Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se në ambientet e bashkisë ishte zhvilluar një takim publik, i organizuar nga Hekurudha Shqiptare në bashkëpunim me pushtetin vendor.
Takimi lidhej me zbatimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit dhe ndërhyrjet e parashikuara në segmentin Vrakë–Hani i Hotit.
Sipas postimit të kryebashkiakut Marinaj, në takim morën pjesë administratorët e njësive administrative Gruemirë dhe Qendër–Kastrat, kryetarë fshatrash, banorë dhe përfaqësues të bizneseve që ndodhen pranë segmentit hekurudhor.
Por, pavarësisht se aktiviteti u paraqit si “takim publik”, për zhvillimin e tij nuk pati asnjë njoftim paraprak për qytetarët dhe mediat. Takimi u zhvillua kryesisht mes përfaqësuesve të Hekurudhës Shqiptare dhe administratës vendore, ndërsa opinioni publik u informua vetëm pas përfundimit të tij, përmes postimit të kryebashkiakut.
Mungesa e një njoftimi publik ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe përfshirjen reale të komunitetit në këtë proces. Që një takim të konsiderohet publik, qytetarëve, grupeve të interesit dhe mediave duhet t’u krijohet mundësia të informohen paraprakisht dhe të marrin pjesë.
Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit prek drejtpërdrejt banorët, pronarët e tokave dhe bizneset që ndodhen përgjatë segmentit hekurudhor. Për këtë arsye, konsultimet duhet të zhvillohen në mënyrë të hapur, me njoftim në kohë dhe me pjesëmarrje sa më të gjerë të komunitetit.
Në postimin e tij, kryebashkiaku Marinaj e cilësoi takimin si një hap të rëndësishëm për informimin dhe konsultimin e banorëve. Megjithatë, mbetet e paqartë se si mund të quhet “takim publik” një aktivitet për të cilin publiku dhe mediat nuk ishin njoftuar paraprakisht.
Burimi/Facebook/Televizioni Kopliku dhe On Televizion


Leave a Reply