Republikanët e Kosovës e propozojnë zonjën Dr. Vjosa Sadriu Osmani të bëhet presidente e dy shteteve tona Kosovë – Shqipëri.
Teksa Shqipëria po kërkon dëshpërimisht një figurë përfaqësuese, me kontribute kombëtare dhe jopartiake, askush më mirë se Presidentja e Kosovës nuk mund të kryejë një rol përbashkues dhe përfaqësues sesa zonja Osmani.
Zonja Vjosa Osmani është një politikane e zgjuar, me përgatitjen e duhur politike dhe diplomatike, me integritet të lartë e cila ka treguar jo vetëm kurajo por edhe një personalitet të mirëpërcaktuar kombëtar.
Deri më tani ajo jo vetëm si grua e fortë por sidomos si një zonjë e plotësuar intelektualisht dhe e vendosur në qëndrimet e veta ka arritur të përfaqësojë denjësisht Kosovën (shtetin më të ri në Europë) si askush më parë në skenën mediatike ndërkombëtare si edhe duke i zbutur edhe shërbimet protokollare të vendeve ku gruaja nuk zotëron pozicion të lakmueshëm në shoqëri apo politikë.
E përveç të qenurit grua (ku dihet se fuqizimi i gruas është një temë e rëndësishme në diskursin publik ndërkombëtar) zonja Osmani është dëshmuar se para Kosovës dhe Kombit Shqiptar nuk vendos asgjë tjetër.
Nëse ky propozim që Shqipëria dhe Kosova të kenë një president të përbashkët mund t’ju duket utopi nuk jam unë i pari që e deklaroj publikisht. Disa vite më parë ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i cili për interesa krejt populiste pati propozuar në Kuvendin e Kosovës: “të kemi një President/e për dy shtetet tona Kosovë – Shqipëri”!
Propozimi i znj. Osmani nga unë si Republikan nxitet vetëm nga qëllimi për të parë shqiptarët e dy shteteve tona të përfaqësuar nga një figurë përbashkuese.
Sot ka ardhur koha që politika e Kosovës dhe Shqipërisë të lërë anash populizmin dhe interesat e ngushta personale dhe partiake.
Ka ardhur koha që Shqiptarët të bëjnë politikë për interesat Nacionale drejt Ribashkimit Kombëtar dhe hapi i parë do të ishte një presidente e përbashkët Kosovë – Shqipëri.
Faton Kurti
Kryetar i Partisë Republikane të Kosovës
Burimi/Facebook/Autori


Leave a Reply