Kosova votoi të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të tretat me radhë që kur vendi shpalli pavarësinë në shkurt të viti 2008.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 41.45 për qind, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2014 përqindja e votuesve ishte 42.08 për qind.
Kur janë numëruar mbi 90 për qind të votave, koalicioni i Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kryeson me 34.66 për qind, lëvizja Vetëvendosje 26.57 për qind dhe koalicioni i Lidhjes Demokratike, Aleancës Kosova e re dhe Alternativës ka 25.83 për qind.
Kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, tha se Kosova e ka kaluar sprovën me zgjedhjet e 11 qershorit dhe votuesit i kanë dhënë besimin këtij koalicioni. Në mesnatë ky koalicion kremtoi në qendër të Prishtinës.
Në festë u hodh edhe lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se është subjekti i parë politik, ndërsa Lidhja Demokratike kërkoi që të priten rezultatet zyrtare. Rezultati i lëvizjes Vetëvendosje është befasia e këtyre zgjedhjeve. Në zgjedhjet e vitit 2014 ajo kishte fituar 13.5 për qind të votave.
Mbi 1 milion e 872 mijë qytetarë me të drejtë vote ishin regjistruar për të votuar për 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare, ndërsa 971 kandidatë konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh.
Në gjithë Kosovën, qenë hapur 889 qendra të votimit, ndërsa procesi u ndoq nga 29 mijë e 264 vëzhgues, nga subjektet politike, Bashkimi Evropian, ambasadat dhe organizatat joqeveritare vendase.
Organizatat jo qeveritare që merren me vëzhgimin e zgjedhjeve thanë ndërkaq se gjatë procesit të votimit janë regjistruar parregullsi të ndryshme, të cilat megjithatë nuk ndikojnë në proces.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, e cilësoi ditën e sotme një hap të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Ai përgëzoi qytetarët në një postim në rrjetin social twitter, duke nënvizuar se “pavarësisht rezultateve përfundimtare, sfidat Pa marrë parasysh numrin përfundimtar të votave, sfidat dhe mundësitë mbeten. Qëllimi i përbashkët dhe jo politika duhet të jetë qëllimi për Kosovën”, theksoi ai.
Burimi/Zeri i Amerikes


Leave a Reply