Kryetari i Partisë Kombëtare Konservatore Albania, z. Nikoll Gjekaj – Dega Malësi e Madhe
Në dëgjesat publike të vitit të kaluar, si një opozitar i drejtë dhe dinjitoz, shpreha një pjesë të shqetësimeve dhe kërkesave të vëllezërve e motrave malësorë, drejtuar Kryetarit të Bashkisë, z. Tonin Marinaj, dhe kabinetit të tij qeverisës vendor.
Ndër problemet kryesore që ngritëm ishin:
* Transporti publik, i cili kërkon një zgjidhje të qëndrueshme dhe në shërbim të qytetarëve.
* Qendrat shëndetësore, ku ambientet dhe mënyra e menaxhimit në shumë raste nuk plotësojnë standardet e nevojshme për shërbimin ndaj qytetarëve.
* Rikonstruksioni i linjave elektrike në lagjet dhe zonat e Malësisë.
* Investimet në shkolla, veçanërisht krijimi i ambienteve sportive dhe fushave të vogla sportive për fëmijët dhe të rinjtë.
* Menaxhimi i mbetjeve, një problem që kërkon më shumë përgjegjësi dhe ndërhyrje konkrete.
* Pajisja me dokumentacion ligjor e shtëpive dhe pronave, si dhe zgjidhja e problematikave të pronësisë mbi tokën.
* Subvencionet, të cilat duhet të shkojnë tek ata që e punojnë realisht tokën dhe kanë nevojë për mbështetje.
* Mbështetja e bizneseve të reja, në mënyrë që të rinjtë e Malësisë së Madhe të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen këtu dhe të mos e shohin emigrimin si të vetmen alternativë.
* Mbështetja për personat me aftësi të kufizuara, të cilët për shumë vite janë lënë në harresë dhe kanë nevojë për më shumë përkujdesje dhe përfshirje.
Por mbi të gjitha, sot po përballemi me një problem që ka dalë jashtë çdo kontrolli: furnizimi me ujë të pijshëm.
Malësorët po e vuajnë në maksimum këtë situatë, veçanërisht moshat e treta, të cilat kanë më shumë nevojë për një shërbim të rregullt dhe dinjitoz. Uji i pijshëm nuk është luks dhe as privilegj politik; është një e drejtë bazë e çdo qytetari.
Si konservator, do të jem pranë çdo malësori që beson tek Asambleja Konservatore Malësi e Madhe dhe tek një opozitë që e bën detyrën e saj me dinjitet, përgjegjësi dhe pa kompromise me problemet e qytetarëve.
Ne nuk premtojmë mrekulli. Ne premtojmë të ngremë zërin, të kërkojmë llogari dhe të jemi pranë qytetarëve.
Malësia meriton më shumë. Malësorët meritojnë respekt, shërbime dhe zhvillim.
Burimi/Facebook/Partia Konservatorealbania Malsiaemadhe


Leave a Reply