
LONDER-Amarildo Gjonluli, është njëri prej 2 vëllezërve të mitur që nuk ka parë dritën e diellit jashtë banesës së tij që prej ditës që ka lindur. Shkaku? Gjakmarrja. Britanikja ‘Telegraph’ i ka dhënë hapësirë plagës së vjetër ende të madhe shqiptare duke e pasqyruar me një foto prekëse ku Amarildo qëndron pas mureve të shtëpisë duke parë jashtë dritares.
“Amarlido është 9 vjeç, kurse vëllai i tij, 12 vjeç. Të dy nuk e kanë lënë kurrë shtëpinë e tyre nga frika se do t’i vrasë gjakësi. Ata nuk dalin dot të luajnë jashtë shtëpisë, nuk shkojnë dot në shkollë. Ata janë të burgosurit e mureve të shtëpisë së tyre për shkak të një vrasje në vitin 1993.
Xhaxhai i tyre vrau një fqinj dhe u burgos me 25 vjet burg. Por familja e viktimës nuk e fal gjakun e të vrarit, pavarëisht dënimit që iu dha autorit.
“Jashtë na pret vdekja”, pëshpërit Amarildo që edhe pse 9 vjeç i ka tepër të qarta konceptet e vrasjes, gjakmarrjes. Ëndrra e tij e vetme? Do të çuditeshit. “Të kishte të bënte një lojë me top në fushë me vëllain, mikun e vetëm që vuan njësoj si vëllackoja.
Gjakmarrja, kjo plagë e vjetër dhe e stërmundimshme në veri të vendit mban peng dhe jetën e fëmijëve. Nuk janë të paktë fëmijët, të cilët janë vrarë për të marrë hakun e një vrasje, vite më parë. Në Shqipëri janë plot 611 fëmijë të moshave nga 7-18 vjeç nuk kanë mundësi të ulen në bankat e shkollës për shkak të frikës nga gjakmarrja.
Të dhënat bëhen publike nga Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar.
Sipas të dhënave që disponon Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, aktualisht numërohen 1208 familje të ngujuara. Gjatë vitit 2012, ekspedita liroi nga ngujimi 308 familje që e zgjidhën hasmërinë me pajtim, 45 prej të cilave pranuan t’ia lënë çështjen drejtësisë pa asnjë pretendim.
Për fëmijët e ngujuar, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka aplikuar një projekt, që parashikon dërgimin e mësuesve nëpër banesa dhe zhvillimin e disa prej lëndëve më kryesore. Por, këto projekte cilësohen si të padobishme nga kreu i Komitetit të Pajtimit Mbarë-kombëtar, pasi sipas tij, ato janë të fokusuara vetëm në Shkodër e jo në rrethe të tjera.
Burimi: Balkanweb
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply