Diaspora e Maqedonisë për herë të dytë voton për zgjedhjet parlamentare, pas atyre të vitit 2011
Për zgjedhjet e parakohshme regjistrimi i të gjithë qytetarëve në diasporë do të vazhdojë deri më 30 mars 2014.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ), por edhe partitë politike kanë bërë thirrje që diaspora të regjistrohet dhe të shfrytëzojë të drejtën e votës për zgjedhjen e tre deputetëve në diasporë.
Të gjithë të interesuarit duhet të regjistrohen në përfaqësinë më të afërt diplomatike, apo të shkarkojnë formularin e regjistrimit nga faqja zyrtare e KSHZ-së, www.sec.mk.
Në tri zona zgjedhore do të zgjidhet nga një deputet, por pritet të jetë një garë e ngushtë mes partive shqiptare dhe maqedonase, për shkak të numrit të vogël të votuesve dhe të atyre që janë të interesuar për të votuar.
Në Evropë kandidatët e tyre kanë promovuar vetëm dy partitë shqiptare, BDI dhe RDK.
Ismail Beluli, biznesmeni gostivaras që jeton dhe punon në Zvicër, do të garojë me emblemën e BDI-së, derisa RDK e Rufi Osmanit ka kandiduar Enver Osmanin, një punëtor social në Zvicër, i cili gjithashtu është me origjinë nga Gostivari.
Sipas Kodit zgjedhor, në diasporë do të zgjidhen 3 deputetë në tri njësi zgjedhore, të caktuara në diasporë. Njëri deputet do të zgjidhet në Evropë, i dyti në Amerikë dhe i treti në Australi dhe Afrikë.
Shtetasit e Maqedonisë jashtë vendit do të votojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare një ditë para zgjedhjeve në vend, më 26 prill.
Partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE, kishte fituar në zgjedhjet e fundit të vitit 2011 që të tre deputetët në diasporë.
Nga KSHZ bëhet e ditur se vetëm rreth 8.300 qytetarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit janë regjistruar për të votuar për zgjedhjet presidenciale.
Në video do të gjeni një udhëzim praktik se si duhet regjistruar për votim në Zgjedhjet Parlamentare 2014 nga Diaspora.
..
albinfo.ch


Leave a Reply