Tiranë, Qarku i Tiranës, Shqipëria
Dita e 10-të.
Nata nuk është e lehtë. Në të shumtën e kohës, na gjen në karrige, me sytë e përpëlitur që përplasen me mendimet nëse e gjithë kjo do sjellë një të nesërme më të mirë.
Por jo vetëm. Këto ditë, gjen të lulëzuar një tjetër front lufte. Është virtualisht, por i pashmangshëm për të të përcjellë ndjesi dhe fizikisht. Fronti i komentuesve të divanit transmeton mllef, inat, shpifje, fyerje, neveri.
Kërkesë llogarie, a thua se në këtë shesh u gjetën tradhtarët e kombit…
Fronti i komentuesve është gjithmonë aty, herë të sinkronizuar në tekst e përmbajtje, herë te vizualizuar nga e njëjta dorë grafike, herë të palexueshëm e pashpjegueshëm.
Janë gjithmonë aty, edhe kur nuk i ke në rrethin tënd. Mbijnë aty, dhe kur nuk i kërkon, e as u drejtohesh. Vijnë aty, sapo të shohin që ti po kërkon të ngrihesh, paçka se ti je duke u ngritur dhe për ta.
Janë turmat pa krye të pushtetit, që duan të presin çdo kokë që ngre krye. Ata nuk ngrihen, por gjejnë fajin tek ata që ngrihen.
Nata nuk është e lehtë. As rruga që kemi zgjedhur nuk është e lehtë. Përballë fronteve, një ishull po bën rezistencë. Rezistencë për drejtësinë, rezistencë për të tashmen, rezistencë për të ardhmen.
Mes frikës, propagandës, talljes e sulmeve qëndron. Qëndron dhe proteston. Qëndron dhe frymëzon. Qëndron ditë e natë, ditë pas dite, e natë pas nate. Qëndron përballë pushtetit!
Luigj Gurakuqi shkruante:
„Veç nji qëllim i naltë t’ban me durue,
E zemrën ta forcon;
Ndër kundërshtime s’vyen kurr me u ligshtue,
Mjer’ ai qi nuk qindron!“
Të shtunën, ju ftoj të qëndroni me ne. Të bashkoheni me ne. Të rezistoni me ne.
Ama, të protestoni për veten. Të reagoni për veten. Të kundërshtoni pushtetin.
Të shtunën, datë 20 Dhjetor, ora 12:00
Bulevardi te Kryeministria

Burimi/Facebook


Leave a Reply