Prej 4 nëntorit, kushdo mund të kërkojë me emër ose pseudonim në regjistrat e ish-shërbimeve hungareze të sigurimit të shtetit. Në Tiranë, lajmi hapi dy diskutime në Facebook.
Historiania Enriketa Papa kërkon deklasifikim më të gjerë dhe ngre shqetësimin se përdorimi përzgjedhës i dosjeve ka ndikuar në atë që shqiptarët dinë për diktaturën.
Gentiana Mara Sula , kryetarja e Autoritetit të Dosjeve, pyet si mund ta gjejë më lehtë qytetari një dokument, çfarë mund të bëjë kur gjen një pasaktësi dhe si mund të zbardhen përgjegjësitë e përndjekjes duke ruajtur dinjitetin e atyre që e pësuan.
Hungaria publikoi regjistrat në 70-vjetorin e shtypjes së Revolucionit të vitit 1956. Kartelat dhe të dhënat e hedhura online përmbajnë rreth 60 mijë emra.
Deri më 25 shkurt 2027 parashikohet të publikohen gradualisht edhe dosjet e rekrutimit, ndërsa raportet e informatorëve do të konsultohen në arkiv. Ky dallim ka rëndësi për këdo që gjen një emër të njohur: kartela dëshmon se shërbimi e kishte regjistruar personin. Për të kuptuar nëse ai raportoi, në ç’rrethana dhe me çfarë pasojash për të tjerët, duhen lexuar dokumentet që lidhen me atë regjistrim.
Çfarë kërkojnë historianët në dosjet e informatorëve?
Papa e përmbledh qëndrimin e saj në titullin e postimit: “Hungaria hap dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, Shqipëria heziton deklasifikimin”. Sipas saj, përpjekjet shqiptare që prej vitit 1991 janë shoqëruar me ndërprerje, politizim dhe përdorim përzgjedhës të dokumenteve. Ajo vlerëson se ligji i vitit 2015 dhe krijimi i Autoritetit të Dosjeve zgjeruan mundësitë për të konsultuar arkivat, por e sheh deklasifikimin si çështje ende të pazgjidhur.
Përmasat e këtij debati kuptohen më mirë kur dallohen dy procese. Në raportimin para Kuvendit për vitin 2024, AIDSSH bëri të ditur se gjatë viteve 2022–2024 ishin deklasifikuar 23 663 njësi arkivore me mbi 1,4 milionë fletë. Deklasifikimi i heq dokumentit statusin sekret. Çfarë mund të kërkojë qytetari drejtpërdrejt në internet është një çështje tjetër. Këtë mundësi zgjeroi Hungaria me publikimin e regjistrave.
Në komentet poshtë postimit të Papës, historiania Sonila Boçi Pepivani shpjegon se çfarë do të kërkonte në këto dosje: si i rekrutonte Sigurimi bashkëpunëtorët dhe deri ku shtrihej kontrolli i tij mbi shoqërinë.
Etleva Smaci ngre dyshimin nëse, pas kaq vitesh, e vërteta është tjetërsuar aq shumë sa hapja e dosjeve e ka humbur vlerën. “Duhet deklasifikim”, i përgjigjet Papa. Viron Prodani e sheh vonesën nga një kënd tjetër: bashkë me njerëzit që kanë vdekur, kanë humbur edhe rrëfimet për ato që ata dinin.
Tri pyetjet që ngre Gentiana Sula
Në postimin e saj, Sula kujton se në Shqipëri fillimisht dosjet u përdorën për të verifikuar figurën e zyrtarëve dhe të kandidatëve për funksione publike. Ligji i vitit 2015 vuri në qendër edhe të drejtën e të përndjekurve dhe të familjarëve për të njohur dokumentet që lidheshin me ta. Sula përmend zgjerimin e së drejtës për të kërkuar dokumente në vitin 2022 dhe Mediatekën e AIDSSH-së, ku publikohen materiale arkivore me interes historik.
Mbi këtë përvojë, ajo shtron tri pyetje: “Si ta bëjmë aksesin publik dhe digjital më të lehtë?”, “Si ta shoqërojmë publikimin me verifikim, shpjegim dhe mundësi korrigjimi?” “Si ta mbrojmë dinjitetin e viktimave, duke ndriçuar përgjegjësitë e aparatit të përndjekjes?”
Pyetja e parë lidhet me atë që ndryshon kur dokumentin mund ta gjejë vetë qytetari. Sipas Sulës, sa më gjerësisht të jetë i arritshëm informacioni, aq më pak mundësi ka që dikush ta mbajë për vete, të nxjerrë vetëm pjesën që i intereson ose ta përdorë për presion. Dy pyetjet e tjera marrin peshë pikërisht në çastin kur një emër bëhet publik.
Sula kujton se kishte njerëz të regjistruar që mund të mos kishin dorëzuar asnjë raport dhe të tjerë që ishin rekrutuar përmes shantazhit. Për një familje që gjen një emër të afërmi, rëndësi ka të mund të shohë mbi ç’prova mbështetet ajo që thuhet për të dhe ku mund të kërkojë korrigjim. Për familjen e të përndjekurit, po aq rëndësi ka të mësojë kush e urdhëroi survejimin dhe si u përdor informacioni kundër njeriut të saj.
Edhe poshtë postimit të Sulës, lexuesit u ndalën te përgjegjësia publike.
@Gjek Beqi propozon që përparësi t’u jepet të zgjedhurve, punonjësve të administratës dhe njerëzve me rol në media. Për qytetarët jashtë këtyre kategorive, të cilët nuk kërkojnë vetë hapjen e dosjes, ai sugjeron një afat tjetër mbrojtjeje prej 15 vjetësh.
@Ndriçim Mehmeti ngre çështjen e përfituesve të pensioneve të posaçme. Selami Zallivë në dyshim krahasimin mes dy vendeve, ndërsa Vojsava Delilaj sheh te vendimi hungarez shpresën për “një hap udhërrëfyes edhe për ne”.
Mes këtyre komenteve del një dallim në pritshmëri. Historiania kërkon të rindërtojë si funksiononte rrjeti. Qytetari kërkon të dijë çfarë është verifikuar për njerëzit që kanë ushtruar pushtet. Familjari mund të kërkojë përgjigje për një ngjarje të vetme që i ndryshoi jetën dikujt.
Vlera e hapjes, për secilin prej tyre, varet edhe nga ajo që mund të bëjë pasi gjen emrin: të ndjekë gjurmën e dokumenteve, të kuptojë kush mori vendimet dhe, kur provat e kërkojnë, të korrigjojë atë që është thënë publikisht.




Burimi/Facebook/Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991


Leave a Reply