin ate qe mendojne, por komunikimi duhet te jete brenda qytetarise shkodrane. E shkrojta në formën e nje thirrjeje në përgjithësi për gjithë qytetarët, për shkak të atyre gjërave që shikoj se çfarë është bërë realisht në Shkodër. Nuk e shikoj Shkodrën me syrin e nihilistit lidhur me çfarë është bërë dhe arritur, por me syrin e një analize në frymën e normave “base on results” (bazuar në arritje”, pra mbështetur në rezultat. Dhe rezultatet e pritshme si qytetar nuk janë aspak optimiste, mbasi problemet e mëdha as që janë cekur. Shkas u bë aksidenti me vdekje në rrugën e Bahçallekut. Ai aksident i rëndë nuk do të kishte ndodhur nëse zgjidhjet urbane do të ishin më të plota. Ndodhën pikërisht në rrugën që po zgjerohet dhe po shkon drejt fundit të saj. Është një rrugë hyrëse në një qytet historik dhe në një lagje gjithashtu historike që është pjesë e rrethit që përfshin Kalanë e Shkodrës. Rruga me dy kalime vajtje ardhje dhe me katër korsi ndan në mes këtë lagje dhe është ndërtuar e projektuar me sforco të madhe në një vend të ngushtë dhe aspak të përshtatshëm për kushtet e një autostrade. Unë këtu lexoj një mosvëmendje të plotë të kësaj qeverie që për kaq vite nuk i ka ofruar një zgjidhje oportune hyrjes të këtij qyteti, ish kryeqendër rajonale dhe e njohur në tërë Ballkanin si e tillë. Në kohët osmane ajo ka qenë vlerësuar gjithnjë si e tillë. Në kohën e Zogut dhe më pas në atë të Italisë, siç quhet ndryshe edhe në Shkodër, ajo pësoi një revolucion industrial dhe social dhe u rrit si një qytet i dorës së parë. Bumi i një zhvillimi të hovshëm në planin ekonomik e social ku vlen të përmendet zhvillimi i një industrie të madhe shumëdrejtimshe përfshi hidrocentrale, bonifikime, minerare, të një industrie mekanike të pajisur mirë për kohën, me dy uzina të mëdha mekanike si Uzina Drini dhe Uzina e Telefrikëve, Uzina e Telave dhe e Kabllove, dhe me gjashtë apo shtatë qendra mekanike të mëdha të tjera, erdhi në periudhën pas çlirimit. Në planin bujqësor e blegtoral gjithashtu pati zhvillime të hovshme por për fat të keq të shoqëruar me një kooperativizim devastues në aspektin human që e uli së tepermi, deri ku s’ka më, nivelin e jetesës në fshat ku varfëria ishte tepër e dukshme. Këto politika të dëmshme u rënduan nga viti në vit, që të linin të kuptoje se ai zhvillim i vrullshëm e tërësor nuk kishte lidhje me përmirësimin e jetës, por me skllavërimin e saj. Bujqësia u bë çështje e gjithë popullit, por ky mbeti thjesht një sllogan, sepse fshati jetonte në kushte ekzistenciale. Arsimi dhe shëndetësia patën rezultate të dukshme që arritën nivele mjaft pozitive, kuptohet që sigurisht nuk preknin majat. Universiteti i Shkodrës u bë një qendër sa e lartë studimore me studentë nga i gjithë veriu i Shqipërisë, aq edhe një qendër shkencore e nivelit të lartë me profesorë e pedagog të spikatur deri edhe akademikë. Por erdhi një kohë që u bë e qartë që ky zhvillim nuk qe aq solid sa t’i rezistonte kohës. Ndaj edhe dështoi ose më mirë të themi që u dorëzua pa kushte. Nuk ishte aspak një tranzicion, por një shkatërrim tërësor i të gjitha çfarë përmenda më lart. Por megjithëse komunizmi u shemb, Shkodra ia doli. Ajo ia doli mbi bazën e një sinergjie që e ka zotëruar në shekuj ky qytet, e cila shumë shpejt u orientua në kushtet e reja, drejt një demokracie aq të dëshiruar. Dhe e gjitha kjo, edhe pse vëmendja nga Shkodra nuk qe asnjëherë e plotë, por gjithsesi nuk është se pati ndonjë vëmendje më të madhe ndaj qyteteve të tjera përjashtu këtu Tiranën. Megjithatë, nga fundi i periudhës së një demokracie jo të plotë, por që po ia dilte pak e nga pak, Shkodra pësoi një zhvillim të kënaqshëm në kushtet e një ekonomie tregu. Jeta filloi të përmirësohej, sidomos në fshat, pas shthurjes së sistemit kooperativist dhe kalimin e pronësisë mbi tokën tek fshatarët. Megjith një emigracioni në fomë bumi shpërthyes, Shkodra nuk njohu shpopullim të egër. Madje as edhe një bum përmbysës demografik të brendshëm. Ajo ruajti boshtin e vet qytetar, sepse shikonte që parametrat e jetës po rriteshin në mënyrë konstante. Kjo deri në vitin 1997. Ky vit ishte një shkatërrim i vërtetë për të gjithë. Periudha e mëpasme pati mjaft luhatje, por u rikthye edhe një herë mosvëmendja ndaj saj. Investimet qenë mjaft të kufizuara. Mbisunduan investimet donatore dhe Shkodra përfitoi mirë përmes Qeverisë Austriake. Një përmirësim i dukshëm u bë sidomos në drejtim të furnizimit me ujë në sajë të këtyre donacioneve dhe të një menaxhimi mjaft intelegjent të fondeve. Filloi edhe një zhvillim urban i kontrolluar dhe ndryshimet në pamjen e përgjithshme urbane ishin të dukshme. Shiroka u bë një qendër atraktive turistike dhe me një rrugë të standardeve të kënaqshme dhe zhvillimi urban aty pothuajse u ripërtëri plotësisht. Ndihej vërtetë dora e pushtetit vendor, të organizuar në Bashki dhe Komuna. Krahas Bashkisë zhvillimi qe i hovshëm edhe në komunën rrethina, që nuk dallohej nga qyteti i Shkodrës. E gjithë kjo mund të thuhet deri në vitin 2013. Pas këtij viti Shkodra ngeli pike me kusma. Mospërputhja midis drejtimeve politike në Shkodër dhe në Qeveri i kushtoi shumë Shkodrës. Qeveria e Rilindjes dhe sidomos Kryeministri e përtallnin qytetin dhe Kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, se Shkodra nuk kishte kapacitete për të bërë projekte. Qeveria nuk i lexonte asgjë këtij qyteti se çfarë projektesh potenciale zotëronte. Mjafton të përmendim konsulencën e firmës konsulente Spanjolle EPTISA, prej ku buronte një strategji ekselente për tërë veriun: Shkodrën, Mbishkodrën dhe Pukën, Vaudejësin pra në tërë qarkun e Shkodrës. Aty përfshiheshin tëra fshatrat dhe komunat e këtij qarku. Nje strategji e mbështeur plotësisht në konceptin e zhvillimit urban Smart City. Jo vetëm kaq, por lista e projekteve të propozuara në nivelin e Projekt Propozimeve të studjuara thellësisht, që hapnin rrugën e zhvillimit të studimeve të fizibilitetit mbi bazën e normave europiane ishte shumë e qartë dhe mjaft e gjatë. Por qeveria bënte syrin qorr dhe veshin shurdhër. Nga ana tjetër në Bashkinë Shkodër kishte një staf inxhinierik dhe ekspertësh shumë të aftë, si edhe një potencial mjaft të lartë specialistësh të të gjitha fushave që i ofronin bashkisë studime e propozime të vlefshme dhe të studjuara. Universiteti u shndërrua në një qendër aktive shkencore, i cili aktivizonte gjithfarë specilistësh të fushave të ndryshme. Dhe Kryeministri nuk linte rast pa përtallur Shkodrën dhe Kryetaren e saj, që vinte nga një familje e shkëlqyer me një background të një zhvillimi kapitalist njëlloj si në vendet më të zhvilluara kapitaliste në Europë. Zotëronin fabrika duhani dhe ishin aksioner kryesor në Fabrikën e çementos. Në statutin e këtyre ndërmarrjeve pasqyrohej një konceptim i qartë dhe një rregull i jashtzakonshëm që sot as nuk mund të përfytyrohet. Unë e kam parë dhe studiuar atë për ta marrë si model sesi duhej të zhvillonim biznesin tonë në Prefekturën Shkodër. Një fotografi e të gjithë punonjësve të saj i tregon ata me uniformat dhe me stemat “Ademi”. Që të gjithë me sigurime sociale. Por trashëgima e Shkodrës nuk mbaron këtu. Duhet të lexoni edhe librat e Inxh. Zenepe Dibra, që ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë të jashtzakonshme selektive. Por mendoj se nuk mjafton vetëm kjo. Për ta studjuar Shkodrën me themel duhet një Institut i tërë. Pasi u “rrëmbye” me gjithfar metodash Bashkia Shkodër, duke ardhur kështu në koherencë me qeverisjen qendrore, pritshmëria e shkodranëve u rrit, por shpejt u duk qartë se më shumë është investuar për propagandën dhe investime të vogla pa ndonjë vlerë që të ndikojë thelbësisht qytetin. Rilindja e “famshme” e mori Shkodrën me një qendër të urbanizuar mirë e bukur, të zgjeruar në drejtimin periferik me rrugë të gjëra, të sistemuara, të rinovuara tërësisht, me institucione të kompletuara dhe rikostruktuara në aspektin ndërtimor dhe arkiteturor, me një Muze të mirëmenaxhuar e të ringritur nga e para. Me një Teatër të rikonstruktuar me shije, me shkolla të reja dhe të rikosntruktuara, e shumë gjëra të tjera.
Po Rilindja çfarë ka bërë. Një tub skandaloz në hyrje të qytetit të cilin nuk mori mundimin ta përuronte as edhe Kryebashkiaku rilindas aktual, për të cilin propaganda arriti kulmin. Bënë disa rrugë biçikletash më së shumti të lyera me bojë dhe të vizatura, ku po të ecësh me biçikletë të dridhet i tërë trupi nga gropëzimet e betonit të shtruar pa përgjegjësi, u bë një punë deri diku e mirë me fasadat, por që tani nuk ndihet më. Zona përreth stadiumit mori një pamje më të bukur dhe me rrugë më të mira. Dhe një punë e lavdërueshme por jo, kurr në pritshmërinë e shkodranëve, u bë në Zdrale, e cila është praktikisht e pakapërcyeshme edhe në këmbë dhe me zi përshkohet me biçikletë, e lëre ma me makinë. Pra më shumë duket si një njollë urbane që shtroi rrugët e trotuarët koprace ku duhet të ecësh brinjaz sepse do të përplasesh me të gjithë kalimtarët që kalojnë për aty. Me ju thanë të drejtën nuk di ma sa çfarë mund të përmend për mirë.
Ah, po se për pak harrova! Harrova kryeveprat e Shekullit që Shkodra nuk i ka pasë ndonjëherë. Muzeun e Lundrimit një kryevepër në llojin e vet.Kjo do të na kënaqë aq shumë për të kujtuar atë epokë të lavdishme kur Shkodra ishte qytet port. Dhe në vend që të planifikoheshin punime botore, po shkon drejt fundit Muzeu i Lundrimit, i cili u vu aty pikërisht për të penguar ngritjen e një porti sipas traditës që ruan Shkodra, që ishte edhe portual i portit të Ulqinit, sepse ajo e administronte edhe portin e Ulqinit. Shkodranët nuk është se kishin vetëm anije të mëdha e të vogla, por edhe flota të mirëfillta lundrimi, që përshkonin Bunën së bashku me vapor të huaj. Për këtë qëllim projekti i bërë nga Banka Islamike për Urën e Re të Bunës u bë me një urë rrotulluese mbyllëse e hapëse e një niveli të standardeve europiane. Pra e presupozonte lundrimin në Bunë. Por Rilindasit e taposën përfundimisht një gjë të tillë.
Edhe një kryevepër tjetër! Gardhi rrethues i Liqenit të Shkodrës, mrekullisë natyrore me famë botërore. Liqeni nuk mund të shikohet nga udhëtimi me makinë. Rrethimi i mëparshëm estetik dhe në përputhje e harmoni me mjedisin që nuk e ndante si një parcelë e harruar, por bashkudhëtonte me të nën një transparencë të plotë, si në makinë ashtu edhe në këmbë apo në biçikletë, pa patur atë barrierë gardhuese të zezë si vetë mendimtarët e mëdhenj rilindas sundes aktualisht në Shqipëri, u zhduk. Ndoshta mund të kenë menduar se po bëjnë një rrjetë difraskioni të dritës për të mahnitur turistët me lojërat e ngjyrave. Por atyre u duhet të vijnë me autobus dykatësh që nuk kanë hyrë ende në Shqipëri, për të parë liqenin.
Rruga e Velipojës u bë si një fund zving. Nuk ke nga të kalosh! Rrugët paralele për fshatrat pothuajse mungojnë tërësisht. (Në parantezë: Velipojën rilindasit e gjetën super të organizuar nga Bashkia e Vjetër, me pedonale, me planimetri urbane, me rrjet furnizimi me ujë dhe me një impiant të ujërave të zeza, në fazë ndërtim etj., si edhe me një rezort ultramodern.)
Tani nuk më mbetet përveçse investimi super i shkëlqyer! Ndërtimi i një rruge afro, ndoshta 2 km, me katër korsi, që lidhet me një urë mbi Drin që ka filluar para 3 vjetësh, dhe ende nuk ka mbaruar ende. Një rrugë si një prostatë apo si fshikëz urine, që në verë shndërrohet si të ishte një vend parkimi makinash nga që bllokohen kalimet në dalje dhe në hyrje të saj. Kjo sepse Rilindja ka bërë rrugën e Lezhës, Shëngjin – Velipojë me paramendim të plotë për të shmangur Shkodrën në lidhjet e saj me Europën. Shkodra si lidhësja e vetme tokësore me Europën deri më tani, nuk do ta gëzojë më një status të tillë, sepse Rilindja parashikon që këtë rol ta luaj Lezha. Thuhet se rruga e re qenka pjesë e korridorit blu. Imagjinoni si do të kalojnë trajlerat e rëndë të transportit dhe makinat e tjera të rënda të transportit apo autobuzët modernë të përzierë me makinat luksoze të Tiranës, me paramendimin që të grabisin Velipojën ashtu sikurse edhe Shëngjinin, për tu a shitur të huajve, sa të bëhen gati me grabitjet e radhës.
Në kohën e Mehmet Pashë Plakut ka qenë projektuar një urë me disa harqe, e cila ekziston edhe sot në arkivat europiane si fotografi, për të cilën thuhet se paska qenë madje edhe e mbaruar. Ajo kalonte shumë më tutje se ura aktuale dhe lidhej me rrugën e Kuçit, pra përtej Kalasë, meqenëse Kalaja duhet ruajtur e paprekur. Një projekt i madh ishte studjuar për një rrugë që kalonte nga Bushati e deri aty afër Kuçit, me një autostradë me katër kalime për perspektivën. Ura do të ishte mjaft e gjatë ndoshta edhe disa kilometra se do ti duhej të përshkonte Drinin edhe përgjatë rrjedhës dhe tërthorë me të vende-vende. Një projekt ky madhështor. Por Rilindja nuk di se ku gjendet kjo projekt ide apo studim, sepse nuk di ku ka as kokën dhe as këmbët, me kryetarin e Bashkisë Shkodër aktualisht nën hetim të akuzuar penalisht, akuzë të cilën duket se e ka pranuar, meqenëse ka zgjedhur gjykimin e shkurtuar dhe me shumë drejtorë të mëdhenj në burg. Pa përmendur këtu disa ministra zëvendës Kryeministra gjithashtu në burg, me disa marioneta nën hyqëm që hiqen e vihen, medemek se po përgatitemi të hyjmë në Europë. Por edhe me një Siguri Kombëtare të cenuar rëndë nga arrestimi i Zonjës Vlora Hyseni ish Kryetare e ShIK-kut.
Edhe një projekt i bukur që u nis, u la përgjysëm, mbasi ai lidhet drejtpërsëdrejti unazën e re dhe me hyrjen e re të Shkodrës, siç duhej të ishte. Dhe Rilindja nuk di se si ta zgjidhë këtë punë, sepse 1,5 miliard dollarë, sipas medias dhe njerëzve të cilët e deklarojnë hapur, i vidhen buxhetit të shtetit çdo vit. Tani më ajo gjysmë vepër ka filluar të degradohet.
Ja këto desha tu them Shkodranëve me atë mikro-mesazh që u dërgova para disa ditësh, i indinjuar nga humbje e jetës së një qytetareje të nderuar. Mendova se do të shkruhej diçka në shtyp dhe po prisja, se mos ndonjë nga specialistët e rrugëve në Bashki dhe në Qendrën e Rilindjes do të na shpjegonte e arsyetonte diçka më profesionale. Ja pra kjo është edhe letargjia shkodrane që nuk duhet të ndodh e të vazhdojë më tej.
Me që nuk kam as kohën dhe as komoditetin për ta prezantuar në shtyp këtë artikull, po e paraqes në statusin tim në FB. Mendoj që ta lexoj edhe në You Tube, sapo ta ndiej veten më mirë, për të përhapur më gjerësisht, këto të vërteta të mëdha dhe mjerisht edhe kaq trishtuese për Shkodrën e shkodranëve të nderuar e të respektuar. Mendoni pak se vetëm shkodra ka nxjerrë zotni burra e zonja të mëdha, të cilët gjithë bota i ka quajtur me emrin Zotni Shkodre e Zonja Shkodre të dyerve të mëdha të Shkodrës. Jam i bindur se Zotnitë e Zonjat e Shkodrës do ta ngrejnë zërin e tyre e ta shpëtojnë Shkodrën nga Rilindja e Pabekuar.
Fundi i dokumentit
Burimi/Facebook


Leave a Reply