Në Shqipëri mbi 100 mijë anëtarë të Partisë Demokratike janë thirrur sot që të votojnë për kryetarin e ri të katër viteve të ardhshme. Në garë janë dy kandidat, drejtuesi aktual Lulzim Basha dhe zoti Eduard Selami. Votimet në Partinë Demokratike vijnë pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 qershorit dhe janë shoqëruar me polemika të forta brenda kësaj force politike. Një grupim figurash të njohura e kanë bojkotuar procesin. Zoti Selami foli sot pasdite për parregullsi në proces, që nga prania e kryetarëve të degëve në mjediset e votimit deri te raste të shumta sipas tij të mungesës së emrave të anëtarëve në lista. Ish-kryetari Sali Berisha tha sot se partia duhet të gjejë një strategji të re, e cila theksoi ai kalon përmes bashkimit.
I pari nga kandidatët në garë që votoi në selin qëndrore të Partisë Demokratike ishte Eduard Selami. Pas votimit ai foli për një proces tejet të rëndësishëm për të ardhmen e partisë, ndërsa përsëriti dhe një herë se gara e tij me zotin Basha nuk kishte qenë e barabartë: “Unë mendoj që gara e pabarabartë nuk mund të nxjerrë një rezultat klinikisht të drejtë. Por ato çka humbas në procedura, unë e fitoj në avantazhin që ka modeli im”.
Zoti Selami megjithatë u shpreh i bindur se votimi i sotëm do ta bëjë më të bashkuar dhe do ta ringrejë Partinë Demokratike. Të njejtën bindje shprehu dhe rivali i tij, kryetari aktual Lulzim Basha: “Jam i bindur se Partia Demokratike dhe demokratët dalin nga ky proces më të fortë, më të bashkuar dhe gati për t’u kthyer në forcën e vetme që përfaqëson të ardhmen e shpresën e çdo shqiptari të ndershëm në këtë vend”.
Zoti Basha është gjendur nën kritika të forta për humbjen e zgjedhjeve të 25 qershorit por dhe për mënyrën se si u organizua procesi për zgjedhjen e kryetarit, një proces i cili është konsideruar si farsë nga një numër i konsiderueshëm figurash dhe emrash me peshë të Partisë Demokratike.
Të mbledhur mbrëmë në Tiranë ata këmbëngulën se zoti Basha nuk mund ta çojë këtë forcë politike drejt fitores, dhe i bënë thirrje demokratëve të bojkotonin procesin.
Për herë të parë sot foli për situatën e krijuar në Partinë Demokratike dhe ish kryetari i saj Sali Berisha. Ai tha se i quan të drejta të gjitha kërkesat që nga dorëheqja e zotit Basha deri të shtyrja e garës, duke saktësuar se megjithatë rregullat janë të përcaktuara nga statuti dhe procesi i zgjedhjeve sipas tij është zhvilluar në respekt të këtij statuti. Ai deklaroi se zoti Basha është përgjegjësi kryesor I humbjes, por se secili duhet të pranojë dhe pjesën e tij: “PD është në vështirësi serioze. Ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj. Por mesazhi im për miqtë e mi, është ky: Humbje fatale nuk ka, humbjet janë të hidhura e të thella. Ndaj ftoj çdo njeri që e do këtë parti, që të gjithë, që të punojmë për një strategji të re e cila e kthen PD në forcë të sigurtë të pushtetit të ardhshëm. Kjo strategji ësht plotësisht e mundshme dhe kalon përmes bashkimit”.
Zoti Berisha shtoi se në këtë vorbull kundërshtirash, duhet të bëhen të gjitha përpjekjet në radhë të parë nga kryetari i ardhshëm. Partia Demokratike shtoi ai duhet të bëjë gjithshka që të gjejë kohezionin më të madh me çdo kontribut brenda saj dhe me elektoratin që këtë herë, siç u shpreh ai, qëndroi i pandjeshëm ndaj saj.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply