Poezi nga Anta Muçaku
Djallëzisht
Ti përherë seç më ndjell
Ca ëndrra natën zgjuar
Herë si djall e herë si dreq
Më shfaqesh përmalluar.
Jepem unë si krejt e marrë
Në marrëzinë tënde dashuri
Jep e merr, s’le gjë pa bërë
Më thua: Rradhën e ke ti!
Herë ti e herë unë,
Të dy çmendur, çmendurisht…
Dua prapë, edhe më shumë
Të dua… pak djallëzisht!
“* * *”
Kam frikë se të humbas
Ndonjë natë në të gdhirë
Mos ia brof nga shtrati
Më le ashtu… shtrirë!
Ikën majë gishtërinjve
Këmishën e tyltë veshur
Gjinjtë në të lëshuar
Vesh më vesh e qeshur!
Jashtë të pret një burrë
Një tjetër, s’jam unë…
Buzë-afruar i thua:
“Ai është në gjumë”!
Zgjohem çakërrdisur
Ta gjej ku është futur
Ti më sjell në vete
Veç me një të puthur!
“Ç’budalla burrë qenkam!”
I them vetes nën zë
Ti as këmishë s’paske
Lakuriq… Ç’kërkoj më?!
” FLU”
Do vish sonte si përherë,
Buzë-djegur mbi lëkurë,
Një çast më duhet ta them:
“Bekuar që je burrë!”
Pastaj do qesh, do qesh
Përsëri e përsëri…
Në të qeshurën time,
Zhytesh, mbytesh ti!
Kur drithmat ndjen në zemër
Zgjohesh e ngjallesh sërish!
Oh, bekuar që jam grua!
Më s’më duhesh, ta dish!
“BURRË E GRUA”
S’dua të më marrësh grua
As të përbetohesh në altar
Le të jemi gjithnjë të dashur
Të më duash si i marrë.
S’dua të më marrësh grua
Që pastaj të shkosh me tjetrën
Le të jem unë dashnorja jote,
Sot e gjithë jetën…
S’dua të të marr për burrë
E t’më dukesh krejt i huaj
Jemi mirë kështu, si thua?
Të huaj… por burrë e grua!
” KURTH”
S’më ngopet xhani kur të shoh tek’ fle
Zënkat e inatet zhduken në hiçgjë
Pamja jote prej të “forti” zbutet
E mbetet veç burri im në të…
Kur fle ti dukesh krejt tjetër njeri
Aq sa faji më pushton ngado,
Dua t’i tërheq fjalët një nga një
e vetëm të të shoh, të t’shoh…
Po s’të rezistoj dot për dreq!
Shpejt afrohem buzët t’i puth
Ti zgjohesh si i pamend
Më sheh sikur të ishte kurth.
Është “kurth” dashurie i miri im,
Njerëzia aty bie me dëshirë
Për të flenë natën vonë
E zgjohen që pagdhirë…
Leave a Reply