Nga Kim Mehmeti
Parlamenti i Shqipërisë, si i vetmi në botë, jo ndonjë shërbim policor apo ushtarak, por tërë Iranin e shpalli shtet terrorist.
Ndërkohë, i njëjti parlament dhe të njëjtët deputetë – ata të PS’së – nuk pranuan ta miratojnë rezolutën që dënon gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës?!
Kryeministri i Shqipërisë shkoi deri në Izrael për t’ia shtrënguar dorën Netanyahut dhe për t’i treguar se sa krenar ndihet që qëndron pranë tij.
Me këtë, mbase deshi të dëshmojë se e ka për mision t’ua shpërlajë duart e përgjakura atyre që shumëkush i konsideron përgjegjës për vrasjen e mijëra fëmijëve të pafajshëm.
Ndërkohë, shumë politikanë serbë e maqedonas shprehin publikisht keqardhjen pse Millosheviqi nuk i shfarosi shqiptarët, apo përsërisin thënien se ‘Shqiptari i vdekur është shqiptari i mirë”, ndërsa Tirana zyrtare nuk gjen asnjë serb apo maqedonas që ta konsideronte të rrezikshëm për Shqipërinë dhe ta shpallte ‘non grata’.
Nga ana tjetër, me ritmin që po shpallen “non grata” shqiptarët që jetojnë jashtë mëmëdheut, së shpejti do të duket sikur Shqipëria është themeluar për ta mbrojtur shqiptarinë nga vetë shqiptarët, e jo nga ata që publikisht shprehin urrejtje ndaj popullit tonë.
Andaj nuk mund të mos ndihesh i mjerë si shqiptar kur sheh se edhe sot, njësoj si në kohën e Esad Pashës, Shqipërinë e banojnë shqiptarët, por politika e saj shpesh i mbron interesat e serbëve.
Ku ta dish, mbase ka ardhur koha të pranojmë se Shqipëria ndodhet në këtë gjendje edhe sepse ka elita pa dinjitet e krenari kombëtare, elita të pandjeshme ndaj fatkeqësive të vendit dhe të popullit të vet.
Siç duhet pranuar se shumëkush ende nuk e sheh se shpresa e vetme e shqiptarisë janë protestat rinore në Tiranë, se vetëm të rinjtë mund ta pastrojnë Shqipërinë nga plehu tridekadësh neokomunist.
Pleh i cili nuk përbëhet vetëm nga elitata politike që duan të hapin konzullat serbe në Shkodër, por edhe nga ato shoqërore e intelektuale që kanë pranuar të jetojnë me fytyrën e paturpësisë, nga ata që heshtin ndërsa Shqipëria kalbet dhe që shtiren sikur nuk e shohin se mëmëdheu ynë është në duart e “Aleancës së Qelbësirave”.
Ndërkohë, autori i këtij teksti ka një lutje për shërbimet sekrete të Shqipërisë: kur të më shpallni “persona non grata”, mos e zbuloni sa më kanë paguar ajatollahët e Iranit, shërbimet sekrete ruse, kineze e greke, sepse jo të gjitha paratë ua kam treguar familjarëve të mi.
Dhe ma mundësoni që edhe më tej t’i gënjejë pasardhësit e mi se edhe gabimet e mia kanë të bëjnë me bindjen se shumëçka blihet e shitet, por jo edhe dinjiteti dhe krenaria kombëtare. (Kim Mehmeti)
Burimi/Facebook


Leave a Reply