Marshim nga Drejtoria e Policisë Tiranë dhe te Ministria e Shëndetësisë. Kërkesë për ndërgjegjësim. 17-vjeçarja nga Berati përdhunohet në moshën 12-vjeçare, autori ende i lirë. Protestë në Shkodër, Durrës, Pogradec
Enida Vërça
Në Ditën Ndërkombëtare të 8 Marsit, gratë dhe vajzat në kryeqytet kanë zgjedhur të protestojnë, duke kërkuar plotësimin e nevojave bazë nga qeveria shqiptare. Nën moton “Protesta e zisë, Protesta e zërit”, ato e nisën marshimin e tyre nga Drejtoria e Policisë, për të shkuar më pas te Ministria e Shëndetësisë. Me pankarta të shumta në duar si: “Nuk ka arsye të festohet kur gratë vriten gjatë vitit”; “Me ty mund të ngrihemi”; “Laj enët dhe më pas nis rrobat”; “Mos hesht, raporto dhunën”; “S’duam lule, duam të drejtat”; “Sistemi po na vret çdo ditë”; ato kërkuan mbështetjen e institucioneve. Mes shumë vajzash dhe grash, u vu re 17-vjeçarja nga Berati, Erika Kordha, e cila deklaroi para mediave se është përdhunuar në moshën 12-vjeçare dhe autori i krimit është lënë i lirë. E revoltuar, ajo thotë se nuk ka asnjë arsye të festojë këtë ditë. “Jam përdhunuar në moshën 12-vjeçare, sot jam 17-vjeçe. Autori sot është i lirë sepse nuk mori dënimin e merituar. Për çfarë duhet të festoj unë sot? Ai më kërcënon sot me jetë. Gjendem në rrezik jete. Sot, unë kam frikë të dal në rrugë edhe në dyqan nuk shkoj dot”, deklaroi ajo.
Qëndresa para Ministrisë së Shëndetësisë
Për rreth dy orë, vajzat dhe nënat qëndruan para Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar prej saj trajtimin si duhet dhe në kohë reale. Migena Tomi, nënë e dy fëmijëve tha për “Shekulli”-n, se gratë po vdesin nga dita në ditë në maternitet, sepse nuk u jepet shërbimi falas. “Shumë gra nuk e kanë mundësinë e pagesës. Shumë gra kanë humbur jetën, nga mosdhënia e shërbimit në kohën e duhur. Ndaj, ne duhet të kërkojmë të drejtën tonë në institucionet përgjegjëse”, tha ajo për “Shekulli”-n. Në protestën e tyre, ato nuk lanë pa përmendur edhe vrasjen e 9 grave në 2 muajt e fundit. “Ne sot protestojmë për 9 gratë e vrara këtë vit, nga dora e meshkujve dhe paaftësia e institucioneve. Ne kërkojmë të drejtat tona dhe të mos kemi frikë për të kërkuar të drejtat tona. Të denoncojmë çdo ditë. Unë jam nënë e një djali dhe vështirësia ime më e madhe, është të edukoj djalin tim, të respektoj vajzat, në një shoqëri si kjo e jona. Edukoni djemtë të duan vajzat dhe mos i vrisni ato”, tha për “Shekulli”-n Elisabeta Mejdani.
“Këmbët e gjakosura në trotuar”
Mes thirrjesh të forta, për respektimin e figurës së gruas në vend, ato kishin përgatitur edhe disa ene të mbushura me bojë të kuqe, ku lyen këmbët dhe ecën zbathur në trotuar. “Me këtë bojë të kuqe do të lyejmë këmbët dhe do ecim në trotuar, për të mos guxuar askush t’i fshijë ato. Ne çdo ditë vazhdojmë jetën tonë normalisht, sikur asgjë nuk ka ndodhur, fëmijët tanë shkojnë nëpër shkolla. Kjo është simbolikë, që jeta nuk mund të vazhdojë teksa ne vritemi çdo ditë. Në këto tre muaj janë vrarë 9 gra dhe kjo është e pa tolerueshme. Me këtë protestë ne po tregojmë, se këtu përditë po vriten vajza dhe gra, ndërkohë që institucionet heshtin. Çdo institucion ka përgjegjësinë për të treguar, transmetuar dhe parandaluar krimin ndaj gruas. Deri më tani asgjë nuk është bërë. Gratë dhe vajzat vetëm po vriten, kështu që kjo simbolika e gjakut shkon për të gjithë institucionet, shoqërinë dhe familjen dhe të gjithë ata që heshtin ndaj dhunës ”, tha njëra prej tyre.
Gratë e “Astirit”
Sponsored by Revcontent
LAJMET MË TË LEXUAR NË COPENHAGEN
Indskudsbord, Johannes …
1 650 kr – DBA DK
Celebrities That Lost It All And Had To Work Normal Jobs
Jason Mamoa is a Gorgeous Man but Take a Look at His Wife
Gratë e “Astirit”, zgjodhën të bllokojnë rrugën kryesore për më shumë se një orë ditën e djeshme, në shenjë proteste ndaj ditës së 8 Marsit. Ato arritën të bllokojnë një autobus, i cili transportonte gra të cilat ishin nisur për të festuar. Gratë e zonës së Astirit të revoltuara kishin një mesazh për kryeministrin e vendit. “Edi Ramës dua t’i them nëse ti zotëri shkon në çdo qytet dhe u jep grave fjalën se gjoja e ke për edukatë, pse nuk vjen të na japësh fjalën se do anulosh projektin? Ka frikë”, tha një grua. Me pankarta në duar dhe thirrje të vazhdueshme, ato kërkuan anulimin e projektit të Unazës si dhe plotësimin e të drejtave të femrave në Shqipëri.
******************
Protestat
Gratë revoltë në disa qytete kundër dhunës
Në qytetin e Durrësit u mbajt dje një protestë/marshim paqësor me qëllim ndërgjegjësimin e opinionit publik mbi të drejtat e grave. “Viti 2019 hyri i përgjakur, ku vetëm në 45 ditët e para të këtij viti janë vrarë 6 gra. Këto ngjarje përbëjnë një kambanë alarmi të fortë për të gjitha ne, përsa i përket nivelit të lartë të dhunës dhe abuzimit më të cilën përballen vajzat dhe gratë shqiptare. Qyteti i Durrësit renditet i pari në rang vendi për dhunën në familje, prandaj ne duhet të bashkohemi për të luftuar këtë fenomen që vijon të jetë plagë e shoqërisë tonë dhe të sjellë viktima të panumërta. Të gjithë së bashku duhet të ngremë zërin, të mos heshtim përballë dhunës dhe të ndihmojmë ato vajza dhe gra të dalin prej errësirës ku janë futur. Ndonëse ligjet për mbrojtjen ekzistojnë, gratë dhe vajzat shqiptare nuk arrijnë ta ndjejnë këtë mbrojtje në përditshmërinë e tyre, ku dhuna në familje vazhdon ende të mos konsiderohet vepër e rëndë penale, ku drejtohen të bëjnë një denoncim dhe këshillohen të rikthehen te dhunuesi ose ku dhunuesi shkel urdhrin e mbrojtjes dhe masat ndaj tij janë të papërfillshme. Ne kërkojmë mosneglizhimin e asnjë çështjeje që ka lidhje me dhunën në familje apo abuzimin seksual, vendosjen përpara drejtësisë të dhunuesit dhe trajtim të detyrueshëm terapeutik për secilin prej tyre dhe që dinjiteti njerëzor i vajzave dhe i grave shqiptare të mos cenohet më”, tha njëra prej grave protestuese.
Gratë e Shkodrës në zi
Edhe në Shkodër, shoqëria civile dhe organizatat në mbrojtje të grave organizuan protestë. Të veshura me të zeza në shenjë zie për viktimat e dhunës, dhjetëra gra kanë protestuar në heshtje në qendër të qytetit ku shumë qytetarë i janë bashkuar kësaj nisme, ndër të cilat dhe kryetarja e bashkisë. Voltana Ademi, kryebashkiake e Shkodrës, u shpreh: “Viti 2019 ka qenë i kobshëm. Me marshimin tonë duam të rrisim sensibilitetin e të gjithëve”.
Nxënësit protestojnë në Pogradec
Protestës së zisë, përveç grave dhe shoqërisë civile i janë bashkuar edhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Pogradec. Ata kanë zgjedhur të marshojnë në bulevardin kryesor, zgjedhje kjo për të sensibilizuar opinionin publik në lidhje me dhunën që ushtrohet ndaj grave dhe vajzave. Nxënësit mbanin në duar pankarta ku tregonin dhunën dhe vrasjet në rritje ndaj femrave shqiptare ashtu siç kërkonin më tepër kujdes ndaj femrave. Pasi kanë marshuar përgjatë bulevardit kryesor të Pogradecit, janë ndalur pranë gjykatës së qytetit liqenor, aty ku edhe për organizatorët në jo pak raste kanë dhënë vendime jo të përshtatshme për dhunën dhe vrasjet e femrave. Një nga organizatoret e tubimit, Leonora Kere tregon për rastet e shumta të dhunës dhe vrasjeve në shkallë vendi por dhe në qytetin në juglindje të vendit. Në një ditë si kjo ajo ka një apel për të gjitha organet ligjzbatuese. Kjo nxënëse mban në duar një pankartë ku bën me dije se vetëm brenda një viti janë dhunuar më shumë se 156 gra, ndërkohë që vetëm muajt e parë të këtij viti janë vrarë 8 femra. Në pesë vitet e fundit në bashkinë e Pogradecit ka pasur 3 vrasje të femrave, numër i cili është më i madh në qarkun e Korçës.
Shekulli .al


Leave a Reply