Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 35, datë 01.11.2021 thekson se reforma në drejtësi apo numri i lartë i çështjeve, nuk mund të përdoren si argumente për të përligjur vonesat në shqyrtimin e çështjeve.
Në disa paragrafë Gjykata Kushtetuese konstaton se:
… e drejta për një proces të rregullt ligjor, pjesë e të cilit është edhe gjykimi brenda një afati të arsyeshëm, luan një rol qendror në sistemin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
… Gjykata ka theksuar se neni 42 i Kushtetutës, si dhe neni 6 i KEDNJ-së vendosin detyrimin për organizimin e sistemit ligjor të vendit në mënyrë të tillë që gjykatat të plotësojnë kërkesat e standardeve për një proces të rregull ligjor, përfshirë këtu edhe atë të gjykimit brenda afatit të arsyeshëm. Në këtë drejtim, gjykatat kanë për detyrë të sigurojnë që të gjitha subjektet që marrin pjesë në proces të sillen në mënyrë që të evitojnë çdo vonesë të panevojshme.
… Gjykata ka vlerësuar se numri i lartë i çështjeve që kanë në ngarkim këto gjykata, nuk mund të përdoren si argumente për të përligjur vonesat në shqyrtimin e çështjeve. Ngarkesa e gjykatave nuk është argument kushtetues që mund të justifikojë mosgjykimin e çështjeve brenda afateve të përcaktuara nga ligjvënësi. Në të kundërt, është detyrë e këtij të fundit të marrë masat dhe të gjejë mjetet e duhura për ndryshimin e gjendjes faktike (vonesa në shqyrtimin e çështjeve nga Gjykata e Lartë), me qëllim që ligjet të zbatohen dhe gjykatat e të gjitha niveleve të funksionojnë normalisht.
Burimi/Facebook


Leave a Reply