Situatat e krijuar së fundmi në Kosovë, nga protestat kundër ndërtimit të një kishe katolike në fshatin Zogaj të Vushtrrisë, te debati rreth Lëvizjes së Deçanit, iniciativa për themelimin e Bashkësisë Katolike Shqiptare në Isniq, e në veqanti kriza e stërzgjatur institucionale, kërkon një analizë serioze kombëtare.
Unë nuk besoj se problemi i Kosovës qëndron te ndërtimi i një kishe apo i një xhamie. Problemi fillon atëherë kur dallimet fetare shndërrohen në mjete për të krijuar përçarje shoqërore dhe kombëtare.
Në Kosovë ekzistojnë qindra objekte të trashëgimisë fetare serbe. Një të tillë e kemi në zemër të Prishtinës, mbrenda kompleksit Universitetit mu në tempullin e dijes, dhe akoma nuk kam parë shqiptarë, qofshin katolikë apo myslimanë, të ndërtojnë identitet politik mbi kundërshtimin e ekzistencës së saj.
Ajo që më shqetëson më shumë është krijimi i një klime ku shqiptarët mund të fillojnë ta shohin njëri-tjetrin përmes përkatësisë fetare. Nëse kjo ndodh, atëherë kemi rënë pikërisht në grackën që historia na ka mësuar ta shmangim.
Edhe kriza e gjatë institucionale nuk duhet parë e shkëputur nga kjo situatë. Mungesa e stabilitetit politik, stërzgjatja e vakumit pa qeveri stabile dhe dobësimi i besimit te institucionet krijojnë hapësirë që faktorë të jashtëm të përpiqen të shfrytëzojnë ndarjet tona.
Ne mund të jemi myslimanë, katolikë apo pjesëtarë të besimeve të tjera. Mund të kemi bindje të ndryshme politike dhe këndvështrime të ndryshme për të ardhmen e Kosovës. Por mbi të gjitha jemi shqiptarë dhe qytetarë të këtij vendi.
Mos ta lejojmë askënd që të na bindë se ajo që na ka mbajtur bashkë për shekuj është pikërisht ajo që duhet të na ndajë sot.
Dhe nëse duam një Kosovë të fortë, duhet të dëshmojmë para botës se dimë të ndërtojmë jo vetëm shtet, por edhe një shoqëri ku dallimet respektohen dhe shqiptarët, pavarësisht besimit, janë vëllezër të një gjaku.
Burimi/Facebook


Leave a Reply