Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo do të vizitojë javën e ardhshme Italinë, Vatikanit, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.
Në turneun që do të zgjasë nga 1 deri në 6 tetor, Pompeo do të marrë pjesë në një simpozium në Vatikan dhe do të takohet me Papa Françeskun.
Në Romë, do të takohet me Presidentin Sergio Mattarella e kryeministrin Giueseppe Conte.
Paskësaj, kryediplomati amerikan do të shkojë në Mal të Zi e më tej në Maqedoninë Veriore ku do ta presë Presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, tha se këto vizita do ta vinin theksin tek angazhimi i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe tek dëshira e Uashingtonit për zgjerim.
Ai tha se do të ishte një sinjal mbështetës për Malin e Zi si vend i ri anëtar dhe për Maqedoninë e Veriut, rruga e së cilës është hapur tashmë për anëtarësim. Por i pyetur nga Zëri i Amerikës, se pse Sekretari i Shtetit nuk po shkon në Shqipëri, zyrtari tha se arsyeja është thjesht se Pompeo po shkon për tek vendet e sapo anëtarësuara në NATO.
Megjithëse vizita nuk ka për synim bisedimet e Kosovës dhe Serbisë, zyrtari tha se emërimi i zëvendës ndihmës sekretarit të Shtetit Matthew Palmer si i dërguar i posaçëm për Ballkanin, tregon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e problemeve në rajon. Turneun e tij, Pompeo do ta përfundojë me një vizitë në Greqi.
Gazeta SHQIP


Leave a Reply