
Klajdi Musabelliu
Samanta Karavella dhe Kledi Bahiti
Tiranë, 19 Shkurt/ATSH-Klajdi Musabelliu/- Samanta Karavella ishte 6 vjeç kur u duartrokit për herë të parë në një festival fëmijësh dhe prej asaj periudhe nuk i është ndarë më skenës.
E lindur në Tiranë në 9 korrik 1990, këngëtarja 24 vjeçare tregon në një një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare eksperiencat e saj nga debutimi i pare me “Këngën e nënës” e deri tek i fundit, “Më Jeto”, një bashkëpunim me kompozitorin e talentuar Kledi Bahiti dhe autorin e teksteve Olti Curri, e cila edhe pse nuk ka kaluar një muaj nga publikimi në youtube (Kliko këtu) ka arritur në 120 mije e 997 klikime.
Tregon gjithçka, arritjet e sfidat, me një sinqeritet që karakterizon natyrën e saj e që i shton edhe më shumë vlera personalitetit si artiste…!
Si lindi ideja e bashkëpunimit për këngën “Më Jeto”?
Kënga “Më jeto” në fakt lindi në kohën kur fitova Top Fest 10, vitin e kaluar. Kledi ishte ende duke e krijuar këtë material dhe unë e dëgjova fare rastësisht, në studion e tij. Edhe pse ende pa tekst, melodia më rrëmbeu dhe më emocionoi shumë. Nisa të këndoja “na na na”, sikurse bëjmë ne këngëtarët në raste të tilla, pra kur dëgjojmë një melodi. Kledi e konstatoi frymëzimin tim, e më pyeti: Je gati për një bashkëpunim? Kështu lindi bashkëpunimi e kënga “Më jeto”.
Me Kledin njiheni e bashkëpunoni prej kohësh, që kur ishit një grup muzikor dhe performonit Live në klube të ndryshme në Shqipëri, Kleidi në organo dhe ju si këngëtare. Tani shfaqeni në një duet si këngëtarë…

Samanta Karavella
Gjithmonë kam dashur që Kledi të këndonte, që në atë periudhë kur ne ishim pjesë e një grupi, në vitin 2007. I kam propozuar vazhdimisht të këndonim bashkë “Everything Burns(Ben Moody & Anastacia). Pavarësisht se më thoshte se do ta këndojmë natën tjetër, asnjëherë nuk e realizuam një duet të tillë… Megjithatë, më vjen mire që jam nismëtarja, nxitësja e parë për Kledin këngëtar.
Domethënë të janë dashur 7 vite kohë për t’i mbushur mendjen Kledit që të këndonte një duet me ty?
(Qesh)… Nuk është se insistova aq shumë, por kuptova që kur s’po e përsërisja më kërkesë time, aty Kledit filloi t’i pëlqejë vetë ideja (qesh përsëri)… Me pak fjalë, ky ishte një bashkëpunim që e kam dashur prej kohësh, por që erdhi në momentin e duhur dhe me një mesazh të fortë.
Po ju vetë sa e keni e përjetuar këngën “Më Jeto”?
Sigurisht që edhe me tekstin e Olti Currit, i cili i dha një tjetër dimension këngës, nuk kisha se si mos ta jetoja e përjetoja këngën. Shatngëm kur lexuam tekstin e tij, bashkë me Kledin! Është një tekst i fortë emocionalisht dhe shumë i vërtetë. Sigurisht që përcjell edhe një mesazh, dhe si i tillë është një tekst që duhej jetuar. Në rastin e kësaj këngë, e këtij teksti, kam hasur pak vështirësi për ta përballuar emocionin që më dhuronte. Sa here shkoja në studio i kërkoja Kledit ta rikëndoja, sepse jam një natyrë shumë kërkuese dhe me materialin në fjalë doja të jepja më shumë se 100% nga vetja.
Ka dhënë kënga impaktin që ju prisnit?
Jam e kënaqur jo vetëm me realizimin e saj, por pikërisht edhe për impaktin që ka dhënë dhe që është pasqyruar më së miri nëpër blogje të ndryshme në internet, sikurse edhe në radio, apo televizione. Komentet e menjëhershme në youtube, por jo vetëm, i kam përjetuar si një gëzim të madh, sepse edhe vetë publiku e ka përjetuar këngën njësoj si ne.
Mendon se “Më jeto” është këngë më e suksesshme se ajo e Top Fest 10, ku ju fituat çmimin e parë?
Nuk më pëlqen t’i krahasoj këngët e mia me njëra- tjetrën, sepse mendoj se të gjitha janë të veçanta, të ndryshme, e të bukura. Edhe mesazhet që përcjellin, nuk janë të njëjta. Të dyja janë mjaft të bukura, dhe mjaft të vërteta.
Mos ndoshta edhe këngën Top Fest 10 e ke pasur dedikim personal?
(Qesh) Nuk mund të them personale, apo dedikim por që e kam ndier dhe trajtuar si të tillë.
Do të thotë që nuk ja keni dedikuar akujt, thjesht e keni interpretuar?
(Qesh) Jam mëse e sigurtë!

Samanta Karavella
Si e kujtoni daljen tuaj të parë në publik?
Kam qënë fare e vogël, 6 vjeç, dhe kam kënduar atë këngën e bukur (këndon) “S’ka në botë më të mire, sesa ti moj nëna ime” në TVSH. Më pas në, moshën 9 vjeç, në Estradën e Tiranës, e pastaj erdhën “Ethet” , në moshën 13 vjeç.
Mos do të thotë kjo se ka pasur ndonjë një person që ju ka zbuluar që në atë moshë e ju ka nixitur apo mbështetur në karrierën tuaj?
Sigurisht që ka pasur një person mjaft të dashur për mua, i cili më ka zbuluar, mbështetur që në atë moshë. Ai ka qënë aktori I mirënjohur i Estradës së Ushtarit, Stefan Prifti, daja i babait tim, i cili fatkeqësisht nuk jeton më. Ai ishte ndër të parët që më mësoi me skenën, më mbajti afër duke më aktivizuar nëpër koncerte të ndryshme, jo vetëm si këngëtare, por edhe si prezantuese. Ai më mësoi të performojë… Me pak fjalë Stefan Prifti ishte mjaft i rëndësishëm pë mua dhe që më edukoi me skenën. Arritjet në karrierën time, janë edhe falë tij.
Kjo do të thotë se ju jeni një talent që keni gjetur mbështetje?
Sigurisht! Me sa ju tregova dhe më parë, leksionet dhe suportin e kam pasur që fëmijë. Madje, edhe shpërblehesha për punën time. Kujtoj se merrja 10 mijë lekë për çdo koncert (qesh). Kam bërë goxha lekë që 6 vjeç (qesh). Ishin shumë për mua në atë moshë, sa i thoja mamit se kur të rritem do t’ia u dhuroja fëmijëve jetimë e në nevojë! Do të bëja bamirësi e do t’i blija mamit lule!
Ndërkohë ju vazhdoni edhe studimet e larta për marrëdhënie me publikun… Natyrshëm më lind pyetja se ku e gjeni kohën për shkollën, detyrat, provimet, duke pasur parasysh se jeni mjaft e kërkuar për koncerte jo vetëm në Shqipëri Kosova apo Maqedoni, por kudo në botë, ku jetojnë shqiptarë?
(Qesh) Shkolla i mbështet personazhet publikë. Normalisht që stafi u UET më ka mbështetur mjaft dhe dua t’i falenderoj sepse më kanë lejuar që t’i bëjë të dyja paralelisht. Besoj se mbas diplomimit do t’i futem menjëherë edhe profesionit që po studioj dhe sigurisht do t’i bëjë dashmirësit të ndihen krenarë me mua, jo vetëm si këngëtare.
Duke marrë pak spunto nga kjo koha gri, do të doja t’ju pyes nëse ju pëlqen më shumë shiu apo dielli?
Preferoj më shumë diellin, sepse kur është kjo koha kështu, s’më dilet nga shtëpia!
Domethënë nuk bëni pjesë tek ata artistë të cilët frymëzohen nga shiu?
Nuk thash se nuk e dua shiun, përkundrazi, kur duhet të shkojë në studio (regjistrim) edhe unë do doja të binte shi, sepse më shton melankoninë, romanticitetin, por jo kur më duhet të shkojë në shkollë(qesh). Duke qënë se i përkas shenjës së gaforres në horoskop, preferoj edhe detin.
Ju ç’lloj gaforre jeni aktualisht: Gaforre Single (beqare), Gaforre Engaged (e fejuar), Gaforre Separated (e ndarë), apo Gaforre in a relationship (e lidhur)?
(qesh) Jam gaforre fare, domethënë beqare fare
Duhet besuar kjo e fundit?
Duhet besuar për faktin se ne gaforret karakterizohemi nga çiltërsia e sinqeriteti (qesh). Në që merremi me art e kemi pakëz më të vështirë të gjejmë personin që na do, kupton, toleron, mbështet… (qesh)
Ideal do të ishte që edhe gjysma juaj të jetë artist pra?
Jo, kjo e fundit nuk ka aspak rëndësi. Rëndësi ka ajo çfarë thash pak më lart, të më dojë, respektojë, mbështesë… Për këtë kam nevojë!
Ju kanë munguar “kandidatët” me këto cilësi?
(Qesh). Jo jo, kandidatë ka, por unë s’e ndaj mëndjen (qesh)
Kjo do të thotë se keni kohë të lirë! Atëherë si e kaloni?
Normalisht me shoqërinë time, familjen, të afërmit. Si gjitëh të rinjtë, edhe në kafe me muhabetet e gocave!
Edhe ndonjë thashethem të vogël?
Po deri diku…
Kafen e pini turke?
(Qesh) Turke e pi me mamin në shtëpi…
Keni parë ndonjë kryq, a ndonjë 5 plotësim dëshire…?
(Qesh) Jo. Nuk e lë mamin të ma shohë filxhanin! Pastaj edhe vetë nuk u beson këtyre gjërave. Ti e ke fatin përpara më thotë. Jo se nuk do më pëlqente të shkoja tek ndonjë fallxhore, por kur e mendoj s’e di pse kam shumë frikë (qesh)

Samanta Karavella & Klajdi Musabelliu në Këngët e Shekullit
Marrëdhëniet me fansat…? Ju marrin në telefon? Ju ngacmojnë me numra të fshehur? Sa ngacimime në ditë merrni në Facebook?
Jo më larg se mbrëmë po shihja mesazhet që më kishin ardhur për videon e fundit.. Komplimente, urime… Duke qënë se i kisha lënë pak si pas dore, fillova t’u përgjigjesha të gjithëve, duke i falenderuar, sepse edhe një mesazh fare i vogël të bënë të ndihesh shumë mirë. Është më e pakta që mund të bëj! Ata janë pjesa më e bukur e çdo dite!
Po ndonjë admirues sekret, të tipit letra anonime, lule, dhurata?
Të them të drejtën ka disa (qesh)
Po ndonjë prej tyre e keni takuar personalisht? A ju ka ftuar për kafe?
Kur më ftojnë për kafe u them se nuk mundem, sepse kafen e pi me mamin (qesh)
Për ta mbyllur, mund të tregoni diçka për projektin e radhës?
Besoj se ka kohë për projektin e radhës, sepse është ende e freskët kënga “Më jeto”…!
/k.sh/
ata.gov.al


Leave a Reply