Loja kukafshehti e Berishës, nuk është gjë tjetër vetëm një sebep, që ai të karikojë sa më shumë situatën për ta lënë pezull, e në fund për t’u bërë kryetar i një Partie Demokratike të Re, pasi do të thotë se të vjetrën e ka në dorë Lulzim Basha.
Loja që po luan Sali Berisha me letrat që paraqiti dje në Konferencën e shtypit në Rogner, nuk është gjë tjetër veçse lojë një kukafshehti me Partinë Demokratike.
Ndërsa paraqiti një tavolinë të mbuluar me pirgje letrash, që i prezantoi para publikut si firma delegatësh, i gjithë ai pirg u fut në dy kuti letrash kancelarie A4.
Nëse blen një kuti të tillë në kancelari, kur fletët janë të presuara nga fabrika, kutia përmban 2500 fletë, ndërkohë me letra të përthyera, të përdorura e të shkruara, mundësia për të futur gjithë atë pirg në dy kuti, është të paktën i dyshimtë.
Por ta lëmë këtë; mënyra sesi po sillet Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, me partinë që ka drejtuar për 30 vjet është realisht një lojë “hapa dollapa”.
Kjo pasi, pirgjet e letrave me firmë, i ka futur në zyrën e Edi Palokës, e po luan symbullurazi me të gjithë opinionin publik.
Ajo parti që drejton Lulzim Basha, mund të mos i pëlqejë Sali Berishës e njerëzve të tij, por që të marrë një iniciativë për të thirrur një Kuvend për të shkarkuar Bashën, nuk ka rrugë tjetër veçse përballjen me strukturat e Partisë Demokratike.
Nëse Sali Berisha, nuk ka besim tek aparati i PD-së, që të paktën në zyrtarët e ulët nuk ka ndryshuar, apo te Basha e Bardhi, duhet të kërkojë një komision të përbashkët për të verifikuar fletët që janë dorëzuar si nismë për të mbledhur Kuvendin.
Pa verifikimin e imët të çdo firmë, nisma mbetet në ajër dhe nuk ka legjitimitetin e duhur, jo thjesht procedurial por edhe formal.
Një organizatë qoftë kjo më e thjeshta, nuk vepron me letër bakalli, por me akte, të cilat janë edhe deklaratat personale të çdo personi.
E mira e të mirave, është që çdo deklaratë do të duhet të firmoset përpara një noteri, por edhe nëse nuk ndodh kështu, është hapi i parë që PD, pra aparati i saj organizativ, të vërtetojë nënshkrimet, nëpërmjet kontrollit si me të dhënat e emrave, por edhe duke kontaktuar personalist me njeriun që ka firmosur.
Ndryshe, nuk mund të hidhet hapi i mëtejshëm i mbledhjes së Kuvendit. Ajo që thotë Edi Paloka, që Kuvendi verifikon mandatet, i përket hapit të dytë, pra rastit kur secili nga delegatët e Kuvendit ka marrë mandatin përkatës, i cili është i regjistruar në protokollin e sekretarisë paraprake që merret me mbledhjen e Kuvendit.
Ky organ nuk mund të mblidhet nga Sali Berisha që është anëtar ex uficio i Këshillit Kombëtar, edhe pse është lideri historik i kësaj partie. Aq më shumë që në këtë rast, Berisha është në konflikt interesi, pasi kërkon vetë të mbledhë Kuvendin për të kontestuar kryetarin.
Pra është palë në këtë çështje. Që situata të marrë një legjitimitet apo të mos ketë kontestim nga palët, do të duhet të paktën të ketë një koordinim bipartizan për procedurat. Ndryshe, çdo nismë apo procedurë e njërës palë do të kontestohet nga tjetra.
Dhe këtë, Sali Berisha, mund ta bënte që ditën e parë kur kërkoi Kuvendin, një hap serioz dhe të qetë në koordinim me palët për të mbledhur e për ta çuar në votim çdo kontestim mes palëve.
Loja kukafshehti e Berishës, nuk është gjë tjetër vetëm një sebep, që ai të karikojë sa më shumë situatën për ta lënë pezull, e në fund për t’u bërë kryetar i një Partie Demokratike të Re, pasi do të thotë se të vjetrën e ka në dorë Lulzim Basha.
Por në këtë rast, Sali Berisha, do të bëjë kopjen e aktit që ndërmori Genc Pollo në vitin 2000. E në çdo rast kopja është surrogato e origjinalit.
Për më shumë, që aksioni politik i doktorit nuk ka asnjë kauzë përveç problemit të tij që ka me SHBA. E cila nuk e konsideron faktor, madje nuk e do edhe aktor politik në vend. Këtë ambasadorja Yuri Kim e bëri të qartë dje, ku natyrisht flet në emër të qeverisë Amerikane.
E kjo parti që po e krijon Sali Berisha, ngjan gjithnjë e më shumë me modelin e Sheshelit, kur e lëshuan si limon të shtrydhur bijtë e tij politik Tomislav Nikoliç e Aleksandër Vuçiç.
Siç e hodhën dhe po e hedhin çdo ditë Berishën; Lulzim Basha e Gazmend Bardhi…
Burimi/Pamfleti


Leave a Reply