Ish-imami i xhamisë së Medresesë, z.Lulzim Plloçi, tashmë me detyrën e imamit të xhamisë së re në zonën e ish-restorant Durrësit, flet për herë të parë pas pushimit të akuzave ndaj tij. Tashmë që çështja u mbyll në favorin e tij nga drejtësia dhe është shuar vendimi që e ndalonte të frekuentonte xhaminë e Medresesë, Plloçi tregon përballjen me kundërshtarët e tij në krye të komunitetit mysliman. Për rreth pesë muaj u ndalua nga Gjykata e Tiranës të hynte apo edhe të kryente ritet fetare së bashku me besimtarët e tjerë te Medreseja. Në këtë intervistë, ai akuzon Komunitetin Mysliman Shqiptar, se përfshiu në këtë çështje administrative strukturat e Anti-terrorit pranë Policisë së Shtetit, për ta larguar nga drejtimi i xhamisë së Medresesë. Gjithashtu, ai flet edhe për filmin e fundit të cilësuar si “anti – islam”, për të cilin, sipas tij, Komunitetit Mysliman Shqiptar duhet që të reagojë. z.Plloçi, sa vite keni qenë imam në xhamin e Medresesë. Pse ju shkarkoi Komuniteti Mysliman nga kjo detyrë? Unë kam shërbyer për 10 vjet si imam në xhaminë e Medresesë, konkretisht që nga 10 janari i vitit 2002. Në fillim vendimi ka qenë për një “lirim nga detyra, vënien në dispozicion deri në një urdhër të dytë”. Unë e kundërshtova këtë vendim duke kërkuar se cili ishte motivi i këtij vendimi dhe gjithashtu edhe besimtarët që falen në këtë xhami kanë kërkuar arsyen e këtij lirimi. Më pas ka ardhur një shkresë ku më kërkohej të “mos e uzurpoja institucionin dhe të mos pengoja imamin e ri në marrjen e detyrës” të cilin unë nuk e kam penguar, por kanë qenë besimtarët ata që kanë deklaruar se nuk do të pranojnë që ai t’i drejtojë gjatë faljeve pa u sqaruar situata. Mendoj se ky shkarkim ka ardhur si rezultat i kalimit të administrimit dhe drejtimit të xhamisë nga Myftinia e Tiranës tek stafi i Medresesë në drejtimin e fondacionit “Sema”. Kështu, mua dhe hatibin e xhamisë na zëvendësuan me profesorin e lëndës së mësimit të besimit në Medrese, imamin e ri Lauren Luli. Me argumentimin e këtij shkarkimi, jeni njohur ndonjëherë, pasi ju kanë akuzuarsi nxitës të konflikteve në këtë xhami? Jo, nuk jam njohur ndonjëherë, ju thashë edhe më lart: në fillim ka ardhur vendim për lirim nga detyra dhe pas refuzimit dhe kërkimit të shpjegimit për këtë ka ardhur edhe shkarkimi. Ne fakt, unë dhe kolegu im, hatibi i xhamisë, që nga fillimi i këtij debati apo konflikti administrativ do të thoja, kemi këshilluar që çdo reagim të jetë kundrejt normave fetare dhe qytetare dhe se kjo ishte një e drejtë për të marrë shpjegime për këtë vendim të cilat nuk na u dhanë ndonjëherë. Ju jeni akuzuar se keni nxitur besimtarët e xhamisë që të mos lejojnë imamin që ju zëvendësoi të ushtrojë detyrën e tij? Në fakt, nuk është e vërtetë që unë kam nxitur besimtarët e xhamisë që të mos lejojnë imamin e ri të ushtrojë detyrën, por kanë qenë vetë besimtarët të cilët e kanë deklaruar këtë me anë të shkresave drejtuar Komunitetit Mysliman Shqiptar, si edhe me anë të një peticioni. Zyrtar të Komunitetit Mysliman, ju akuzojnë se jeni ekstremist dhe radikal, sa qëndrojnë këto pretendime? Nuk janë aspak të vërteta dhe i konsideroj shpifje të cilat meritojnë të dënohen publikisht, moralisht edhe ligjërisht, por për hir të imazhit të fesë dhe të institucionit që më përfaqëson dhe për të cilin unë kam punuar për 10 vite nuk kam ndërmend të merrem me këto shpifje pasi është puna ime. Besimtarët e asaj xhamie, banorët e asaj zone dhe të gjithë ata që më njohin se kush jam unë dhe se sa ekstremist dhe radikal jam unë. Kjo është një formë e shpifur për të tërhequr vëmendjen, të bërit presion si dhe zhvendosjen nga thelbi i çështjes si dhe implikimin e strukturave të policisë apo anti-terrorit në këtë çështje administrative institucionale. Pas kallëzimit në prokurori nga imami Lauren Luli, prokuroria me vendim të Gjykatës së Tiranës, ka urdhëruar ndalimin e qëndrimit tuaj në xhamin e Medresesë dhe të mos ushtroj ritet fetare në këtë xhami, sa e keni respektuar këtë vendim? Unë e kam respektuar menjëherë vendimin e gjykatës, gjë të cilën e kam deklaruaredhe publikisht në media. Me vendim të prokurorisë, ky vendim është pushuar dhe akuzat ndaj jush janë rrëzuar, si ndihesh tani dhe ku ushtroni ritet fetare që pas shkarkimit, në cilën xhami? Gjatë ditëve të masës së sigurisë i kam kryer ritualet në xhamit e tjera po pjesën më të madhe të tyre me anëtarët e familjes pasi edhe ata i falen Zotit, janë praktikantë, kështu që në një farë mënyre “kjo masë” shërbeu edhe si një mundësi për të qenë më tepër bashkë me familjen. Normalisht, me pushimin e masës së sigurisë nga prokuroria ndihem i qetë dhe plot bindje se drejtësia vonon, por nuk harron dhe që në një farë mënyre vërteton tashmë faktin se nuk kam qenë unë ai që e ka penguar imamin e ri, por vetë besimtarët. Aktualisht ritet fetare i ushtroj përsëri si imam në ambientet e xhamisë së re, të sapohapur dhe të njohur zyrtarisht nga Komuniteti Musliman Shqiptar në zonën e ish-restorant Durrësit, që në fillimin e muajt të Ramazanit të këtij viti, e që “inshallah” do të pasohet me ndërtimin e një xhamie te re në zonën e njësisë bashkiake nr.8, gjë për të cilën kemi hyrë në bisedime edhe me Bashkinë e Tiranës. Prej disa ditëve, po qarkullon në media një film amerikan me titull “Innocence of Muslims”, (pafajësia e myslimanëve), që është cilësuar si “antiislam”, film i cili ka shkaktuar trazira në mbarë komunitetin mysliman. Në Shqipëri nuk ka reagim, përveç një deklarate nga myftiu i Shkodrës. Ju çfarë qëndrimi mbani? E kam ndjekur qëndrimin e myftiut të Shkodrës dhe ndaj të njëjtin shqetësim dhe qëndrim me të. Edhe pse do të doja që një reagim i tille të vinte më parë nga vetë institucioni që i përfaqëson besimtarët myslimanë shqiptarë, Komunitetit Mysliman Shqiptar. Jam kundër prodhimit, shfaqjes apo promovimit të këtij filmi, jo vetëm për faktin se ai ka të bëjë me ofendimin apo deformimin e figurës së profetit Muhamed, por me vetë frymën që ai përcjell, dhe me shkeljen e personalitetit dhe shpifjeve ndaj individit, të dënuara këto me ligje dhe Konventa Ndërkombëtare. Sigurisht që jam kundër përdorjes së çdo forme të dhunës si mënyrë reagimi ndaj këtij filmi dhe gjej rastin t’u sugjeroj të gjithë besimtarëve dhe qytetarëve shqiptarë, jo vetëm që të lexojmë, të mësojmë më tepër rreth figurës së profetit Muhamed, por edhe të informojmë të tjerët si forma më e mirë e reagimit.
Pushohet akuza ndaj imamit Plloçi
Prokurorisë së Tiranës iu deshën më shumë se tre muaj kohë për të provuar se ish-imami i xhamisë së Medresesë, z.Lulzim Plloçi është i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tij nga imami i emëruar në këtë xhami dhe Komuniteti Mysliman. Imami Plloçi është cilësuar në media dhe nga bashkësia islame nën zë, si “ekstremist”, “radikal i fesë islame” apo edhe deri tek dyshimet për “terrorizëm”. Imami u fut në rreth nga anti terrori menjëherë pas denoncimeve të Komunitetit Mysliman. Kështu, ai është marrë në pyetje disa herë nga efektivëte anti-terrorit pranë Policisë së Shtetit. Plloçi tashmë ushtron aktivitetin e tij të zakonshëm në xhaminë, të cilën e ka ndërtuar me ndihmën e besimtarëve dhe organizatave bamirëse. Sipas vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Plloçit, të firmosur nga prokurori i çështjes, në adresë të imamit janë ngritur disa akuza, fillimisht nga imami i emëruar në xhamin e Medresesë, z.Lauren Luli dhe më pas nga bashkësisë islame në Tiranë. Por, sipas prokurorisë, nga hetimet e kryera dhe marrjen në pyetje të personave dëshmitarë, ka rezultuar se në asnjë moment nuk është ushtruar dhunë nga besimtarët ndaj kallëzuesit si dhe marrëdhëniet mes tyre ishin rregulluar.
Imami “i rrezikshëm”, Gjykata: “Të mos hyjë në xhami”
Gjykata e Tiranës me kërkesë të prokurorisë, në maj të 2012-s, ka vendosur ndalimin e imamit Lulzim Plloçi që të qëndrojë pranë xhamisë së Medresesë dhe ka urdhëruar ndalimin e ushtrimit të riteve fetare në këtë xhami. Sipas këtij vendimi, të paprecedentë, imami Plloçi, është urdhëruar të mos i afrohet xhamisë së Medresesë për shkak të kallëzimit penal nga imami i ri i kësaj xhamie. Kallëzim ky që tashmë është pushuar dhe që imami Plloçi lejohet të ushtrojë besimin e tij fetar në çdo xhami në kryeqytet, duke mos përjashtuar tashmë edhe xhaminë e Medresesë. Vendimi Më 5 maj të këtij viti prokurori i çështjes i është drejtuar gjyqtarit të gatshëm të masave, duke i kërkuar caktimin e masës së sigurimit personal “Ndalimin dhe detyrimin e qëndrimit në një vend të caktuar” në mungesë ndaj shtetasit Lulzim Plloçi. “Me datë 27 shkurt 2012, jam emëruar nga Komuniteti Mysliman me detyrën e imamit në xhamin e Medresesë dhe këtë vendim ia kam bërë të ditur imamit Lulzim Plloçi, i cili nuk ka pranuar të lirojë detyrën, duke mos më lejuar të ushtroj ritet fetare. Po të njëjtën skenë, por, tashmë me dhunë, imami Lulzim Plloçi e ka përsëritur më datë 24 prill 2012, kur me ndihmëne tre besimtarëve të tjerë më ka nxjerrë forcërisht nga xhamia”, – thuhet në vendimin e gjykatës. Ankimi Ky vendim, në atë kohë është ankimuar pranë Gjykatës së Apelit nga avokati Bledar Skënderi, por, edhe kjo gjykatë e ka lënë në fuqi masën ndaj imamit Plloçi. Për këtë verdikt nuk kanë qenë dakord disa nga besimtarët e kësaj xhamie, të cilët kanë firmosur në atë kohë një peticion, ku i kërkohet nga Komuniteti Mysliman mos largimin e imamit Plloçi. Peticioni është shoqëruar edhe me disa protesta para xhamisë së Medresesë nga besimtarët, por, Komuniteti Mysliman nuk ka ndryshuar vendimin e tij. Vetë, imami Plloçi, në deklarimet e dhëna në prokurori, në asnjë rast nuk ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj imamit të ri apo të ketë nxitur besimtarët për një veprim të tillë. “Jam njohur me vendimin e zëvendësimit tim dhe e kam pranuar. Më është kërkuar nga ana e besimtarëve që të drejtoj faljet që ata bëjnë dhe e kam bërë këtë detyrë edhe pas zëvendësimit, kjo sepse besimtarët nuk pranonin imamin e ri. Kështu ka ndodhur edhe ditën e premte, kur imami i ri pretendon se është nxjerrë me forcë nga xhamia”, – ka thënë Plloçi para prokurorisë.
Ambasada SHBA-së interesohej për Imamin
fektivët e sektorit të anti-terrorit e kanë shoqëruar imamin Lulzim Plloçi disa herë në polici, duke e marrë në pyetje për aktivitetin e tij fetar dhe punën me besimtarët myslimanë. Kjo për faktin, se disa persona zyrtarë pranë Komunitetit Mysliman, e akuzonin imamin Plloçi se ishte një besimtar radikal i fesë islame dhe kishte shenja ekstremizmi. Një gjë e tillë, është mohuar gjithmonë nga vetë imami dhe besimtarët ndjekës të tij. Por, me marrjen e dosjes në hetim nga prokuroria e Tiranës, për veprën penale të “pengimit të veprimtarive të organizatave fetare”, mësohet se ka qenë edhe Ambasada e SHBAsë në Tiranë, e cila është interesuar për çështjen në fjalë. Zyrtarisht, asnjë drejtues i institucionit të akuzës, nuk e pranon një fakt të tillë, të interesimit të ambasadës amerikane për çështjen, por, jo zyrtarisht ky fakt pranohet. Ky interesim, mësohet se ka ardhur pasi drejtues të Komunitetit Mysliman, e identifikonin imamin Plloçi si pjesë e një grupi njerëzish, që duan të marrin drejtimin e kësaj bashkësie për të futur frymën ekstreme të islamizmit.
Flamur Vezaj
Shekulli
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani
Leave a Reply