Nga vendi ku banoj e shoh shpesh majën e malit të Milesë. Atje, mbi shpinën e tij, janë vendosur antenat që marrin e përcjellin sinjalet e televizionit dhe telefonisë. Nga rreth dy kilometra larg, me syrin e telefonit, ato duken të vogla. Por kur i zmadhon, mali afrohet dhe ajo që dukej e padukshme bëhet e qartë.
Ndoshta kështu duhet parë edhe një qytet. Nga larg sheh dritat, rrugët, hotelet, betonin dhe detin. Kur e afron pamjen, dalin emra, prona, leje, ndërtime, institucione, vendime dhe heshtje. Antenat kapin atë që kalon në ajër; ndërsa poshtë, në qytet, shumë gjëra kalojnë pa u kapur. Ose kapen, por nuk dëgjohen.
Që nga viti 2020, në Sarandë kanë kapitulluar disa shefa komisariati. I kam parë nga afër dhe me ndonjërin jam takuar e kam folur.
Në shikim të parë duken njësoj: të prerë, të hekurosur, me fjalorin e ri të reformës dhe premtimin e vjetër: “Do të vendosim rregull.” Ta japin dorën fort, sikur duan të të tregojnë se shteti ka ardhur. Për një javë, ndoshta dy, e beson. Sheh më shumë makina policie në rrugë, kontrolle, dëgjon një zë më të ashpër në radio. Pastaj koha i zhvesh.
Muaji i tretë vjen dhe shumëçka është po aty: mali, bima narkotike, makinat që ngjiten natën, ndërtimet mbi shpatet, konfliktet që kthehen herë pas here në kronikë.
Mendojmë se shefi bën komisariatin. Në Sarandë shpesh duket e kundërta: komisariati e bën shefin. E merr, e përtyp ngadalë, e vesh me heshtjen e vet dhe, pas disa muajsh, e nxjerr tjetër njeri. Jo medoemos më të keq. Thjesht më të matur. Më të heshtur.
Çdo shef që vjen nga Tirana apo nga një qytet tjetër vjen me një dosje në dorë. Në faqen e parë nuk shkruhet vetëm “lufto drogën, lufto krimin, vendos rendin”. Të paktën kështu të krijohet përshtypja se, përtej detyrës zyrtare, ekziston edhe një porosi më e heshtur: “Do të të emërojmë në Sarandë, por do të bësh çfarë të themi ne .”
Dhe aty është sekreti. Posti është i yti, por pushteti mbi postin mund të mos jetë. Ke zyrën, uniformën, makinën, gradën. Mund të flasësh për ligjin, por duhet të dish edhe deri ku të lejohet ta zbatosh.
Prandaj, nëse brenda pak vitesh ndërrohen disa shefa dhe problemet mbeten, përgjigjja nuk mund të kërkohet vetëm te njeriu që ulet përkohësisht në atë karrige. Pas emërimit qëndron një strukturë.
Për të kuptuar policinë e Sarandës, nuk mjafton të shohësh shefin. Duhet të shohësh çfarë ndodh përreth tij.
Këtu fillon dosja e vërtetë: kush ndërtoi, kush bleu, kush mori lejen, kush kontrolloi, kush nuk kontrolloi dhe çfarë tregojnë dokumentet.
Kjo është arsyeja pse pyetja nuk duhet të jetë vetëm “A është problemi te një shef i korruptuar?”, por: Pse, pavarësisht ndërrimit të shefave, disa probleme vazhdojnë të duken të paprekshme?
Një qytet nuk mbahet peng vetëm nga ata që shkelin ligjin. Mund të mbahet edhe nga heshtja institucionale rreth shkeljes së ligjit. Dhe kjo është më e vështirë për t’u fotografuar.
Në Sarandë, mali është më shumë se peizazh. Është metafora e asaj që duket dhe asaj që nuk duket. Në shpatet e tij shihen vila, hotele, rrugë, beton. Pas çdo muri ka një histori: një pronë, një leje, një kontratë, një pronar, një investitor, një institucion që kontrolloi ose nuk kontrolloi.
Shefat vijnë e ikin. Njëri premton rregull. Tjetri goditje. I treti një fillim të ri. Pastaj ndryshon tabela në derën e zyrës.
Nuk është e vështirë të bësh biografinë e një polici. Mjafton të shohësh gjurmët që ka lënë pas: a ka hotel, a ka pronë, si e ndërtoi, kur e ndërtoi, me çfarë dokumentesh dhe çfarë pagash.
Biografia më e saktë e një mbrojtësi të rendit nuk është gjithmonë ajo që shkruhet në dosjen e tij të shërbimit. Është edhe ajo që mund të lexosh në vilat që ka lënë pas . Aty fillon biografia e vërtetë.
Dhe ndoshta aty fillon edhe dosja.
Burimi/Facebook


Leave a Reply