Ollten, Zvicër – Mërgimtarët Kërcovar në Zvicër i kanë intensifikuar aktivitetet mobilizuese për organizimin e kthimit të tyre në vendlindje dhe për ti dhënë votën kandidatit shqiptar Fatmir Dehari në zgjedhjet lokale për kryetar të komunës së Kërçovës.
Mobilizimi i diasporës shqiptare në Zvicër është ngritur në një nivel shpresëdhënës sepse nga raportimit i aktivistëve u konfirmua, se deri më tani janë evidentuar mbi 2600 mërgimtarë të cilët e kanë deklaruar vullnetin e tyre për të mbështetur kandidatin shqiptar në zgjedhjet lokale të 24 marsit.
Këto shifra nuk janë përfundimtare sepse aktivistët që përfaqsojnë të gjitha BV të rajonit të Kërçovës të shpërndarë nëpër kantonet e shtetit helvetik, do të shtojnë aktivitetin duke shtuar edhe numrin e votuesve të diasporës kërçovare që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Aktivistët që veprojnë në kuadër të shtabit zgjedhor në Zvicër vlerësojnë se numri i votuesve kërçovar që do të kthehen për të votuar në vendlindje do të kalojë mbi 3000 veta.
“Numri i votuesve të paraqitur nuk është përfundimtar ngase gjatë ditëve në vazhdim këto lista do të plotësohen sepse aktivistët tanë vazhdojnë me një ritëm të sforcuar regjistrimin e anëtarëve që do të udhëtojnë për në vendlindje”, shprehet kryetari i shtabit zgjedhor për Zvicrën Qani Xhambazi.
Ky proces zgjedhor është shumë i rëndësishëm për popullatën shqiptare të Kërçovës prandaj kësaj radhe do të nisemi të organizuar për në vendlindje që të japim votën në mbështetje të kandidatit shqiptar dhe për herë të parë të qeverisim me komunën e Kërçovës, u shprehën mërgimtarët kërçovar në mbledhjen e fundit që u mbajtë në Ollten të Zvicrës.
“Interesimi i mërgimtarëve për të mbështetur kandidatin shqiptar në garën ndëretnike për të qeverisur me Kërçovën është i madh dhe ky ritëm i mobilizimit na jep shpresa se diaspora shqiptare edhe kësaj radhe do të dëshmojë përkushtimin për vendlindjen dhe proceset nëpër të cilat kalon ajo”, potencon aktivisti Munir Mehdiu, njëri ndër intelektualët e shumtë të cilin fati e hodhi në rrugën e gurbetit ku ka arritur të dëshmojë edhe aftësitë afariste si menaxhues i një firme private.
Ndërkaq mërgimtari Nazmi Alimi nënvizon se “diaspora e Zvicrës ia ka borxh vendlindjes dhe në realizimin e këtij misioni kërçovarët do të nisen masivisht për të mbështetur kandidatin shqiptarë në sfidën për komunën e Kërçovës”.
Në këtë mbledhje u debatua edhe për formën e organizimit të udhëtimit deri në vendlindje dhe anasjelltas. Zgjedhjet lokale të marsit për komunën e bashkuar te Kërçovës paraqesin ballafaqimin direkt në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve ku diaspora kërçovare padyshim është një faktorë përcaktues dhe vendimtar i suksesit apo dështimit në këtë garë zgjedhore. (SH.D)
http://zhurnal.mk/content/?id=13242215218
Per”Alba – Dansk” Shkodrani


Leave a Reply