Shkruan Shkipe Bunjaku Oseku
Pika më e dobët e armikut ka qenë gjithmonë arsimi. Ata kanë dashur të na lënë primitivë, të na mbajnë larg dijes, larg vetëdijes kombëtare. Ka pasur kohë kur nuk guxonim të flisnim shqip, as të mbanim libra në gjuhën tonë brenda shtëpisë. Lexonim fshehurazi, nën një llambë të zbehtë apo një qiri, me frikë por me vendosmëri. Dhe megjithatë, nuk arritën dot ta zhdukin gjuhën tonë.
Por e vërteta është e hidhur: ata ishin shumë afër të na linin primitivë e analfabetë—madje analfabetë funksionalë. Kjo duhet të na shërbejë si kujtesë dhe si alarm. Liria nuk është diçka që merret si e mirëqenë. Ajo kërkon përkushtim të përditshëm, kërkon sakrificë dhe përgjegjësi.
Sot beteja nuk është më vetëm për mbijetesë fizike, por për zhvillim, për arsim cilësor, për ndërtimin e një shteti me themele të forta. Duhet të bashkëpunojmë për të mirën e kombit, të vendosim interesin e përbashkët mbi interesat personale. Vetëm me punë, me dije dhe me unitet mund të ndërtojmë një shtet që nuk lejon infiltrimin dhe nuk bie më pre e okupimit.
E kuptoj që është e vështirë të lihet egoja mënjanë, sidomos kur rreziku është kaq i madh dhe humbjet mund të jenë të thella. Por historia na ka mësuar se përçarja është arma më e fortë e armikut. Ndërsa bashkimi, arsimi dhe vetëdija janë mburoja jonë më e sigurt.
Burimi/Facebook


Leave a Reply