![]()
Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi kërkoi sot sqarime dhe llogari nga PDSH për siç tha ai rreshtimin antikombëtar të kësaj partie.
Më poshtë vijon konferenca e plotë e sekretarit dhe shefit të shtabit të BDI-së:
Në vazhdën e aleancave të dyshimta, bërë pas kulisash, PDSH dhe Menduh Thaçi zgjodhën për faqe të zezë të rrezikojnë edhe një tjetër proces gjithëshqiptar. Duke votuar “e përmbajtur” në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, kjo parti na tha hapur se, për shqiptarët në Maqedoni, jo e jo, por nuk i bëhet vonë as për dhjetëra mijëra mërgimtarë shqiptarë. Vota “e përmbajtur” e saj, që është në fakt një “PO” për ruajtjen e biznesit personal dhe një “JO” për shqiptarët, legalizoi mbi 450 votues të Pustecit, që në zgjedhjet e 27 prillit do të votojnë kundër deputetit të mërgatës shqiptare.
BDI ju përcjell sot përmes kësaj konference, përbuzjen më të thellë të çdo shqiptari kudo që jeton, ndaj këtij turpi të PDSH-së dhe të Menduh Thaçit. Me këtë vendim, ky i fundit mund t’i ketë siguruar vetes dhe biznesit familjar edhe një ditë më shumë komoditet, por ka humbur përgjithmonë dhe atë besim minimal që shqiptarët mund t’ia kenë falur.
Për të sqaruar opinionin, ne pyesim publikisht PDSH-në dhe kreun e saj, nëse kjo votë në KSHZ është njëlloj si dhe kandidimi për president, pjesë e marrëveshjes për “Interpromet”-in?
PDSH mund të bëjë kurban Iljaz Halimin dhe cilindo zyrtar të saj që pranon të jetë i tillë, por nuk guxon, sepse do të rëndohet rëndë, të flijojë interesat kombëtare të një mërgate të tërë shqiptarësh, për interesat biznesore të Menduh Thaçit.
Për të mos u mjaftuar me kaq, sikur turpi të mos kishte kufi, kreu i PDSH-së do të dilte në një konferencë për shtyp, për t’u treguar publikisht shqiptarëve se, ç’është në gjendje të bëjë për të ruajtur bizneset e tij. E duke iu vërsulur gazetarit shqiptar, e gjithë bota pa dhe u bind edhe një herë se, deri ku mund të arrijë gatishmëria e tij, kur gjërat s’i shkojnë mbarë, për të dhunuar demokracinë dhe mediat. Në fund, duam të parashtrojmë edhe një herë pyetjet që bën sot çdo shqiptar: A është e vërtetë se, rreth 70% e pronës shtetërore që kishte dikur Tetova, sot është pronë e familjes Thaçi dhe e farefisit të tij? Dhe, si e privatizoi Menduh Thaçi këtë pronë që është krijuar në dekada, me mundin dhe me djersën e shqiptarëve dhe të tetovarëve? Qytetarët presin përgjigje!. (INA)


Leave a Reply