Shkon në dy numri i viktimave në masakrën ndodhur pasditen e sotme në Prishtinë.
Zyrtarë të QKUK-së kanë konfirmuar se ka ndërruar jetë edhe personi i dytë si pasojë e plagëve të marra gjatë të shtënave me armë zjarri sot në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.
“Ka vdekur edhe personi i dytë, i cili përkundër përpjekjeve të mjekëve, për shkak të gjendjes së rëndë nuk ka arritur të mbijetojë”, tha zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.
Mediat e Kosovës raportuan më herët se viktima e parë është B.Mehmeti, ndërsa të plagosur kanë mbetur një 47 vjeçar me inicialet M.R, një 76-vjeçar me inicialet G.R dhe një 51 vjeçar me inicialet F.R.
Kujtojmë që 4 persona mbetën të plagosur sot si pasojë e të shtënave me kallashnikov në rrugën “Muharrem Fejza”, ku dy prej tyre ndërruan jetë në spital.
Ndërkohë edhe dy persona tjerë të plagosur vazhdojnë të trajtohen në QKUK. Paraprakisht dyshohet se motivi i krimit ka qenë një konflikt pronësor mes familjeve Mehmeti dhe Rafuna.
Ngjarja në Prishtinë, arrestohen 2 persona
Policia e Kosovës ka konfirmuar se lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Prishtinë janë arrestuar dy persona.
Sipas policisë nuk dihen endet motivet që kanë çuar deri në këtë ngjarje tragjike, por bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar 2 armë zjarri.
“Në ora 15:40 ka ndodhur një rast i gjuajtjes me armë. Në vendin e ngjarjes kemi gjetur katër persona të plagosur. Janë arrestuar dy persona të dyshuar. Janë konfiskuar dy armë. Për momentin policia i ka këto informata. Për momentin nuk mund të spekulojmë për motivet e mundshme. Dyshohet se këtu banojnë të dy familjet”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.
Burimi/shekulli.com.al


Leave a Reply