drejtuar:
Ministrit të punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë,
Zotit Ferit Hoxha.
Për dijeni:
Kryeministrit Edi Rama.
Për dijeni:
Presidentit të Republikës,
Zotit Bajram Bega.
NAIVITETI I KONSULLATAVE, DIPLOMACIA E VOGËL DHE LOJA E MADHE GJEOPOLITIKE!
Vendimi për hapjen e konsullatave të ndërsjella midis Shqipërisë dhe Sërbisë , aktualisht ka shumë mënyra interpretimi në diskursin publik. Ndërsa elementet kryesore të këtij debati, lidhen kryesisht me vlerësimin e funksionit dhe rëndësisë së konsullatës sërbe në Shkodër, si dhe konsullatës shqiptare në Luginën e Preshevës, si dhe pragmatizmit të njëanshëm politik të hapjes së tyre.
Shikuar nga një perspektivë analitike, vet konsullata nuk kufizohet vetëm në ofrimin e shërbimeve konsullore për qytetarët e një shteti në territorin e një shteti tjetër. Ky është shërbimi më i paktë që ajo bën, dhe funksioni më i vogël që ajo mund të ketë.
Konsullatat përbëjnë instrumente të politikës së jashtme, të cilat shërbejnë për zhvillimin e kontakteve politike, ekonomike, kulturore, informative dhe institucionale.
Prania e pretenduar konsullore e Sërbisë në Shkodër, duhet analizuar në kontekstin më të gjërë të interesave historike dhe gjeopolitike të Sërbisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është botërisht e njohur narrativa sërbe dhe pretendimi i vjetër sërb, për Shkodrën dhe kalanë e saj si qendër e kulturës sërbe. Është kjo pjesë e një diskursi që herë pas here shfaqet në mediat dhe qarqet nacionaliste sërbe. Një nga rastet më të njohura është dokumentari i Radio Televizija Srbije me titull ‘’ Skadar- srpska prica (‘’ Shkodra- histori sërbe’’), transmetuar fillimisht në vitin 2010 dhe i ritransmetuar më vonë.
Më pas, shumë herë është propaguar hapur në media dhe disa institucione serbe të kulturës, se liqeni i Shkodrës dhe zonat përrreth përfaqësojnë një hapësirë të trashëgimisë kryesisht sërbe, mbështetur në praninë historike të kishave ortodokse dhe periudhave të sundimit sërb.
Dhe të tillëve që hapur kanë pretendime territoriale ndaj Shkodrës tonë, kryeqytetit të Shqipërisë Veriore, ne duam t’u ofrojmë konsullatë në Shkodër?
Kjo nuk mund të ndodhë, në asnjë mënyrë!
Është normale pastaj të besohet se ka një vazhdimësi midis këtyre narrativave historike, që nuk kanë pushuar asnjëherë, dhe interesit të Sërbisë së sotme për të forcuar praninë e saj diplomatike e kulturore në Shkodër.
Përveç kësaj nga historia dhe politika është trajtuar shumë shpesh edhe çështja e interesit të shtetit sërb për dalje në Adriatik, si pjesë e projekteve të ndryshme strategjike që nga shekulli i XIX. Në këtë kuadër Rusia është trajtuar në analizat historike si një aktor me interes të qëndrueshëm në rritjen e ndikimit të saj në Ballkan, dhe në sigurimin e aksesit strategjik drejt deteve të ngrohta, përfshirë Adriatikun.
Nga ky këndëvështrim , prania konsullore në Shkodër mund të analizohet si pjesë e rrjetit diplomatik dhe institucional të Sërbisë në rajon, i cili potencialisht mund të shërbejë për zgjërimin e komunikimit dhe ndikimit të saj në nivel lokal dhe rajonal.
Në mënyrë të ngjashme, konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës, duhet vlerësuar në kuadër të funksioneve të saj zyrtare konsullore dhe të kufizimeve që rrjedhin nga korniza ligjore dhe institucionale e shtetit pritës, Sërbisë.
Ka argumentime boshe e të pabaza , se kjo marrëveshje e këmbimit të konsullatave është e mirë dhe me interes për ne. Sepse, sipas tyre shteti shqiptar do të jetë pranë 100.000 shqiptarëve të Luginës, ndërsa Sërbia pranë 50 sërbëve në Shkodër. Kjo qasje është e redukuar , e degjeneruar, e zvetënuar dhe e deformuar ndaj kësaj çështjeje. Sërbia nuk ka nevojë për konsullatë në Shkodër. Sërbia nuk vjen në Shkodër për t’u kujdesur e për t’i mbështetur 50 sërbë. Konsullata e saj do të ketë një rol shumë më të gjërë se shërbimet konsullore. Konsullata nuk është vetëm institucion që ofron shërbime administrative. Ajo është edhe instrument i politikës së jashtme të një shteti. Prandaj hapja e një konsullate sërbe në Shkodër nuk mund të vlerësohet vetëm mbi bazën e numrit, aq më pak të këtij numri simbolik të qytetarëve sërbë që jetojnë atje. Shqetësimi ynë real është se ajo mund të shërbejë si një qendër e rëndësishme e veprimtarisë informative në funksion të interesave shtetërore të Sërbisë , me pasoja të mundshme për sigurinë dhe interesat shqiptare.
Ndërkohë që Konsullata Shqiptare në Luginë të Preshevës do të veprojë në një mjedis ku institucionet e sigurisë sërbe ushtrojnë kontrroll të gjërë. Për këtë arësye, është e vështirë të besohet se ajo do të ketë hapësirën e duhur për të zhvilluar një veprimtari të lirë dhe efektive në mbështetje të gjuhës, kulturës dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Luginës, siç pretendojnë disa.
Prandej , barazimi i këtyre dy konsullatave është një gabim serioz analitik. Njëra ndodhet në zemër të shtetit shqiptar, në një qytet me rëndësi të veçantë historike dhe strategjike, tjetra vepron në një mjedis ku liria e veprimit do të jetë domosdoshmërisht e kufizuar.
Ky vendim nuk duhet parë e as trajtuar si një gjest i zakonshëm diplomatik. Ky vendim i Qeverisë së Shqipërisë nuk mund të shihet thjesht si një akt diplomatik rutinë. Ai ngre shumë pikëpyetje mbi pasojat e mundshme strategjike dhe kërkon një vlerësim të kujdesshëm të rreziqeve dhe përfitimeve në raport me interesin madhor kombëtar. Ky akt duhet analizuar në dritën e historisë, përvojave politike e diplomatike, në dritën e interesave afatgjata gjeopolitike në Ballkan. Si dhe detyrimit që çdo qeveri shqiptare ka , në radhë të parë, e mbi të gjitha, për mbrojtjen e interesit kombëtar.
Nuk duhet ndonjë njohje e thellë historike, politike e diplomatike për t’a njohur qëllimin djallëzor sërb dhe naivitetin shqiptar, për t’a pasur të qartë objektivin e këtij propozimi sërb dhe prapavinë e tij. Nëse kjo ndodhë, atëherë padyshim në Shkodër, pra në kryeqytetin e Shqipërisë së Veriut, do të vendoset një stacion legal i shërbimit të sigurimit sërb të BIA-s, një qendër e fuqishme spiunazhi, e cila ka prioritet destabilizimin e kombit shqiptar.
Ndaj është detyrë mbi detyrat, sa ka ende kohë, të anulohet ky vendim i rrezikshëm i cili cenon interesin tonë madhor kombëtar.
Sekretare e Mardhënieve Ndërkombëtare
Prof.Dr. LULJETA PULA
Kryetari
Ing.Jur. DASHAMIR URUÇI
Sekretare e Përgjithshme
MSc. NURIE MALIQI BADUNI
FIRMA E VULA.
Prishtinë-Tiranë, më 31.07.2026
Burimi/Facebook/KUVENDI KOMBËTAR SHQIPTAR-USHC/Nurie Maliqi Baduni


Leave a Reply