“Nëse duhet të vdesë dikush, më mirë të vdesim ne, se sa Atdheu.” — Adem Jashari
Përçarjet çojnë ujë tek mulliri serb, qe bluan miell të helmët për shqiptarët.
Si grua shqiptare, si aktiviste në Diasporë dhe si bijë e këtij Kombi, e ndiej si detyrë të ngre zërin për një të vërtetë që nuk duhet ta harrojmë kurrë: Jemi një komb, edhe pse historia na ka lënë të ndarë në disa shtete dhe kufizohemi nga vetvetja.
Kjo ndarje nuk duhet të kthehet në ndarje të zemrave tona.
Nga “Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878”, te “28 Nëntori i vitit 1912”, shqiptarët kanë dëshmuar se, kur bashkohen rreth vlerave, gjuhës, kulturës dhe dinjitetit të tyre, mund të përballojnë sfida të mëdha.
Në Prekaz, Adem Jashari dhe familja Jashari mbeten pjesë e kujtesës sonë kombëtare dhe simbol i sakrificës për lirinë dhe të ardhmen.
Sot, brezi ynë ka një përgjegjësi tjetër: të ndërtojë ura, të ruajë kujtesën dhe të forcojë solidaritetin mes shqiptarëve, duke respektuar dhe duke zgjedhur gjithmonë paqen, dialogun dhe bashkëpunimin.
Dënimi i katër udhëheqësve të UÇK-së është një dramë e gjakte e vërtetë shekspiriane, e luajtur bash në zemër të skenave të “drejtësisë” botërore. Kjo na ka trishtuar pa masë. Kjo dramë e gjakte me thika pas shpine, ka nxjerrë në pah edhe shumë shqiptarë që fërkojnë duart dhe gëzohen për dënimin e gjakut të pastër arbëror. Rrjetet sociale janë kthyer në një fushë beteje ku, natyrisht, përçarjet çojnë ujë tek mulliri serb që ka bluar historikisht miell të helmuar për shqiptarët. Ndalojeni këtë betejë, gjykoni me qetësi dhe pa emocione, se historia e vërtetë nuk u shkrua në rrjetet sociale, por në sheshin e mejdanit në Kosovë nga UÇK-ja dhe NATO.
“Kjo Gjykatë do të dënonte edhe George Washington-in!”
Nuk është një fjali e thënë nga një politikan shqiptar. Është deklarata e gjeneralit amerikan Wesley Clark, ish-Komandantit Suprem të NATO-s në Evropë, njeriu që e njohu nga afër luftën e Kosovës dhe që dëshmoi përpara kësaj gjykate.
Clark tha se çështja duhet parë në kontekstin e represionit serb, të vuajtjeve të popullsisë shqiptare dhe të një kohe kur shqiptarët luftonin për jetën e tyre. Ai kujtoi edhe luftën amerikane për pavarësi, duke sjellë në vëmendje figurën e George Washington-it.
Kjo deklaratë duhet të na bëjë të mendojmë thellësisht dhe shqiptarisht.
Sepse historia nuk mund të shkëputet nga rrethanat në të cilat u zhvilluan ngjarjet. Një popull i dëbuar, i masakruar nga gjenocidi serb dhe i privuar nga të drejtat e tij nuk mund të shihet njësoj si agresori që e shtyp atë.
Adem Jashari dhe UÇK-ja nuk lindën në vakum. Ata dolën nga një realitet i dhimbshëm, nga një Kosovë ku shqiptarët përballeshin me represion dhe ku lufta për Liri u bë, për shumë njerëz, një luftë për mbijetesë.
Adem Jashari mbetet simboli i sakrificës sublime për lirinë. Dhe mesazhi i tij i njohur, “Bac, u kry!”, është bërë pjesë e kujtesës sonë kombëtare.
Katër emra, një histori dhe shumë përçarje
Vendimi i Hagës për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ka hapur sërish një plagë që rrjedh gjak, të çarë thellë në shoqërinë tonë. Katër njerëz që, për shumicën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës dhe Kombit, lidhen me luftën dhe çlirimin, sot janë dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte.
Por, përtej vetë vendimit, ajo që po shihet në rrjetet sociale është një tjetër betejë: përçarja mes nesh.
Dikush i quan heronj dhe e sheh dënimin si padrejtësi ndaj luftës së Kosovës. Dikush tjetër e sheh vendimin si përgjegjësi individuale për krime ndaj viktimave. Të dyja palët po përplasen ashpër, shpesh duke harruar se një popull mund ta nderojë luftën për liri dhe, në të njëjtën kohë, të kërkojë që çdo akuzë për krime të trajtohet me drejtësi.
Vetë gjykata i shpalli katër të pandehurit fajtorë për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje, ndërsa i liroi nga gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit. Të katër heronjtë për Lirinë e Kosovës kanë deklaruar vazhdimisht pafajësinë.
Prandaj, debati nuk duhet të kthehet në një luftë mes shqiptarëve.
Kosova nuk ka nevojë për një tjetër ndarje mes “atyre” dhe “nesh”. Ka nevojë për qetësi, fakte dhe drejtësi.
Sepse historia jonë është shumë më e madhe se një debat në Facebook, plot përçarje.
Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në dinjitet, në mbrojtjen e së vërtetës historike dhe në solidaritet me ata që luftuan për lirinë e Kosovës.
Jemi një komb, edhe pse historia na ka ndarë në kufij të ndryshëm.
Pesë shtete, një gjuhë, një histori, një kujtesë dhe një komb.
Le të mos lejojmë që ndarjet politike të na bëjnë të harrojmë atë që na bashkon.
Si një grua shqiptare dhe si aktiviste, besoj se sot detyra jonë është të flasim me zë të qartë, të ruajmë kujtesën dhe të mos e lëmë askënd ta shkëpusë historinë e Kosovës nga sakrifica e popullit të saj dhe të bindet nga gjykatësi famëkeq Smith, që dënoi padrejtësisht bijtë liridashës të Kombit. Përderisa ne Amerikën, NATO-n e çmojmë e vlerësojmë për Pavarësinë e Kosovës, si është e mundur që nuk dëgjojmë njerëzit që kanë qenë në krye të oxhakut për Pavarësinë e Kosovës, si gjeneralin e famshëm Clark, i cili thotë publikisht: “Kjo Gjykatë do të dënonte edhe George Washington-in!”
Liria nuk është dhuratë. Liria është sakrificë.
Dhe sakrifica e një kombi nuk duhet harruar kurrë.
Për lirinë. Për kujtesën. Për të vërtetën. Për Kombin, sepse, nëse duhet të vdesë dikush, më mirë të vdesim ne, se sa Atdheu.
19 Shtator 2026
New York
Ps: Photo ne Manhattan ne proteste para Konsullates serbe per te denoncuar genocidin serb, nderkohe duke degjuar dhimbshem deshmine e Vasfije Krasniqit Goodman dhe Shyrete Tahiri Sylejmani per perdhunimin sexual nga kriminelet serbe.

Burimi/Facebook


Leave a Reply