Dje mora pjesë në dëgjesën publike të zhvilluar në Xibër për propozimin e komisionit partiak për shkrirjen e Bashkisë Klos.
Qëndrimi i banorëve ishte i qartë dhe i njëzëshëm: pavarësisht bindjeve politike, të gjithë kërkuan ruajtjen e bashkisë së tyre, Klosit.
Ne jemi dhe do të mbetemi pjesë e familjes së madhe të Matit, por kjo përkatësi nuk pengon që Klosi të administrohet më vete, të zgjedhë drejtuesin e tij dhe të marrë përgjegjësi për zhvillimin e vet. Vëllezërit në një familje ndahen për tu zhvilluar.
Banorët u shprehën qartësisht kundër shkrirjes, ndaj dëgjesa publike duhet të ndikojë realisht në vendimmarrje dhe të mos mbetet thjesht një formalitet.
Në një bashki shumë më të madhe, zëri i Klosit do të dobësohet dhe të humbasë mes votave, interesave dhe nevojave të një territori më të gjerë. E kemi përjetuar me ish-rrethin Mat këtë gjë dhe nuk duam ti rikthehemi më.
Zhvendosja e qendrës vendimmarrëse do të rriste kohën dhe koston e marrjes së shërbimeve, veçanërisht për të moshuarit dhe banorët e fshatrave të largëta.
Klosi ka treguar performancë dhe diversifikim ekonomik më të mirë se disa bashki që ruhen, si edhe burime të rëndësishme minerare, ujore, pyjore, energjetike, bujqësore dhe turistike. Aktualisht është porta lindore e Tiranës (siç ka qenë në mijëvjeçarë si urë lidhëse ndërmjet lindjes dhe perëndimit).
Një bashki më e madhe mund të ketë mbase buxhet më të madh, por kjo nuk garanton asgjë se Klosi do të marrë më shumë investime apo se pasuria e prodhuar në territor do t’i rikthehet komunitetit.
Largimi i administratës, vendeve të punës dhe shërbimeve do ta dobësonte edhe më shume ekonominë vendase dhe do ta përshpejtonte braktisjen e zonave rurale.
Përvoja e zonave rurale të Bashkisë më të madhe në vend si Tirana, nga Zall-Bastari dhe Shëngjergji etj., tregon se një territor dhe buxhet më i madh nuk garantojnë automatikisht shërbime, infrastrukturë dhe investime më të mira për periferitë.
Organizimi i mëparshëm në kuadër të ish-rrethit të Matit nuk i dha asnjëherë Klosit përfaqësimin, vëmendjen dhe investimet që i takonin, ndaj një centralizim i ri rrezikon të përsërisë të njëjtën pabarazi.
Komisioni i njëanshëm i kësaj “reforme”, më shumë se të zbatonte urdhërat e politikës, duhej të agumentonte pse Klosi duhet të shkrihet si bashki, pse qyteza si Krasta dhe Ulëza humbin statuset si të tilla dhjetra vjeçare dhe pse bashki me popullsi e performanca më të ulta – mbeten.
Kushtetuta kërkon që ndryshimi i kufijve vendorë të bazohet tek mendimi i popullsisë së prekur. Populli po e thotë fjalën e tij, dhe tani – veç duhet dëgjuar…
Një reformë territoriale duhet ta afrojë pushtetin me qytetarin, të përmirësojë shërbimet dhe të krijojë mundësi zhvillimi, jo ta largojë vendimmarrjen dhe të thellojë shpopullimin.
Që të jemi të qartë – askush nuk është e nuk do jetë kundër Matit.
Por jemi për Klosin, për përfaqësimin dhe për të drejtën që ta zgjedhim vetë të parin e shtëpisë sonë.
Bashkia e ardhshme duhet të ketë emrin që ka realisht; “Krye-Mat”.
Bashkia Klos nuk duhet të shkrihet.
Ky është zëri qytetar dhe janë qytetarët që duhet të dëgjohen, përtej politikës.
Pushteti vendor ka kuptim vetëm kur qytetari mund ta arrijë, ta dëgjojë dhe t’i kërkojë llogari.

Burimi/Facebook


Leave a Reply