Me mbylljen e koalicioneve zgjedhore duket sikur fotografia e zgjedhjeve të ardhshme është pothuaj e plotë. Pakti i parisë duket se po funksionon në shumë aspekte. Tashmë terreni politik është përcaktuar në termat ideale për parinë. Të dyja grupimet kanë mbledhur rreth vetes një aradhë klanesh e grupesh të vogla të vetëquajtura parti, edhe pse këto nuk kanë kurrfarë vije ideologjike. Por kjo është e parëndësishme për parinë, atyre u mjafton aparenca se shumë “parti” i mbështesin. Nga ky pikëvështrim, koalicionet janë një pasqyrë e qartë e paktit. Edi Rama ka mbledhur këtë herë një numër më të madh “partish ushunjëza” sepse pritshmëritë e atyre që i dinë ca gjëra janë për një fitore të tij. Fitoren e tij duket se e pret edhe ish Presidenti Serb Tadiç! Në kampin tjetër ka tkurrje dhe konsolidim të klaneve kriminale mbështetëse sepse megjithë sigurinë në dukje të Sali Berishës fshati që duket nuk do kallauz. Ndaj nuk ka gjasë t’a shohim Damir Fazlliçin të kapardiset rrugëve të Tiranës këtë periudhë.
Pra, nga njëra anë kemi Sali Berishën me një koalicion të zvogëluar, me imazh të lodhur dhe kapjen e shtetit nga bandat e krimit siç tregojnë fotot e fundit të Ministrit të Brendshëm me shoferët e klaneve mafioze. Mirëpo Sali Berisha do të vazhdojë t’a mashtrojë “ushtrinë e vet” të mbështetësve sepse i duhet një opozitë e fortë numerikisht për të garantuar paktin e ngjalave. Sigurisht ai nuk u beson Ramës e Metës, sidomos këtij të fundit sepse ky e ka burgosur njëherë. Ndaj, ndonëse i gatshëm për t’a lëshuar pushtetin dhe krizën ekonomike në prehrin nervoz të Ramës, Berisha kërkon të ruajë garancitë politike për vete dhe familjen e tij. Po ashtu, atij i duhet të sigurojë një thelë të konsiderueshme nga torta publike pas 23 Qershorit për të kënaqur klanet kriminale që e mbështesin.
Nga ana tjetër, kemi një Edi Ramë në dukje në kontroll të situatës, megjithëse me shenja nervoziteti të cilat vijnë sa nga prania kërcënuese e Metës në koalicion aq nga pasiguria e dështimit të radhës. Incidenti me diplomatin Ceka në Vjenë dhe gjuha “berishiste” kundër Spahiut tregojnë se Rama nuk ndjehet i sigurtë tek fitorja edhe pse ka marrë dakordësinë nga të gjitha palët. Ai e di se klanet të cilat i përfaqëson nuk do t’ja falnin humbjen në këto kushte shumë të favorshme. Më tej, Ramës i duhet të kënaqë një numër të madh njerëzisht të cilët kanë pritur me durim për tetë vjet në opozitë. Objektivat e tyre nuk janë programatike. Ata presin t’i mbivendosen hajnave të qeverisë aktuale e të marrin edhe ata një copë.
Dalja më vete e Bamir Topit dhe AK-së e prish disi panoramën e paktit, por në gjykim të fundit nuk e pengon atë. Nga njëra anë, pesha specifike e këtyre partive nuk është e njohur dhe gjasat janë që pa komisionerë votat e tyre të mos numërohen drejt. Mirëpo duke e vendosur veten kundër sistemit këto parti kanë të paktën shansin për të thithur votën e protestës e cila pas paktit të 1 Prillit parashikohet të jetë masive.
Siç dihet FRD-ja e Topit merr vota nga të pakënaqurit e PD-së duke e dobësuar atë edhe nëse nuk merr asnjë deputet. Ndonëse nuk bëri aleanca me partitë kryesore, nuk është e qartë se çfarë ndryshimi sistemik dëshiron të sjellë FRD-ja. Nga mënyra jo transparente e krijimit të strukturave drejtuese FRD-ja i ngjason më tepër një grupi të pakënaqurish nga Berisha që synon emulimin e stilit parti-lider se sa një force që synon një fillim të ri. Megjithatë, ajo përfaqëson një tjetër pol që po i kundërvihet sistemit të paktën deri pas zgjedhjeve.
Më anë tjetër, AK-ja mund të dëmtojë Ramën gjë që shpjegon reagimin e ngjirur e nevrastenik të kryesocialistit kundër Spahiut. AK-ja ka një avantazh të pa krahasueshëm me forcat e tjera, ka një ideologji e cila ka munguar dhe që përqafohet nga të gjithë shqiptarët.Mirëpo, shpalosja e kombëtarizmit nuk u pasua nga një qartësi ideologjike serioze. Nuk mund të mos theksohet se ende sot mungon një vizion i qartë shtetndërtues i AK-së i cili të mbështetet tek shteti komb. Herëpashere ka nisma interesante po ende nuk ka një koherencë të dallueshme ideologjike. Disa nga drejtuesit e saj duket se po e trajtojnë çështjen kombëtare si çiflik të tyre dhe jo një ideologji që i përket popullit. Askush nuk e ka shpikur kombëtarizmin, ndaj askush nuk mund t’a privatizojë atë. Më tej, kërkesat pragmatike që AK-ja i bëri PS-së për të hyrë në koalicion treguan një qasje tepër të ngjashme me palët e tjera të parisë dhe lenë shije të hidhur.
Argumentimi elegant i Ledjan Priftit në këtë blog mbi nevojën e përfaqësimit në listat e PS-së si një mënyrë praktike e amendimit të kodit nga proporcional rajonal në proporcional kombëtar nuk është tërësisht i bindshëm. Së pari, një parti që përbën risi për ideologjinë që përqafon nuk mund të shndërrohet në pazarxhije për poste deputetësh. Së dyti, edhe nëse rrëzimi i sistemit Berishist është prioritet, ai nuk mund të vijë duke u bërë pjesë e paktit të ngjalave të parisë në koalicion me Rametën. Kjo përbën absurditet. Së treti, AK-ja si parti e të rinjve duhet të shqetësohet për mobilizimin e energjive rinore kombëtare përpara se të kërkojë poste deputetësh në listat e tjerakujt. Vetë Prifti pranon se një aleancë parazgjedhore do kish patur kosto të mëdha morale dhe politike.
Për të gjitha arsyet e mësipërme mendoj se AK-ja pati fat që negociatat dështuan. Megjithëse ka mbetur pak kohë ajo ka shansin e dytë të shndërrohet në forcën e vetme politike që kërkon ndryshim rrënjësor. Kjo duhet të bëhet me një program shtetndërtues afatgjatë, dhe duke marrë parasysh se në kushtet e një loje të mbyllur me pakt paraprak do jetë e vështirë që paria t’ja numërojë votat apo t’a lejojë të hyjë në parlament. Listat e saj të deputetëve duhet të reflektojnë nevojën për të ndërtuar shtetin komb, për të mbledhur rreth vetes kapacitetet e duhura për t’ju treguar shqiptarëve se ka burime njerëzore të mjaftueshme për t’a realizuar shtetndërtimin. Gjithashtu ato duhet dhe të reflektojnë nevojën për një fillim të ri më shumë se sa nevojën e dikujt për riafirmim. Ata drejtues të saj të cilët prisnin poste deputetësh nga koalicioni kanë ende kohë të kandidojnë me PS-në.
Për t’a përmbledhur, pakti i ngjalave të parisë është një çështje jetike për palët. Dhe në mjedisin e kriminalizuar të parisë së Tiranës, jeta ka vlerë për aq kohë sa ka pushtet për të ndarë. Siç tha biznesmeni sekser i të gjitha palëve Zamir Mane në një intervistë rozë tek Shqiptarja.com “ paraja është çdo gjë në jetën time”, një parim i patjetërsueshëm për parinë e Tiranës. Ndaj edhe paria ka vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat mbështetëse për t’a justifikuar paktin.
“Skandalet” e ditëve të fundit shërbejnë vetëm për diversion. Nëse dështojnë me aferën Rama-Ceka dhe foton Frroku-Noka ata do përpiqen të hedhin në tregun mediatik shashka të tjera. Gjëja më e rëndësishme nga e cila ata duan të largojnë vëmendjen është pakti i ngjalave dhe pështjellimi moral që ai ende sjell në shumicën dërrmuese të popullit.
Ruajtja me fanatizëm e paktit me anë të të gjitha mjeteve mediatike, me krrakarritjet kundër kombëtarizmit dhe përdorimi i teknikave mjegulluese të së vërtetës është tregues i qartë se paria e ndjen që pakti nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe nuk po shitet. Me daljen e vetme të FRD-së dhe AK-së në zgjedhje tabloja ka ndryshuar.Paria ka frikë se po i del loja nga dora dhe po mundohet t’jua mbyllë atyre të gjitha shtigjet si dhe të tërheqë vëmendjen nga pakt-zullumi me të gjitha mënyrat.
Mirëpo shumëkush pyet, cilat janë zgjidhjet për popullin? Siç e kam shprehur më parë, ka ardhur koha që ne shqiptarët t’I tregojmë palëve të parisë se ata nuk mund të luajnë më me vullnetin e popullit. Shqiptarët duhet t’i thonë jo parisë në këto zgjedhje duke përdorur mjete sa më demokratike. Ne duhet të ngrihemi mbi simpatitë personale, mbi të kaluarën familjare dhe përfitimet meskine dhe t’i themi parisë se ne meritojmë shumë më tepër. Ne duhet të bashkohemi në një koalicion qytetar dhe të rebelohemi ndaj llumit të parisë. Në qoftë se AK-ja apo FRD arrijnë të bëhen pishtarmbajtëse drejt një fillimi të ri ato duhen mbështetur. Nëse jo, shqiptarët duhet t’a shprehin protestën me anë të zhvlerësimit të votës. Ka disa nisma si Vota e Bardhë etj. të cilat janë të gjitha të vlefshme për të arritur objektivin e delegjitimimit të parisë. Ka ardhur koha të veprojmë tani për një fillim të ri.
shinasi.wordpress.com
Per”Alba – Dansk” shkodrani


Leave a Reply