Vendimi për hapjen e konsullatave të ndërsjella midis Shqipërisë dhe Sërbisë , ka aktualisht disa mënyra interpretimi në diskursin publik. Ndërsa elementet kryesore të këtij debati, lidhen kryesisht me vlerësimin e funksionit dhe rëndësisë së konsullatës serbe në Shkodër, si dhe konsullatës shqiptare në Luginën e Preshevës, si dhe pragmatizmit të njëanshëm politik të hapjes së tyre. Megjithate dominon diskursi se shqiptarëve po u shitet si ‘’reciprocitet’’ njeri nga aktet më makabre të nënshtrimit të tij diplomatik. Dhe se kjo është hapje e dyerve të Veriut të Shqipërisë interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Sërbisë. E se kjo seli diplomatike në kryeqendrën e Shqipërisë Veriore në Shkodër, po i bëhet dhuratë Beogradit me vetëdije, duke rrezikuar pasoja të rënda për vendin.
Këto raportime se Sërbia do të hapë një konsullatë në Shkodër nuk janë thjesht një lajm diplomatik. Ato janë provë shumë serioze për shtetin shqiptar, për politikën e Tiranës dhe vetë ndërgjegjen dhe interesin tonë kombëtar. Sepse ka momente kur historia nuk vjen me tanke. Ajo vjen me dokumente, dhe me vendime qeveritare, dhe me heshtjen e atyre që detyrë kanë mbrojtjen e interesit kombëtar.
Shkodra nuk është një qytet i rëndomtë. Shkodra është themeli mbi të cilin u ndërtua identiteti ynë kombëtar. Shkodra është qyteti i qëndresës, i kulturës, i identitetit tonë kombëtar, i dijes dhe sakrificës . Shkodra është qyteti që nuk u përkul e nuk u mposht as para pushtuesve e as para perandorive. Shkodra është ëmblema e identitetit tonë kombëtar dhe vetë shqiptarisë. Dhe nuk është e rastit që Sërbia ia ka mësyer pikërisht Shkodrës. Kjo është e menduar dhe planifikuar me hollësi. E Sërbia, ka kohë që shfaqë pretendime të hapura territoriale ndaj saj, duke e quajtur djep të kulturës serbe.Pranaj çdo vendim që lidhet me Shkodrën nuk është thjesht administraativ. Është kombëtar.
Prandaj gabojnë ata të cilët hiqen sikur nuk e dijnë se ky vendim nuk është as administrativ e as protokollar.
Ky është një vendim shumë serioz që prekë thelbin e interesit tonë kombëtar. E historia kërkon kujtesë. Sërbia nuk ka mbyllur kapitullin e konfliktit dhe përgjegjësisë ndaj shqiptarëve. Dhe veprimet nuk duan naivitet. Sepse kur një shtet nuk arrin të mbrojë interesin e tij shtetëror, të tjerët përpiqen të depërtojnë e t’i përparojnë të tyret. Dhe shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë naivitetin e tyre historik! E historia nuk kërkon nga ne hakmarrje. Historia kërkon kujtesë .
Shikuar nga një perspektivë analitike, vet konsullata nuk kufizohet vetëm në ofrimin e shërbimeve konsullore për qytetarët e një shteti në territorin e një shteti tjetër. Ky është shërbimi më i paktë që ajo bën, dhe funksioni më i vogël që ajo mund të ketë.
Konsullatat përbëjnë instrumente të politikës së jashtme, të cilat shërbejnë për zhvillimin e kontakteve politike, ekonomike, kulturore, informative dhe institucionale.
Prania e pretenduar konsullore e Sërbisë në Shkodër, duhet analizuar në kontekstin më të gjërë të interesave historike dhe gjeopolitike të Sërbisë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është botërisht e njohur narrativa serbe dhe pretendimi i vjetër serb, për Shkodrën dhe kalanë e saj si qendër e kulturës serbe. Është kjo pjesë e një diskursi që herë pas here shfaqet në mediat dhe qarqet nacionaliste serbe. Një nga rastet më të njohura është dokumentari i Radio Televizija Srbije me titull ‘’ Skadar- srpska prica (‘’ Shkodra- histori sërbe’’), transmetuar fillimisht në vitin 2010 dhe i ritransmetuar më vonë.
Më pas, shumë herë është propaguar hapur në media dhe disa institucione serbe të kulturës, se liqeni i Shkodrës dhe zonat përrreth, përfaqësojnë një hapësirë të trashëgimisë kryesisht serbe, mbështetur në praninë historike të kishave ortodokse dhe periudhave të sundimit serb.
Dhe atyre , që hapur kanë pretendime territoriale ndaj Shkodrës tonë, kryeqytetit të Shqipërisë Veriore, ne duam t’u ofrojmë konsullatë në Shkodër ?!!
Kjo nuk guxon të ndodhë, në asnjë mënyrë!!!
E të mos flasim pastaj, për ate, se Kosova akoma sot, 27 vjet pas luftës, kërkon fëmijët e vet në varrezat masive të Sërbisë !
E ne t’i japim konsullatën Sërbisë në Shkodër ?!!!!
Është normale pastaj të besohet se ka një vazhdimësi midis këtyre narrativave historike, që nuk kanë pushuar asnjëherë, dhe interesit të Sërbisë së sotme për të forcuar praninë e saj diplomatike e kulturore në Shkodër.
Përveç kësaj nga historia dhe politika është trajtuar shumë shpesh edhe çështja e interesit të shtetit serb për dalje në Adriatik, si pjesë e projekteve të ndryshme strategjike që nga shekulli i XIX. Në këtë kuadër Rusia është trajtuar në analizat historike si një aktor me interes të qëndrueshëm në rritjen e ndikimit të saj në Ballkan, dhe në sigurimin e aksesit strategjik drejt deteve të ngrohta, përfshirë Adriatikun.
Nga ky këndëvështrim , prania konsullore në Shkodër mund të analizohet si pjesë e rrjetit diplomatik dhe institucional të Sërbisë në rajon, i cili potencialisht mund të shërbejë për zgjërimin e komunikimit dhe ndikimit të saj në nivel lokal dhe rajonal.
Në mënyrë të ngjashme, konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës, duhet vlerësuar në kuadër të funksioneve të saj zyrtare konsullore dhe të kufizimeve që rrjedhin nga korniza ligjore dhe institucionale e shtetit pritës, Sërbisë. Dhe natyrisht duke pasur parasysh spastrimin etnik të heshtur e malicioz , të shqiptarëve, që Sërbia vazhdon t’a ushtrojë në Luginën e Preshevës!
Ka argumentime boshe e të pabaza , se kjo marrëveshje e këmbimit të konsullatave është e mirë, dhe me interes për ne. Sepse, sipas tyre shteti shqiptar do të jetë pranë mbi 100.000 shqiptarëve të Luginës, ndërsa Sërbia pranë 50 serbëve në Shkodër. Kjo qasje ndaj kësaj çështjeje, është e redukuar , e degjeneruar, e zvetënuar dhe e deformuar. Sërbia nuk ka nevojë për konsullatë në Shkodër . Sërbia nuk vjen në Shkodër për t’u kujdesur e për t’i mbështetur 50 serbë. Konsullata e saj do të ketë një rol shumë më të gjërë se shërbimet konsullore. Konsullata nuk është vetëm institucion që ofron shërbime administrative. Ajo është në radhë të parë, instrument i politikës së jashtme të një shteti. Prandaj hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk mund të vlerësohet vetëm mbi bazën e numrit, aq më pak të këtij numri simbolik të qytetarëve serbë që jetojnë atje. Shqetësimi ynë real është se ajo mund të shërbejë si një qendër e rëndësishme e veprimtarisë informative në funksion të interesave shtetërore të Sërbisë , me pasoja të mundshme për sigurinë dhe interesat shqiptare.
Ndërkohë që konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës, do të veprojë në një mjedis ku institucionet e sigurisë serbe ushtrojnë kontrroll të gjërë. Shto këtu spastrimin e heshtur etnik të shqiptarëve atje. Për këtë arësye, është vështirë të besohet se ajo do të ketë hapësirën e duhur për të zhvilluar një veprimtari të lirë dhe efektive në mbështetje të gjuhës, kulturës dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Luginës, siç pretendojnë disa.
Prandej , barazimi i këtyre dy konsullatave është një gabim serioz analitik. Njëra ndodhet në zemër të shtetit shqiptar, në një qytet me rëndësi të veçantë historike dhe strategjike, tjetra vepron në një mjedis ku liria e veprimit do të jetë domosdoshmërisht e kufizuar. Ndaj barazimi i këtyre dy konsullatave , nuk është diplomaci , por një kapitullim i pastër i shtetit shqiptar dhe ofendim i rëndë i inteligjencisë kombëtare.
Ky vendim nuk duhet parë e as trajtuar si një gjest i zakonshëm diplomatik. Ky vendim i Qeverisë së Shqipërisë nuk mund të shihet thjesht si një akt diplomatik rutinë. Ai ngre shumë pikëpyetje mbi pasojat e mundshme strategjike dhe kërkon një vlerësim të kujdesshëm të rreziqeve dhe përfitimeve në raport me interesin tonë madhor kombëtar. Ky akt duhet analizuar në dritën e historisë, përvojave politike e diplomatike, në dritën e interesave afatgjata gjeopolitike në Ballkan. Si dhe detyrimit që çdo qeveri shqiptare ka , në radhë të parë, e mbi të gjitha, për mbrojtjen e interesit kombëtar.
Nuk duhet ndonjë njohje e thellë historike, politike e diplomatike për t’a njohur qëllimin djallëzor serb dhe naivitetin shqiptar, për t’a pasur të qartë objektivin e këtij propozimi serb dhe prapavinë e tij. Nëse kjo ndodhë, atëherë padyshim në Shkodër, pra në kryeqytetin e Shqipërisë së Veriut, do të vendoset një stacion legal i shërbimit të sigurimit serb të BIA-s, një qendër e fuqishme spiunazhi, e cila ka prioritet destabilizimin e kombit shqiptar.
Ndaj është detyrë mbi detyrat, sa ka ende kohë, të anulohet ky vendim i rrezikshëm i cili cenon interesin tonë madhor kombëtar, duke qenë kapitullim i pastër i shtetit tonë dhe lojë e turpshme me kujtesën e popullit shqiptar dhe vetë inteligjencinë e kombit tonë!
Sepse qeveritë vijnë e shkojnë, ndërsa kombi dhe interesi kombëtar është i përjetshëm.
Prof. Dr. Luljeta Pula
Burimi/Facebook


Leave a Reply