Të nderuar oficerë policie të shtetit shqiptar,
Unë që ju shkruaj jam një qytetar i këtij vendi, i cili deri para 9 muajsh nuk ka pasur asnjë kontakt me institucionin ku ju shërbeni, përtej formalitetit të marrjes së pasaportës. Një qytetar që, për t’ju thënë të drejtën, as nuk ka pasur ndonjë mirënjohje të veçantë për rolin tuaj në shoqëri, më së shumti prej faktit se u rrita në një qytet në të cilin edhe sot policia ka një rol dekorativ dhe formal.
Por në momentin që vendosa të angazhohem në politikë, nisa të lexoja dhe të informohesha mbi rolin e institucioneve të një shteti. E duke lexuar mëson nga Max Weber, se shteti përkufizohet përmes monopolit të përdorimit legjitim të forcës fizike brenda një territori. E nëse kushtetuta dhe kufijtë janë koncepte juridike të vendosura në letër, policia është ajo që e kthen shtetin në një realitet të prekshëm përmes fuqisë dhe legjitimitetit për të ushtruar dhunë dhe për t’i hequr lirinë kujtdo që e vë në diskutim rendin kushtetues brenda një territori të caktuar.
Më 14 shtator 2026, ditën e parë të shkollës, të gjithë pamë në video një oficer policie, i cili godiste me grusht një qytetar që ishte i mbërthyer prej krahësh nga kolegët e tij. I riu po protestonte dhe krimi i tij, në mendjen e ngushtë të atij individi me uniformë, ishte rezistenca. Pra, fakti se një qytetar reziston për të ushtruar të drejtën e protestës që i jep Kushtetuta, këtë halabak me uniformë e pështjellon aq shumë, sa ka nevojë ta godasë edhe kur rezistenca e tij ka ndaluar.
Populli ynë ka një shprehje: Nuk ka pyll pa derra. Kjo letër nuk i adresohet as këtij derrit të fundit, as një derri tjetër, i cili shkelmonte vajza në protestën e nisur në dhjetor të vitit 2025, e as atyre derrave me grada që tradhtojnë policinë dhe shtetin shqiptar duke u bërë pjesë e krimit të organizuar.
Kjo letër ju adresohet juve, shumicës dërrmuese të Policisë së Shtetit, që, kur keni thënë: “Unë betohem që besnikërisht do të kryej detyrat e mia, do të zbatoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë me ndershmëri dhe paanshmëri gjatë gjithë kohës”, keni ndier diçka. Dikush më shumë apo dikush më pak, e keni kuptuar se kjo detyrë ka diçka ndryshe.
Një përgjegjësi ekstra, e cila, përtej rrogës që çdo burrë e grua duhet të çojë në shtëpi, kërkon një përkushtim për të mbrojtur rendin e përbashkët në funksion të së mirës së përbashkët. Një detyrë që ka një uniformë, mbi të cilën vendosen simbolet e kombit dhe shtetit, e jo simbolet partiake, siç ndodhi fatkeqësisht në disa vende të Europës në vitet 1920 dhe në Shqipëri në 1941.
Ju drejtohem jo për ato thirrjet klasike “hiqni kapelet” apo “bashkohuni me ne”, pasi literatura e bën të qartë punën dhe funksionin tuaj, por ju bëj thirrje që të mos harroni cilësinë tuaj të parë, të qenit qytetarë të këtij vendi. Sepse një qytetar i mirë është edhe një oficer policie i mirë, pavarësisht faktit se në krye apo në krah mund të ketë një derr, i cili po tradhton interesin e policisë, duke tradhtuar shoqërinë edhe shtetin.
19,842 votat preferenciale për ministrin e brendshëm anonim Ervin Hoxha, më 11 maj, ju bëjnë me turp ju dhe të gjithë shtetin, pasi një numër i konsiderueshëm prej jush ka votuar nën presion apo me bindje të verbër që nuk i shkon një qytetari të mirë të këtij vendi. Një turp për ju, për ne dhe për 231 dëshmorët e Policisë së Shtetit që prej vitit 1913, të cilët kanë humbur jetën për shtetin tonë të përbashkët.
Qytetarët kanë dalë në protestë me flamur kombëtar si kurrë më parë në historinë e këtyre 36 viteve të tranzicionit dhe ju, 12,000 punonjësit e Policisë së Shtetit, e keni kuptuar tashmë se ata nuk janë huliganët apo banditët e sistemit të kalbur politik.
Ne jemi në protestë për të mirën e përbashkët, njësoj si ju. Ne mbajmë në krah simbolet e shtetit, njësoj si ju. E ju duhet të garantoni sigurinë tonë në luftën përballë hajdutëve me pushtet.
Nuk munden oficerët e ndershëm të policisë së shtetit shqiptar të lejojnë bandat kriminale të infiltrohen në protestë për të incentivuar dhunë ndaj protestuesve. Ata duhet të shoqëroni dhe jo gazetarë e aktivistë. 1,108 drejtuesit e parë, shefa sektori dhe oficerë që u referuan për shkelje në prokurori nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në 2025 duhen shoqëruar dhe jo ne. I dini shumë mirë kush janë, po ata. Të ashtuquajturit civilë me varëse dhe unaza floriri, që marrin zvarrë qytetarë të pafajshëm se demek na prishën rendin kushtetues. Janë ata të ashtuquajturit shefa që marrin urdhëra nga lart për ti hequr lirinë qytetarëve që protestojnë se me demek janë të dhunshëm.
Asnjë dënim dhe asnjë masë arresti nuk është dhënë nga gjykatat gjatë protestave qytetare nga dhjetori 2025 e deri sot. E dini pse?
Sepse ai oficeri i policisë që goditi këtë djalin e mbërthyer nuk e godet dot Ergys Agasin, i cili ishte prej 8 muajsh në arrati, pasi gjykata kishte vendosur masë arresti për vjedhje të parave publike të popullit më të nënushqyer në Europë. Ky popull, që uniforma me flamur ju kërkon ta mbroni. A ka mosbindje më të madhe ndaj urdhrit të oficerit të policisë sesa të vërdallisesh nëpër rrugë me fletëarresti të prerë prej 8 muajsh? Apo këta individë nuk bëjnë rezistencë dhe nuk gjykohen me rrezikshmëri të lartë? Ndërsa ai protestuesi, i cili nuk ka konsumuar asnjë vepër penale, ai është i rrezikshëm.
Këta oficerë policie me flori nëpër duar nuk e marrin dot zvarrë Pëllumb Gjokën, Mirlinda Karçanajn dhe nesër Belinda Ballukun, sepse antishteti i mbron të vetët. Dikush ka avokat një ish-ministër drejtësie e dikush tjetër ka shumicën në parlament që e mbron nga arresti.
Po, ne jemi të rrezikshëm për antishtetin, sepse po mbledhim forcën e duhur për ta mbyllur tranzicionin që i mban gjallë. E çdo polic i cili tregon një zell për të dhunuar qytetarin e zakonshëm në protestë demaskohet automatikisht si një oficer në shërbim të antishtetit dhe jo të shtetit shqiptar.
Ju, oficerë policie, që bashkëpunoni me bandat politiko-kriminale në vend, jepni dorëheqjen nga puna. Fundi i tranzicionit do të sjellë pastrimin e shtetit nga llumi i shoqërisë që e ka kapur dhe më mirë largohuni që të mos e shtoni ngarkesën penale mbi ju dhe familjarët tuaj.
Ju, oficerë policie, që nuk arrini të votoni të lirë, jepni dorëheqjen. Nëse nuk ke guxim të ushtrosh të drejtën tënde, nuk arrin dot të mbrosh të drejtën time.
Ju, oficerë policie, që e kuptoni si duhet detyrën, kur të thirreni për të shprehur vullnetin tuaj qytetar, silluni si të tillë.
Bëni detyrën si qytetarë fillimisht, që t’ju jepet nderi i të bërit detyrën e lartë e oficerit të policisë. Një ditë morali, etika dhe meritokracia do ta udhëheqin këtë vend dhe ju e keni për detyrë të jepni kontributin tuaj që kjo të ndodhë sa më shpejt.
Burimi/Facebook


Leave a Reply