Në ato korridore me zhurmë e me të qeshura,
ku koha rrjedhte shpejt e s’ndalej dot,
ne fshehëm ëndrrat tona më të bukura,
që sot, në kujtesë, na sjellin lot.
Në ato banka druri, plot me shkarravitje,
ku shkruanim emra, formula e sekrete,
ku çdo zile shkolle ishte një zgjim
për një botë të re që na priste në jetë.
Shoqëria e pastër, pa interes e pa hije,
ku ndanim të njëjtin libër e të njëjtin dert,
nga sytë e mësuesit fshiheshim me rini
dhe botën e sfidonim me plot vullnet.
Sot rrugët tona janë ndarë nëpër botë,
secili ka marrë një tjetër drejtim,
por vitet e gjimnazit mbeten të plota,
si një kapitull i artë në kujtimin tim.
Mbi dërrasën e zezë, ku shkumësi zuri pluhur,
ju vizatuat botën, na dhatë një drejtim;
me durimin e madh dhe fjalën e duhur,
çdo orë mësimi e kthyet në frymëzim.
Na patë duke u rritur, mes gabimesh e hapash,
herë me mendjen në qiell, herë pa vëmendje,
por ju kurrë nuk u lodhët së na dhëni këshilla,
na rritët me shpresë, me shpirt e me dije.
Nuk ishit thjesht nota, as ditarë e regjistra,
ishit drita që ndiznit në sytë tanë çdo ditë;
sot vlerën e fjalës suaj e çmojmë si gur të çmuar,
ishit pishtarët që na mësuat të shohim dritë.
Ju kërkojmë ndjesë për zhurmat në klasë,
për detyrat e lëna, për ndonjë tekë;
ju mbeteni shkëmbi ku dija u ngjiz,
kujtesa më e bukur që kurrë nuk do të vdesë.
Mbi fletët e bardha, ku unë hidhja shpirtin,
në orën e qetë, mes librave plot vlerë,
ju lexuat rreshtat ku unë fshihja veten
dhe patë aty skicën e një tjetër pranvere.
Ajo fjalë e juaj më mbeti në mendje,
si gur i çmuar që kohës i bën ballë:
“Sikur të shkruanit njëzet rrëfime të tilla,
do të bëheshit një shkrimtare e madhe…”
Ato njëzet rrëfime u kthyen në busull
në rrugën që nisa me penë e me fletë;
se besimi juaj më dha aq shumë forcë,
sa m’i kthyen ëndrrat në udhë drejt jetës.
Sot vargjet që shkruaj mbajnë vulën e klasës,
mbajnë zërin tuaj, mësues Gjokë, që më thoshe: “Guxo!”
Profecia juaj u bë krahë për një vajzë,
që sot, me mirënjohje, ju thotë:
Faleminderit për çdo gjë!
Burimi/Facebook


Leave a Reply