Me shekuj na kanë vrarë, na kanë dëbuar, na kanë mohuar identitetin, na kanë asimiluar dhe janë përpjekur të na zhdukin nga trojet tona. Por historia jonë nuk u shua. Çdo plagë u bë dëshmi, çdo sakrificë u bë amanet.
Nën këtë tokë prehen mijëra e mijëra shqiptarë të pafajshëm. Në shumë vise të Ballkanit ende ka varre të pashënuara dhe familje që vazhdojnë të presin drejtësi. Kujtesa jonë nuk është thirrje për hakmarrje, por betim se e vërteta nuk do të harrohet kurrë.
Nëse më quajnë “ekstremiste” sepse kërkoj drejtësi, sepse mbroj identitetin tim kombëtar dhe sepse refuzoj të hesht për krimet e së kaluarës, atëherë le ta dinë se nuk do të hesht. Zëri im është zëri i kujtesës, i dinjitetit dhe i një populli që ka mbijetuar përkundër çdo përpjekjeje për ta zhdukur.
Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë të vërtetën, drejtësinë dhe garancinë që askund e kurrë më të mos përsëriten krime të tilla ndaj shqiptarëve apo ndaj asnjë populli tjetër.
Sepse një popull që harron të kaluarën, rrezikon ta përjetojë atë përsëri. Ndërsa ne kemi zgjedhur ta kujtojmë, të qëndrojmë krenarë dhe të mbrojmë dinjitetin tonë me çdo mjet demokratik.
Gjetjet e fundit në Zubin Potok rikujtojnë se plagët e luftës ende nuk janë mbyllur dhe se shumë familje vazhdojnë të jetojnë mes dhimbjes dhe pritjes për fatin e më të dashurve të tyre. Çdo varrezë e zbuluar është një kujtesë se krimet nuk mund të mbulohen përgjithmonë dhe se e vërteta, sado vonë, del në dritë. Autoritetet në Kosovë kanë nisur gërmime në një lokacion në Zubin Potok pas dyshimeve për një varrezë masive, ndërsa vlerësimet fillestare kanë konfirmuar se mbetjet e gjetura janë me origjinë njerëzore dhe me rëndësi për hetimet forenzike.
Nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi. Nuk ka pajtim të vërtetë pa zbardhjen e fatit të çdo të zhdukuri. Kujtesa për viktimat është detyrim moral dhe njerëzor, që krime të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply