Në 10-vjetorin e shoqatës “Artisti” Rovereto
PARËSORE CILËSIA E AKTIVITETEVE
Ka disa vite që i ndjek me kënaqësi aktivitetet e shoqatës “Artisti” në Rovereto, e cila është krijuar dhe drejtohet nga muzikanti dhe produktori muzikor Aleksandër Kolshi.Po me këtë dëshirë vajta edhe mbrëmë në sallën e bukur të Filarmonisë së këtij qyteti, ku duket se Aleksandri është i abonuar prej vitesh me aktivitetet e tij. Kishin ardhur plot bashkatdhetarë për të marrë pjesë në koncertin festiv me rastin e 10-vjetorit të shoqatës. Dhe Aleksandri, siç është në natyrën e tij dhe në kërkesën e tij estetike e profesionale, kishte ndërtuar një koncert të bukur, fin e me shije të larta artistike. Protagonist profesionaliteti.
Drejtuesja e programit, Gentiana Abazaj, e cila gjithnjë e më shumë tregon aftësi dhe natyrshmëri në intervistat e shkurtra me pjesëmarrësit dhe në paraqitjen e programit, fton njërin pas tjetrit këngëtarët, grupet e valltarëve, instrumentistët, që e bëjnë të pasur përmbajtjen e koncertit.
Edhe këtë herë Aleksandri kishte ftuar jo vetëm këngëtarë e valltarë shqiptarë, por edhe instrumentistë e artistë të etnive të tjera. Kështu u gërshetuan bukur në skenë vallja shqiptare me kostumet e bukura tradicionale me flamenkon spanjolle, gajdeja e fizarmonika trentine me buzukun e kostumet arvanitase e çame, kënga e muzikës së lehtë me flautin delikat etj. Pas hapjes me një potpuri melodish me fizarmonikë nga Carl Graf, skenën e gjallëron grupi i valleve të shoqatës “Besëlidhja” me ato veshjet e kuqe ku shqiponja dykrenore plotëson simbolin e flamurit kombëtar. Ky grup, që nuk ka shumë kohë që është krijuar, ka tashmë jo vetëm një repertor të pasur, por edhe sigurinë e mjeshtërinë e lëvizjes në skenë. Një e veçantë është se ka valltare që janë edhe nënë e bijë, çka tregon transmetimin e shëndoshë të traditave artistike nga brezi në brez.
Monika Bekolli, e ardhur nga Modena bashkë me grupin Albanian Folk të atij qyteti, në fillim e përshëndet publikun me një melodi të luajtur me elegancë në flautin, që tashmë është bërë pjesë e pandashme e qenies së saj. Pastaj bashkë me grupin do të sillnin hijshëm vallen e kënduar “Tumankuqja”. Na bëri përshtypje se në grup bënte pjesë edhe një arvanitas nga Çamëria, i cili është shkrirë aq lirshëm me anëtarët e tjerë të grupit, duke sjellë një numër artistik që meritoi duartrokitjet e publikut.
Nuk thonë kot që guximi është në natyrën e rinisë. Duhej kurajo për një sipërmarrje si ajo që kishte bërë këngëtarja e re Keit Isufi, duke zgjedhur për të interpretuar këngën “Black to black” të Ami Winehouse që mbetet një sukses botëror i këngetares së madhe e të paharrueshme. E megjithatë Keit ia kishte dalë mjaft mirë për ta interpretuar me zërin e saj këtë këngë.
Aleksandri jo pa qëllim kishte vënë si fill lidhës të programit bashkëpunimin midis shoqatave shqiptare e të etnive të tjera në zonën e Trentinos. Është ky bashkëpunim i përhershëm që e rrit kërkesën për cilësi artistike dhe e bën atë të mundshme. Kjo gjë u pa edhe në panelin e intervistave të shkurtra ku drejtuesja Gentiana Abazaj bëri me presidentin e shoqatës “Rinia” në Riva del Garda, Erio Korani, me presidentin e shoqatës “Besëlidhja”, Dashamir Kërtusha dhe me aktivisten e palodhur e mësuesen e shkollës shqipe, Nereida Xhakolli. Secili prej tyre foli për bashkëpunimin që kanë patur në vite midis tyre e me shoqatat e tjera. Nereida, e pasionuar pas kostumografisë popullore e etnografisë kishte ndërtuar edhe një kënd të vogël etnografik me sofër e mjete të kuzhinës tradicionale shqiptare, që rrinte si një dekor shprehës në një qoshe të skenës.
Kosta Bonshi me potpuri këngësh italiane e Gentiana Abazaj, që shpalos gjithnjë talentin e saj edhe si këngëtare, i dhanë një gjallëri e bukuri të veçantë koncertit.
U ndala vetëm në disa nga numrat e këtij programi, pasi ai ishte më i gjatë e më i pasur, i denjë për një festim domethënës të 10-vjetorit të shoqatës “Artisti”. Gëzuar. Me këngë e valle edhe në njëqind vjetor.
Ndue Lazri.














Burimi/Facebook


Leave a Reply