Kjo thënie e pasardhëses së tij, zonjës Manushaqe Halili, përmbledh më së miri ndjesinë që më la dokumentari që po ndaj këtu me ju. Pas këtij udhëtimi mbresëlënës në jetën dhe veprën e këtij gjeniu shqiptar, kuptova se sa pak dimë ende për një figurë që i përket jo vetëm historisë shqiptare, por edhe historisë së mendimit modern europian.
Dokumentari “Dijetari i Fshehtësive”, një vepër me vlera të mëdha kombëtare, shkencore, kulturore dhe edukative. Përmes punës serioze, kërkimit të kujdesshëm dhe rrëfimit të balancuar, dokumentari sjell para publikut shqiptar një figurë që për dekada ka mbetur padrejtësisht në hijen e historisë.
Dokumentari nuk paraqet vetëm jetën e Hasan Tahsinit, por rindërton me finesë të gjithë universin shpirtëror, intelektual dhe atdhetar të tij. Ne njohëm shkencëtarin, astronomin, filozofin, pedagogun, reformatorin, patriotin dhe humanistin që i parapriu kohës së vet.
Veçanërisht mbresëlënës ishte rrëfimi i studiuesit Enver Kushit mbi fëmijërinë dhe formimin e Hasan Tahsinit. Përmes tij kuptuam se rrënjët e këtij personaliteti të jashtëzakonshëm lidhen me kulturën e madhe të Shkodrës dhe bibliotekën e famshme të Bushatllinjve. Ishte prekëse të mësoje se vogëlushi Hasan u rrit mes librave dhe dijes, në një mjedis ku kultura dhe arsimi konsideroheshin pasuritë më të mëdha. Po aq interesant ishte shpjegimi mbi emrin “Hoxha Tahsin”, ku mësuam se “Tahsin” ishte një titull nderi që iu dha në Stamboll dhe jo thjesht një mbiemër.
Një nga pjesët më të bukura të dokumentarit ishte rrëfimi i shkrimtarit dhe ish ambasadorit Luan Rama për vitet e Hasan Tahsinit në Paris. Përmes përshkrimeve të tij, ndjemë emocionin e atij djaloshi shqiptar që mbërrin në kryeqendrën europiane të dijes më 20 mars 1857 dhe nis atë që Rama e quajti me shumë bukuri “kapërcimi i ylberit”, kalimin nga botëkuptimi tradicional drejt universi të shkencës moderne.
Pamjet e shkollës osmane në Paris, të observatorit astronomik, të rrugëve dhe mjediseve ku Hasan Tahsini studioi dhe dha mësim, ishin ndër momentet më mbresëlënëse të dokumentarit. Ishte prekëse kur Luan Rama zbriste shkallët e shkollës osmane dhe imagjinonte Hasan Tahsinin duke i përshkuar ato dhjetëra herë. Këto episode i dhanë dokumentarit jo vetëm vlerë historike, por edhe ngrohtësi njerëzore.
Më la mbresa edhe reflektimi i Luan Ramës mbi tolerancën fetare që Hasan Tahsini njohu në Paris. Shkolla osmane ndodhej pranë një kishe, në një qytet ku bashkëjetonin kultura dhe besime të ndryshme. Ndoshta pikërisht aty u formësua edhe më shumë mendimi i tij i hapur, tolerant dhe përparimtar.
Po aq e jashtëzakonshme ishte dëshmia e astrofizikantes Mimoza Hafizi. Ajo theksoi se veprat astronomike të Hasan Tahsinit zbulojnë një mendje krejtësisht moderne, një dijetar që kishte përvetësuar mendimin shkencor europian dhe kishte pranuar modelin heliocentrik, sipas të cilit Dielli është në qendër të sistemit diellor. Duke menduar se ai vinte nga një realitet ku këto ide ende hasnin kundërshti, kupton madhështinë e tij intelektuale dhe guximin për të kapërcyer kufijtë e mentalitetit të kohës.
Dokumentari solli në mënyrë të shkëlqyer edhe figurën e Hasan Tahsinit si rektori i parë i universitetit të parë osman. Historianët Hasan Bello, Fatih Mehmet Sancaktar, studiuesi Xhafer Sadiku dhe personalitete të tjera treguan se si ai u përpoq të ndërtonte ura mes Lindjes dhe Perëndimit, mes fesë dhe shkencës, mes konservatores dhe modernitetit.
Ai organizonte konferenca shkencore, promovonte mendimin kritik dhe sillte në auditorët osmanë frymën e universiteteve europiane. Por, siç ndodh shpesh me mendjet që i paraprijnë kohës, ai hasi rezistencë, paragjykime dhe padrejtësi. Pasardhësja e tij, zonja Manushaqe Halili, rrëfen se Hasan Tahsini u përball me sulme të shumta dhe madje u quajt “Hasan Kauri”, vetëm sepse përpiqej t’i shpjegonte fenomenet përmes shkencës.
Krahasimi që skulptori dhe studiuesi Ilmi Kasemi Beati bëri mes Hasan Tahsinit dhe figurave si Sokrati, Dante apo Galileo Galilei ishte veçanërisht i goditur. Ai na kujtoi se historia shpesh nuk i ka mirëpritur njerëzit që mendojnë përpara kohës së tyre.
Pjesa kushtuar kontributit të tij për gjuhën shqipe dhe alfabetin shqiptar ishte ndër më emocionueset. Fjalët e tij:
“Më jepni një alfabet të mirë dhe unë do t’ju jap një gjuhë të mirë. Më jepni një gjuhë të mirë dhe unë do t’ju jap një qytetërim të mirë.”
tingëllojnë sot më aktuale se kurrë.
Falë studiueses Elinda Dibra kuptuam se Hasan Tahsini nuk e trajtoi alfabetin shqiptar vetëm si çështje patriotike, por edhe si një sistem shkencor të ndërtuar mbi logjikën, rregullsinë dhe funksionalitetin. Edhe pse alfabeti i tij nuk u bë alfabeti zyrtar i shqipes, puna dhe vizioni i tij hapën rrugën drejt alfabetit që përdorim sot.
Dokumentari tregoi gjithashtu rolin e tij si organizator i lëvizjes intelektuale shqiptare në Stamboll, ku mblodhi rreth vetes figura të tilla si Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa, Kostandin Kristoforidhi, Rustem Pasha i Leskovikut dhe shumë të tjerë. Ishte e qartë se Hasan Tahsini ishte një nga mendjet udhëheqëse të Rilindjes sonë Kombëtare.
Po aq emocionuese ishte njohja me vitet e fundit të jetës së tij. Përmes dëshmive të Riza Tevfikut dhe Manushaqe Halilit mësuam për vetminë, varfërinë dhe padrejtësitë që ai përjetoi. Megjithatë, ai nuk iu nda kurrë dijes. Edhe në kushtet më të vështira, ai vazhdoi të studionte, të shkruante dhe të edukonte breza të rinjsh.
Në dokumentar më bëri veçanërisht përshtypje episodi i sahatit diellor që ai ndërtoi në murin e medresesë ku jetoi për rreth dhjetë vite. Ai detaj simbolizon më mirë se çdo gjë tjetër jetën e tij: një njeri që edhe në heshtje, edhe në vetmi, vazhdonte t’u tregonte njerëzve drejtimin dhe kohën.
Po aq vizionare ishte ideja e tij për një gjuhë ndërkombëtare që do të bashkonte popujt e botës, ide që ai e formuloi përpara lindjes së Esperantos. Kjo dëshmon edhe një herë se Hasan Tahsini nuk mendonte vetëm për kombin e vet, por për njerëzimin në tërësi.
Dokumentari ka meritën e madhe se nuk na paraqet Hasan Tahsinin si një figurë të largët historike, por si një model të mendimit të lirë, të kërkimit shkencor, të tolerancës dhe të përkushtimit ndaj kombit.
Po aq i admirueshëm është realizimi artistik. Filmimet, fotografia, muzika, montazhi dhe përzgjedhja e folësve i kanë dhënë dokumentarit një cilësi të lartë profesionale. Është arritur të sillen së bashku historianë, akademikë, studiues, shkencëtarë, shkrimtarë dhe personalitete të kulturës, duke ndërtuar një portret të plotë, njerëzor dhe shkencor të Hasan Tahsinit.
Në fund të dokumentarit mbetet një ndjenjë keqardhjeje që një figurë kaq e madhe nuk është njohur sa duhet nga shqiptarët. Por mbetet edhe shpresa se falë punëve të tilla Hasan Tahsini do të zërë vendin që meriton në kujtesën kombëtare shqiptare.
Është një dokumentar i vyer, nëpërmjet të cilit ju dha zë, figurë dhe jetë një prej mendjeve më të ndritura që ka nxjerrë kombi shqiptar.
Kjo një pjesë që përdora në falenderimin ndaj autores së këtij film-dokumentari Znj. A. Peçi
JD – 18.09.26
Burimi/Facebook


Leave a Reply