Lavdosh Ferruni
“Ky tërmet do ndryshojë për mirë historinë e kombit shqiptar aq sa do thuhet.. para dhe pas tërmetit..”-shkruan aktivistja e shoqërisë civile, Brizida Gjikondi. Unë besoj se kjo do ndodhi. Nervi i reagimit publik, mes njerëzve në këto ditë post-tërmet do të sjellë ndryshimin e dëshiruar dhe projektimin e një shteti me profil të qartë europian të Shqipërisë. Ja në këto rreshta më poshtë edhe nervi im i reagimit.
Le ta fillojmë nga projektuesit e ekspertët e ndërtimit lidhur me tërmetin. Në emisionin e të Hënës tek Top Channel avokat Ngjela pati një shpërthim mosbesimi ndaj ekspertëve shqiptarë, që i konsideronte si përgjegjës në këtë situatë të shkatërrimeve të tërmetit të 26 Nëntorit dhe që nuk mund të ishin ata të besuarit e ndryshimit të situatës së emergjencës, duke i parë ata si mëkatar të pasojave shkatërrimtare të tërmetit. Në studion e News 24 fliste bukur një projektues, që u prezantua dhe është pedagog në inxhinierinë e ndërtimit, Arben Dervishaj.
Diku tjetër kryetari i opozitës që parashtronte idenë e heqjes së koncesioneve dhënë oligarkëve, për të ja kaluar fondit të rindërtimit. Duke bërë lidhjen e këtyre 3 folësve menjëherë gjykova se me urgjencë duhen rishikuar koncesionet, ku është prezent jo vetëm mosbesimi publik dhe i opozitës, por edhe realiteti degjenerativ i dukshëm. Rasti. Koncesioni i inceneratorit të Fierit.
Ka një oponencë të bërë nga fakulteti i inxhinierisë së ndërtimit prej një grupi prej 6 vetësh në vitin 2017. Ndër të tjera grupi shkruan se mungon studimi gjeologo-inxhinierik për sheshin e ndërtimit. Tjetër, shkruan se grupit të punës nuk i është vënën në dispozicion një vërtetim sizmik në lidhje me sizmicitetin e zonës.
Edhe pse grupi i punës nuk i kishte këto studime, grupi del në përfundimin se “projekti është konceptuar drejt si dhe konsulenti ka arritur t’i japë zgjidhje kërkesave bazë të detyrës së projektimit”. A ka të drejtë Ngjela të revoltohet me këta ekspertë? Për dijeni të publikut inceneratori po ndërtohet në Verri të Fierit, po ndërtohet mbi një truall ish-kënetë, ndërsa koncesioni është miratuar në një tokë tjetër (në Portëz) disa kilometra më tutje.
Në vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit rezulton se projektues i incineratorit është edhe AVE Consulting sh.p.k, ku administrator është pikërisht Arben Dervishaj, që tashmë po ligjëron për sizmicitetin. Arbeni ka projektuar pa konsideruar sizmicitetin. A ka të drejtë të revoltohet Ngjela? A kam të drejtë të revoltohem unë? Kemi të drejtë të revoltohemi të gjithë? Me bindje e them se nuk është rast i shkëputur.
Qindrat e HEC-eve të vegjël që thajnë përrenjtë e lumenjtë janë firmosur nga ekspertët e mjedisit dhe pedagogë si Arbeni, që thonë se nuk i ndodh asgjë lumit, gjallesave dhe njerëzve që jetojnë pranë lumit, edhe pse e kanë të qartë se vetë lumi nuk ekziston më, nëse nuk ka ujë në të. A duhet të reagojmë nga kjo sjellje e ekspertëve dhe projektuesve? Besoj se po? Tani, vërtet tani, sot duhet reaguar, për atë që është edhe emergjencë. Qeveria dhe mazhoranca duhet menjëherë, lidhur për shembull me koncesionet e inceneratorëve, të reagojë, t’i anulojë. Fondet e çliruara prej tyre mund të shkojnë për rindërtim e për zhvillim të qëndrueshëm. Subvencionet që ka planifikuar për të majmur ndërtuesit e HEC-eve, që po shkatërrojnë jetën e njerëzve në male duke i detyruar të zbresin në kënetat e ultësirës së vendit mund të hiqen menjëherë. Reagimi në shoqërinë shqiptare sapo ka filluar. Pas tërmetit ditë më të mira do vijnë.
Burimi/Shekulli


Leave a Reply