Harrojeni Athinën dhe Romën, këtu është kryeqyteti i përballueshëm që nuk e dinit se do ta pëlqenit. Me këtë titull e hap shkrimin e dedikuar për Shqipërinë dhe veçanërisht Tiranën një nga revistat më të vjetra të grave në Danimarkë “Gjithçka për zonjat”.
Duke e përshkruar kryeqytetin shqiptar si perla e paprekur e Shqipërisë, revista e sugjeron Tiranën për pushime ndërsa citon se në verën e vitit 2023 zuri vendin e parë në mesin e destinacioneve të udhëtimit trend tek danezët.
Si një metropol me çmime të përballueshme, Tirana cilësohet në shkrim si qyteti simpatik, i vendosur mes maleve të larta dhe kodrave.
Revista “Gjithçka për zonjat” sugjeron 10 atraksione turistike të Tiranës për lexuesit, mes tyre Sheshin “Skënderbej”, Piramidën e Tiranës, Xhaminë e Et’hem Beut, Pazarin e Ri, Kalanë e Tiranës apo Muzeun Historik Kombëtar dhe Bunk’artet
Ndërtesat e larta rreth sheshit të Tiranës përshkruhen si interesante, ndërsa Piramida e rinovuar po ashtu sugjerohet si një ndërthurje e stilit dhe arkitekturës.
Revista u premton lexuesve se teksa vizitojnë Tiranën do të magjepsen, ndërsa nuk do të arrijnë asnjëherë të dëshpërohen pasi ky metropol është një nga qytetet më të gjalla në Ballkan që lulëzoi pas rënies së komunizmit.
Shkrimi mbyllet duke e përshkruar Shqipërinë dhe Tiranën si yllin më të ri në Ballkan.
Burimi/Tv Klan


Leave a Reply