Nga Arben Manaj
E di, e di, që shumë nga ju që sapo lexoni, do habiteni dhe shqetësoheni për titullin dhe nentekstin e tij. Për ju e kam më shumë këtë shkrim, për ju që habiteni dhe shqetësoheni për “moskujdesin tim” të qëllimtë.
Pavarësisht, se Berisha deklarohet për Mauzoleumin e ish- Mbretit ( gjë që nuk e besoj personalisht), se e vlerëson kaq shumë Zogun, kur i sikterisi të birin në 97-ën, apo se i duhet të shmang vëmendjen nga gjëra të tjera dhe këtu është bërë mjeshtër i “spin doctoring”, padyshim që Kryeministri do e bëj kur ja kërkon vetja, një Mauzoleum ish-monarkut .
“Në historinë tonë kemi pasur qëndresa, tradhtira, pasi në fund të fundit, atë që ia kemi bërë vetes ne shqiptarët, nuk na e ka bërë kush. Por, e vërteta ishte se Ahmet Zogu ishte një figurë e ndaluar në historinë shqiptare”, tha Berisha.
Të paktën kësaj here tregohet i sinqertë kryeministri kur thotë se “atë që ia kemi bërë vetes ne shqiptarët, nuk na e ka bërë kush”. Fatkeqësisht edhe ai nuk ka dalë nga rreshti dhe nga norma në këtë pikë.
Vlerësimi i figurës së ish-Mbretit Zog, nuk mendoj se është i vonuar, sesa thjesht ende i nxituar. Por meqë vazhdon inercia që fituesit bëjnë dhe shkruajnë historinë, njëlloj si deri përpara 22 vjetësh, lind nevoja e një reflektimi dhe “numërimi deri në dhjetë”, në shënjë vetpërmbajtje nga vrreri dhe tundimi i fuqishëm për revansh ndaj kundërshtarit ideologjik, që të ka mundur dikur.
Figura e Zogut në sfondin dhe kontekstin e Mauzoleumit, është ngritur në nivelin e figurave të tjera ndikuese në historinë e Shqipërisë, sic është Enver Hoxha.
Fatkeqësia jonë e përbashkët qëndron në të moskuptuarit akoma të faktit të pakundërshtueshëm se brezi ynë i te vdekshëmeve, nuk mundet dhe nuk është ende në gjëndje, të bëj një vlerësim të qetë, të ftohtë, ta paanshëm dhe realist të vlerave të këtyre figurave kontraverse të Shqipërisë së 100 vjetëve të fundit.
Nuk jemi, pasi kush më shumë e kush më pak, përfshi edhe mua normalisht, kemi jetuar ose në kohën e tyre ose në kohën kur ata demonizonin ish kundërshtarët ose paraardhësit e tyre politike, dhe në një farë mënyre jemi të indoktrinuar për mirë a për keq, me dogma dhe të vërteta të paplota ose të pavërteta dhe spekullime të mirëfillta.
Konkretisht, Zogu është një figurë mjaft komplekse dhe me shumë dritë-hije, vlerat dhe antivlerat e të cilit, janë ende të pa evidentuara plotësisht.
Thënë kjo, ngritja e një Mauzoleumi për Zogun , për mendimin tim, nuk ka asgjë të keqe, pasi në fund të fundit, duam apo nuk duam ne të gjithë, ai është një fakt historik edhe pse deri diku tragjik, por padyshim edhe komik në historinë e shtetit shqiptar.
Padyshim, që nuk është sic e ka cilësuar Enveri, pasi ka pasur vizonin për të ndërtuar shtetin me tipare oksidentale dhe elementët fillestar të tij i instaloi, edhe pse në një vënd të tejpopullar me njerëz me tumane dhe që nuk dinin të shkruanin emrin e tyre.
Por Zogu ishte edhe një njeri që shiti tokë shqiptare për të ardhur në pushtet, i ndihmuar nga armiqtë tradicional të shqiptarëve, serbët.
Madje, vodhi thesarin e atij shteti që tentoi të ngrinte, të cilin ja njeh për meritë Kryeministri i rradhës, edhe pse ky është i njëjti Kryeministër që e përzuri me ceremoni të birin e Zogut, Leka Zogun në 97-ën!
Por një Mauzoleum për Zogun e konsideroj të vlefshëm edhe në aspektin turistik. Duam apo s’duam ne, Zogu dhe Hoxha, janë dy emrat që më përmendin shumica e anglezëve, që pretendojnë se dinë dicka nga historia e Shqipërisë së izoluar gjatë Luftës së Ftohtë.
E Mbretëritë, edhe si kjo e jona, jetëshkurtër, artificiale dhe pak gjak blu, përgjithësisht e kanë një vlerë turistike.
Ndaj në këtë sens, një Mauzoleum për Zogun do të kishte vlera turistike për cdo turist të brëndshëm dhe të huaj, deri diku.
Por ajo që të irriton në mentalitetin shqiptar të fitimtarit, është fakti meqë unë jam sot në pushtet, unë do vendos se cili do piedestalizohet dhe cili do demonizohet.
E njëjta llogjikë dhe mënyrë veprimi, si edhe në kohën e Enverit. E meqë jemi tek Enveri, unë do thoja se krahas Zogut, që do ketë Mauzoleum , do ishte shumë mirë ta kishte edhe Enveri ose të ruhej ai muze që kishte.
Edhe Enveri nuk ishte më i mirë se Zogu, në shumë aspekte, si në luftën kundër kundërshtarëve të tij politik, luftën e tmerrshme dhe idioteskte të klasave, dhe eksperimentet politike edhe pse ishte një njeri që kishte jetuar në Perëndim, për dallim nga Zogu.
Por krahas shumë të metave të mëdha, ai mbetet njeriu që cliroi Shqipërinë në bashkëpunim me aleatët, nga zgjedha e huaj me partizanët e tij idealistëe dhe patriot, ndërtoi një Shqipëri që nga Zogu e trashëgoi injorante dhe të prapambetur, dhe e izoloi njëlloj si Koreja e sotme e Veriut.
Por ndryshe nga Zogu, ai nuk shiti dhe nuk dha toka apo hapsira ujore nga territori shqiptar, as për të ardhur në pushtet, as për ta mbajtur atë, sic ka ridalë sot moda!
Normalisht, edhe për të, një Mauzoleum apo museum, do kishte të njëjtat vlera, si ato që përmënda edhe për Zogun. Madje, edhe informuese dhe edukuese për brezat e ardhshëm për të mos bërë ato gabime, si dhe për të kuptuar sesi ka qënë dhe si ka ndryshuar vëndi.
Por përvec këtyre dy figurave të spikatura dhe të debatueshme të kombit, ka edhe të tjera që meritojne jo më pak si Noli, e ndonjë tjetër.
Historia absolutisht nuk rijetohet ndryshe nga sic ka ndodhur në realitet, sipas tekave dhe dëshirave të atyre, që janë në krye të shtetit në një moment të caktuar.
Dhe historia e vëndeve të tjera të zhvilluara dhe më të qytetëruara sesa kjo e jona, e paracivilizuar, dhe parademokratike, na mëson se figurat e tyre politike, aventurier, monarkë apo revolucionar, respektohen për aq sa kanë dhënë dhe kontribuar realisht.
Por nuk hidhen poshtë pa të drejte rikthimi dhe rivlerësimi ne momentin adekuat.
Njëkohësisht, kjo histori dhe traditë e këtyre vëndeve, dhe nuk ja vlen të përmënd këtu shembujt, si nga Anglia, Rusia, Gjermania, italia apo edhe ish-Jugosllavia, na mëson edhe një leksion të vlefshëm akoma të pa nxënë.
Pikërisht atë që; brezat që kanë jetuar afër në kohë me këto figura, janë të paaftë të bëjnë një vlerësim të saktë dhe të plotë të meritave dhe mëkateve, që kanë pasur këto figura, që në një gjë janë motamo, si cdo qënie njerëzore; janë të paplotësuar, shpesh të baltosur, jo perfekt dhe me dritë-hijet unikale.
Berisha ashtu si Enveri, e kushdo tjetër, nuk mund të cbëjnë ose mohojnë faktin se Ismail Qemali, psh, ishte ai që ngriti flamurin në Vlorë, apo që Zogu ishte Mbreti i vetshpallur i shqiptarëve, apo që Enver Hoxha ishte njeriu që drejtoi shqiptarët për 50 vjet gjatë komunizmit, apo që Berisha ishte mjek i “Bllokut” komunist e më pas drejtuesi i levizjës prodemokratike apo presidenti i 97-ës, Kryeministri në ditën e hyrjes së Shqipërisë në NATO e kryeministër-“burre shteti” në 21 janar kur trupat e tij qeveritare vranë 4 vetë në mes të Evropës.
As ata që do vijnë pas Berishës, dhe që nuk duan ti degjoj as emrin, do dështojnë pamëdyshje, njësoj si Berisha me Enverin apo Enveri me Zogun, kur të vlerësojnë menjëherë figurën e Berishës apo bashkëfajtorëve dhe bashkëvuajtësve të epokës së tij .
Gjëja e vetme me vlerë, që cdo brez mund të bëjë për figurat e kohës së tyre, është minimalisht të konservoj dhe mos shkatërroj faktet dhe dokumentat, shumë më lehtë në epokën e sotme të internetit për ti arshivuar, që do të mundësonin në rastin më fatlumë, ata që janë sot në kromozomet e nipërve dhe mbesave të tyre, për te bërë një vlerësim relativisht realist dhe të plotë të historisë, me heronjtë dhe antiheronjtë e saj respektiv.
Tema
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply