Unë jam Edi dhe dua të jetoj. Kjo Thirrje vjen nga një 13 vjeçar i cili ashtu si shumë vogëlushë të tjerë janë në gjakmarrje. Zëri i pushkës ende ndihet në zonat veriore të vendit. Qindra familje janë ngujuar, djem e burra, jetojnë me frik se një ditë gjaksi do t’u marrë jetën. Në tubimin paqësor të organizuar në qytetin e Shkodrës nga Lëvizja Shqipëria e Re dhe Alternativa Civile dhjetra të rinj lëshuan mesazhe paqeje për ti dhënë fund fenomenit të shëmtuar të gjakmarrjes.
Në qiell u ngrit me tollumbace plo ngjyra vizatimi i këtij 13 vjeçari i cili ashtu si të gjithë bashkëmoshatarët e tij dëshiron një jetë normale larg dhunës dhe frikes. Aty shkruhet : “ Respekt dhe dashuri për një jetë të lumtur. Se jeta është e shkurtër, s’ka kohë për të humbur. Gjakmarrja është sëmundje që po na vret pa mëshirë. A nuk kemi të drejtë të jetojmë të lirë? Thirrja u ngjit në qiell. Edi ashtu i qeshur plot dëshirë për të jetuar mori fjalën i pari. Në duar mbante fotografinë e Marias, e cila u shua barbarisht nga dora e një gjakatari për të cilin ende nuk dihet asgjë. Ai tha :-“Unë nuk jam armiku juaj. Nuk kam bërë asgjë. Më lini të jetoj”… dhe tullumbacët pushtuan qiellin. Të grupuar, të rinj, burra e gra marshuan me qirinj në duar përgjat pedonales së qytetit të Shkodrës. Në dalje të saj organizohej festivali i fëmijëve. Një edicion i përvitshëm, traditë e këtij qyteti artëdashës.
Aty sytë rrokin një tjetër pamje. Fëmijë të qeshur, të veshur në uniforama plot ngjyra, përgatiten të performojnë në muzikë apo edhe kërcim. Kjo është e zakonshmja. Edi, Maria apo qindra fëmijë të tjerë do të donin të ishin sëbashku me ta, dhe jo të ngujuar me frikën se një ditë dikush do t’u marrë jetën. Në pamundësi për të biseduar me Edin pasi ai shoqërohej dhe ruhej vazhdimisht biseduam me miqtë e tij të cilët u solidarizuan për të ngritur zërin kundër gjakmarrjes. “Edi është shumë i dashur është një nga miqtë e mi më të mirë. Familja e tij ka dhjetë vjet që është në gjak” thote një nga mikeshat e 13 vjeçarit.Vogëlushi shoqërohet çdo ditë për në shkollë nga nje furgon i cili sigurohet nga familjarët. Sipas kësaj 13 vjeçareje shumë fëmijë të tjerë që janë në gjak për shkak të të ardhurave të pakta që ka familja nuk arrijnë dot të shkollohen. Jeta e tyre është akoma edhe më e izoluar, larg të përditshmes ata jetojnë me frikën se një ditë nuk do të jenë më. Ndihma e vetme që jep shteti për ta është 400 lekë të reja.
E ndërkohë shoqëria civile sensibilizon, kërkon drejtësi në emër të këtyre familjeve. Me mesazhin se nuk duhet të ketë më raste si Maria e cila u shua padrejtësisht. Mësuam nga të pranishmit se në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës ka dhjetra famije të tjera të cilat të ngujuara presin një zgjidhje nga shteti. Presin që drejtësia të marrë frerët dhe të japi zgjidhje deri në zhdukje të gjakmarrjes, shëmbëlltyrë që duhet të dënohet nga ligji.
Eriselda Martini
http://shkodra.ws/lajme/13-vjecari-ne-gjak-kerkon-te-jetoje
Per”Alba – Dansk ” Shkodrani


Leave a Reply