Falënderoj Kryetarin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, për mbështetjen publike dhe denoncimin e presioneve dhe masave të ndërmarra ndaj meje nga Dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Eqrem Çabej”, Gjirokastër.
– Kam zgjedhur të mos e bëj publike deri më sot këtë përballje, pikërisht për shkak të angazhimit tim politik.
– Nuk kam dashur që mbështetja ime ndaj studentëve dhe mbrojtja e të drejtave të mia si pedagoge për të protestuar dhe për të qenë pjesë e organizimit sindikal të interpretoheshin si një përplasje politike.
Kam qenë në krah të studentëve që prej ditës së parë të protestës, përpara Ministrisë së Arsimit, dhe kam vazhduar t’i mbështes çdo ditë. Fillimisht kam protestuar jashtë orarit të punës. Më pas, si anëtare e sindikatës së pedagogëve, iu bashkova bojkotit të procesit mësimor.
Kam informuar studentët dhe Dekanin se pas përfundimit të protestës do të zëvendësoj çdo orë mësimore të pazhvilluar.
Sepse mbështetja e studentëve është përkushtim, jo braktisje!
Megjithatë, gjatë mbledhjes së zhvilluar në zyrën e tij, Dekani fillimisht më tërhoqi vëmendjen se institucioni nuk njihte Sindikatat, pastaj deklaroi: Të lejojmë bojkotin e mësimit, por të jesh këtu në shkollë, jo të shkosh para Ministrisë. Nëse shkon në Tiranë, do të të pres rrogën!
– Përgjigjja ime ishte e qartë: Vendin e protestës nuk ma dikton askush, as Dekani , as Rektori e as ministria.
Respektoj detyrimet e mia profesionale, por kundërshtoj çdo përpjekje për të përdorur pagën apo heqjen e lëndëve , si mjet presioni ndaj qëndrimit tim si pedagoge dhe qytetare.
Dhe historia nuk përfundoi këtu.
Gjatë mbledhjes së Departamentit, dy urdhra individualë të Dekanit, të drejtuar vetëm ndaj meje, u komunikuan verbalisht përpara të gjithë kolegëve…
Pavarësisht kërkesës sime për t’u njohur zyrtarisht me këto akte dhe për të firmosur për marrjen dijeni, dokumentacioni ende nuk më është vënë në dispozicion.
Përse duhej që masat individuale ndaj meje të komunikoheshin përpara të gjithë kolegëve, ndërkohë që nuk më dorëzohe dokumentet?
Kjo mënyrë veprimi synonte jo vetëm ndëshkimin tim, por edhe përcjelljen e mesazhit frikësues për çdo pedagog, që donte të protestonte apo të mbështeste studentët.
Duke më ndëshkuar mua përpara kolegëve, synohet të intimidohen të gjithë!
Por zhgënjimi im u thellua kur, pasi deklarova se do të ndiqja rrugët ligjore për veprimet që i konsideroj kërcënim, intimidim dhe shkelje të të drejtave të mia, një ish-pedagoge imja u shpreh:
“Këtu hamë bukë të gjithë!”
Po, këtu punojmë të gjithë! Por këtu nuk na e fal bukën askush! Ne paguhemi për punën që bëjmë, për dijen që përcjellim dhe për përgjegjësinë që mbajmë. Nuk kërkojmë lëmoshë dhe nuk ia kemi për detyrë askujt të heshtim, sepse aga nuk është dhuratë nga Dekani, Rektori apo nga ndonjë pushtetar. Është shpërblimi i ligjshëm i punës sonë.
Që kur mbrojtja e të drejtave tona u kthye në kërcënim për bukën e gojës së të tjerëve?
Dhe mbi të gjitha:
– Çfarë shembulli u japim studentëve, kur u mësojmë demokracinë, lirinë e shprehjes dhe mendimin kritik në auditor, ndërkohë që na kërkohet të heshtim kur këto vlera vihen në rrezik ?
Çdo pedagog nuk ka për detyrë vetëm të përcjellë dije. Ai edukon edhe përmes qëndrimit dhe shembullin e tij.
Jam krenare për bindjet e mia dhe për faktin që kam përfaqësuar Partinë Demokratike si kandidate për deputete në Qarkun e Gjirokastrës.
Por bindjet e mia politike nuk më bëjnë qytetare me më pak të drejta!
Nuk kam kërkuar lehtësira, për shkak të angazhimit tim politik, por nuk pranoj as trajtim diskriminues, për shkak të bindjeve të mia apo për qëndrimit tim në mbështetje të studentëve.
Nuk jam stepur përballë presioneve dhe masave, që i konsideroj arbitrare. Kam kërkuar dokumentacion zyrtar, shpjegime, transparencë, si dhe kam shprehur se do ndjek çdo rrugë ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave të mia.
Është e qartë se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me mua, por lidhet drejtpërdrejt me lirinë akademike, të drejtat sindikale dhe e dinjitetit të çdo pedagogu, aq më tepër kur studentët kërkojnë mbështetjen tonë, sepse sot mund të jem unë, nesër mund të jetë çdo pedagog që guxon të ngrejë zërin.
Universiteti duhet të formojë qytetarë të lirë, jo njerëz që struken nga frika dhe sot, më shumë se kurrë, ndërsa studentët gjenden në sheshe për të drejtat e tyre, ne duhet t’u jemi krah si pedagogë, prindër e qytetarë.
Ky është leksioni më i çmuar se çdo mësim tjetër në auditorë, që të rinjtë po i japin gjithë shoqërisë dhe institucioneve të arsimit të lartë.
Alma Buci Kore
Pedagoge, Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër


Burimi/Facebook/Sprint.al


Leave a Reply