Shkruar nga Paskalina Alija Maraxha
Zoti President,
Pas kaq vitesh, vajtët në Savër të Lushnjës, por nuk e dimë motivin dhe, mbi të gjitha, nuk i lajmëruat të gjithë ata që kanë jetuar në kampin e internimit.
Kjo shtëpi që ju vizituat sot është shtëpia ime, ku unë kam jetuar. Kjo shtëpi është dëshmi e rezistencës ndaj diktaturës.
Ku ishit ju, zoti President, kur njerëzit pushkatoheshin? Ku ishit kur njerëzit burgoseshin? Ku ishit kur njerëzve u ishte hequr e drejta për të folur dhe për të shprehur mendimin e tyre?
Aty kanë jetuar katolikë, priftërinj, gjeneralë dhe njerëz që kishin studiuar në Perëndim, në Itali — vende ku sot ju, si pjesë e këtij sistemi, dërgoni fëmijët tuaj për të studiuar.
Në një emision ju bëra me dije se nuk keni asnjë të drejtë të publikoni atë shtëpi ku kam jetuar, pa lejen dhe miratimin tim. Për mua, kjo është dhunë dhe ofendim. Prandaj, zoti President, do të ndjek rrugën ligjore dhe do të bëj kallëzimin/padinë përkatëse pranë SPAK-ut për publikimin e shtëpisë time pa miratimin tim.
Zoti President, shihemi në gjyq.
E di që keni ligjin në anën tuaj, por nuk keni të drejtë të fyeni dhe të përbuzni kujtimin e atyre që vuajtën dhe vdiqën nën diktaturë.
Ato lule që vendosët sot nuk mund ta fshijnë të kaluarën. Sistemi që ju përfaqësoni ende mbart përgjegjësi për gjakun e njerëzve të pafajshëm. Turp për këtë hipokrizi!
Aty u vranë dhe u persekutuan njerëz të pafajshëm.
Zoti President, pse nuk erdhët më 7 gusht? Pse nuk erdhët më 20 gusht? Ku ishit kur u përkujtuan ata që u ekzekutuan? A ishin fëmijët e lopës, të mushkës apo të kaut ata që u pushkatuan? Jo! Ishin njerëz të pafajshëm, familje dhe fëmijë që vuajtën vetëm sepse u shpallën “armiq të klasës”.
Në kampet e internimit vuajtën të gjithë. U torturuan, u poshtëruan dhe u mohua dinjiteti.
Disa morën tortën me lule, disa morën tortën e hidhur të vuajtjes, ndërsa disa morën ofertat e sistemit dhe nuk thanë “jo”.
Në ferr vafshi të gjithë ata që vazhdoni të ushqeni urrejtjen dhe përçarjen!
Kjo është një tjetër formë e luftës së klasave.
Bravo, President, që po ushqeni përsëri urrejtjen!
Nuk duhej të shkonit fare, ose duhej të shkonit për të gjithë, pa përjashtim. O për të gjithë, o për asnjë.
Të bënit një miting në Tiranë do të ishte më paqësore, por tani lind pyetja: çfarë kërkoni të tregoni me këtë veprim?


Burimi/Facebook


Leave a Reply